Ministry of Health and Social Welfare

Sot, Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin për zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit të Garancisë Evropiane për Fëmijët 2026–2030, një dokument strategjik i cili synon të garantojë që çdo fëmijë në Shqipëri, veçanërisht ata në situata vulnerabël, të ketë akses real dhe të barabartë në shërbimet bazë.

Ky plan është një hap i rëndësishëm në përpjekjen tonë për të ulur varfërinë e fëmijëve dhe për të forcuar përfshirjen sociale, përmes politikave të koordinuara në nivel kombëtar dhe vendor. Ai mbështetet në një qasje ndërsektoriale dhe vendos në qendër të politikave publike mirëqenien e fëmijës.

Plani përqendrohet në mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve, edukimin dhe kujdesin në fëmijërinë e hershme, arsimin, shëndetësinë, mirëushqyerjen dhe strehimin. Këto janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet një sistem më i drejtë dhe më i sigurt për çdo fëmijë në vendin tonë.

Me këtë plan synohet:

• të krijojmë një sistem më gjithëpërfshirës të përfitimeve për fëmijët, që garanton një standard bazë jetese dhe ul varfërinë e fëmijëve;

• të sigurojmë që çdo fëmijë në situata vulnerabël – përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët në migracion apo në kujdes alternativ – të ketë akses në shërbime sociale cilësore dhe të integruara;

• të forcojmë shërbimet komunitare në të gjitha bashkitë dhe të mbështesim familjet që kanë më shumë nevojë;

• të garantojmë akses të barabartë në shërbime shëndetësore cilësore, arsim, ushqyerje të shëndetshme dhe strehim të përshtatshëm.