Ministry of Health and Social Welfare

Dubai, 9 shkurt 2026 – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, mori pjesë në WHX Dubai 2026 (World Health Expo), një nga forumet më të rëndësishme globale për shëndetësinë dhe inovacionin, që mbledh profesionistë, institucione dhe kompani nga e gjithë bota.

Gjatë aktivitetit, Ministrja Sala prezantoi rrugëtimin e Shqipërisë në shëndetësinë digjitale, duke theksuar transformimin nga një sistem i bazuar kryesisht në dokumente letre drejt platformave kombëtare digjitale, të cilat sot përdoren çdo ditë nga mjekët dhe institucionet shëndetësore në vend.

Ajo nënvizoi se, pavarësisht progresit të arritur, sfida kryesore mbetet integrimi i sistemeve, me qëllim lehtësimin e qarkullimit të informacionit shëndetësor, shmangien e përsëritjeve të panevojshme dhe mbështetjen e punës së profesionistëve të shëndetit. Ky integrim do t’i shërbejë mbi të gjitha mjekëve, infermierëve dhe pacientëve.

Ministrja theksoi gjithashtu se teknologjia ka vlerë vetëm kur përmirëson realisht kujdesin për pacientin, duke shtuar se hapi i radhës për Shqipërinë është ndërtimi i sistemeve të ndërlidhura, të sigurta dhe të besueshme, në përputhje me standardet europiane.

WHX Dubai, i njohur më parë si Arab Health, prej mbi 50 vitesh është një pikë referimi për industrinë globale të shëndetësisë. Si pjesë e rrjetit më të madh në botë të eventeve ndërkombëtare të shëndetësisë, ai lidh profesionistët me risitë, produktet dhe idetë që po transformojnë kujdesin shëndetësor.

Edicioni i këtij viti mblodhi mbi 235,000 profesionistë të shëndetësisë, 4,300 ekspozues, 300 folës dhe përfaqësues nga më shumë se 180 shtete.