Ministry of Health and Social Welfare

I nderuar Z. Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar Deputetë

Falenderoj deputetin z.Erion Braçe për pyetjen dhe interesimin. Kur bëhet fjalë për shëndetin e qytetarëve çdo rast i sjellë na jep mundësinë të verifikojmë shqetësimin dhe të punojmë për zgjidhjen.

Në lidhje me pyetjet e adresuara, më lejoni t’ju informoj se:

Së pari, dua të theksoj qartë se pezullimi i aktivitetit në ambientin ekzistues të kësaj qendre shëndetësore ka qenë rezultat i rekomandimit të akt-ekspertizës teknike, të kryer nga Instituti i Ndërtimit, si institucioni përgjegjës për vlerësimin e sigurisë strukturore të objekteve publike.

Sipas kësaj ekspertize, godina e Qendrës Shëndetësore nr. 8 në rrugën “Irfan Tomini” nuk garanton kushtet minimale të sigurisë për vijimin e aktivitetit shëndetësor, ndaj është rekomanduar ndërprerja e menjëhershme, e përkohshme, e shërbimeve në këtë ambient dhe rifillimi i tyre vetëm pas marrjes së masave përkatëse teknike dhe ndërtimore.

Biem të gjithë dakord se siguria strukturore është parakushti themelor për ofrimin e shërbimit shëndetësor publik.

Që prej muajit shtator 2025, të gjitha shërbimet për banorët të cilët mbuloheshin nga Qendra Shëndetësore nr. 8/3 janë transferuar në mënyrë të përkohshme dhe ofrohen pa ndërprerje, në qendrën ambulatore “Vasil Shanto”, me kapacitete të plota mjekësore dhe infermierore. Ofrimi i shërbimit u transferua vetëm 850 m më larg, qendër ku ishte planifikuar konsultori i nënës dhe fëmijës.

Ky proces transferimi i përkohshëm është shoqëruar me:

Ø njoftim paraprak zyrtar të pacientëve, me telefon për të gjithë të sëmurët kronikë,

Ø afishim të informacionit në hyrje të godinës.

Të dhënat e agreguara që reflektojnë vijushmërinë e shërbimit shëndetësor, tregojnë se:

– Vizitat mjekësore, shërbimet për fëmijët dhe të rriturit, si dhe procedurat infermierore kanë vijuar pa rënie të volumit apo të cilësisë së shërbimit.

– Para transferimit, kjo pikë u shërbente rreth 15.957 qytetarëve, pas transferimit shërben për rreth 15,960 qytetarë. Pra shërbimi shëndetësor ndaj numrit të pacientëve mbetet praktikisht i pandryshuar. Shërbimi i ofruar, i ndarë sipas gruopmoshave është si më poshtë:

1. shërbime pediatrike 0-18 vjec shërbimi i është ofruar 12,563 pacientëve dhe

2. shërbime për adult pra dhe mbi 18 vjec shërbimi iu është ofruar 3,394 pacientëve.

Për vitin 2025, sistemi e-Vizita relaton 119.000 vizita të kryera ose mesatarisht 9.900 të tilla për çdo muaj. Muaji janar 2026 numëron mbi 11.000 vizita, gjë që tregon një trend normal funksionimi.

Këto të dhëna konfirmojnë se aksesi në kujdesin shëndetësor nuk është cënuar, pavarësisht pamundësisë dhe vështirësisë për të përdorur strukturën fizike të qendrës shëndetësore.

Së treti, stafi mjekësor dhe infermieror ka qenë në gatishmëri të plotë edhe për ofrimin e shërbimit në banesë, veçanërisht për kategoritë më vulnerabël të popullsisë.

Në këtë kuadër, pacientët kronikë, kryesisht të moshës së tretë, janë pajisur me mjekimet për një periudhë më afatgjatë, deri në gjashtë muaj, duke shmangur nevojën për paraqitje të shpeshtë mujore në strukturën shëndetësore ku tashmë ofrohet shërbimi.

Së katërti, dua të theksoj se Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ka punuar paralelisht për identifikimin e zgjidhjeve alternative pranë zonës në fjal

Megjithatë, asnjë prej ambienteve të identifikuara nuk ka përmbushur kriteret për ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Zgjidhje afatgjatë dhe e qëndrueshme nuk është improvizimi, por ndërhyrja strukturore dhe konstruksioni i godinës ekzistuese.

Në këtë kuadër, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e ka përcaktuar QSH nr 8/3 si një nga qendrat prioritare për rikonstruksion në vitin 2026.

Sigurisht, do kemi rastin në muajt në vijim që t’u bëjmë me dije zhvillimet që do kemi në dobi të sistemit tonë shëndetësor dhe nevojave të qytetarëve.

Ju faleminderit edhe njëherë për vëmendjen që tregoni ndaj shëndetësisë!