Ministry of Health and Social Welfare

Të nderuar deputetë,

Kur flasim për Spitalin Universitar të Traumës, nuk flasim për një godinë të zakonshme. Flasim për spitalin që përballon emergjencat më të rënda në vend, për strukturën ku çdo ditë trajtohen pacientë politraumë, aksidente të rënda dhe raste komplekse që kërkojnë reagim të menjëhershëm dhe profesionalizëm maksimal.

Është për të ardhur keq që një proces modernizimi po tentohet të paraqitet si krizë, kur në fakt është investimi më serioz që është bërë për këtë spital.

Kur flasim për spitale që trajtojnë emergjenca kombëtare, duhet më shumë përgjegjësi dhe më pak sensacion politik.

Pikërisht për këtë arsye, debati për këtë spital duhet të mbështetet mbi fakte, mbi përgjegjësi dhe mbi interesin e qytetarëve, jo mbi perceptime të pavërteta.

Dua të jem e drejpërdrejtë dhe e qartë mbi të gjitha për të informuar saktë qytetarët që na dëgjojnë: Spitali Universitar i Traumës nuk është mbyllur, urgjenca nuk është ndalur. Dhe asnjë qytetar nuk është lënë pa shërbim për shkak të rikonstruksionit.

Spitali ndodhet aktualisht në një proces të planifikuar rikonstruksioni dhe modernizimi, një investim i domosdoshëm për të garantuar standarde më të larta sigurie, infrastrukture dhe trajtimi për pacientët, përmes një fondi prej 759 mln lekësh.

Punimet kanë nisur në shtator të vitit 2025 dhe po realizohen me faza, pikërisht për të garantuar vijimin e shërbimit gjatë gjithë procesit. Aktualisht po punohet në sistemimet e jashtme dhe në bllokun operator qendror, ndërkohë që Blloku Operator i Urgjencës vijon funksionimin normal dhe kryen çdo ditë ndërhyrjet e nevojshme të traumës dhe ortopedisë.

Kjo është e vërteta që qytetarët duhet të dëgjojnë. Sepse faktet flasin vetë.

Vetëm gjatë katërmujorit të parë të vitit 2026, në Shërbimin e Pranim Urgjencës pranw Spitalit Universitar të Traumës janë paraqitur 19702 pacientë ose 455 pacientë më shumë se në vitin 2025.Vetëm operacione urgjente janë realizuar 932 ose 38 më shumë se viti i kaluar.

Këto nuk janë deklarata politike, por janë ndërhyrje reale të kryera, pacientë realë që kanë marrë shërbimin, janë trajtuar çdo ditë, gjatë gjithë periudhës së rikonstruksionit.

Lidhur me pretendimet për mbylljen e sallave kirurgjikale, dua të sqaroj se rikonstruksioni prek përkohësisht një pjesë të infrastrukturës, por aktiviteti kirurgjikal vijon përmes riorganizimit të kapaciteteve të spitalit.

I vetmi aktivitet i transferuar përkohësisht është ai i ndërhyrjeve për amputimet tek pacientët me këmbë diabetike, të cilat po realizohen pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ndërkohë, të gjitha shërbimet e tjera vijojnë të ofrohen përmes organizimit të sistemit të referimit, pa ndërprerje dhe pa mungesë kujdesi për qytetarët.

Një tjetër cështje e ngritur është ajo e listave të pritjes për ndërhyrjet ortopedike dhe endoprotezimet. Edhe këtu duhet të flasim me fakte.

Falë rritjes së financimit dhe organizimit më të mirë të kapaciteteve, jo vetëm janë mbuluar të gjitha urgjencat, por ka nisur edhe rikuperimi gradual i ndërhyrjeve të prapambetura ndër vite.

Sot numri i pacientëve në listën e pritjes është përgjysmuar. Aktualisht janë rreth 570 pacientë në pritje (nga afro 1 mijë deri disa vite më parë) dhe koha mesatare është reduktuar në rreth 13 muaj, nga gati 6 vite pritje dikur, një situatë dukshëm më e përmirësuar krahasuar me atë që sistemi ka trashëguar ndër vite.

Natyrisht që mbetet ende punë për të bërë. Askush nuk pretendon se çdo problem është zgjidhur. Por është po aq e rëndësishme të pranohet ndëryshimi real i arritur.

Regjistrimet e pacientëve kryhen në mënyrë të dokumentuar në sistemin elektronik të spitalit, ku janë të verifikueshme data dhe ora e regjistrimit, duke garantuar transparencë dhe trajtim sipas radhës së përcaktuar.

Sa i përket pretendimeve për mungesë materialesh ortopedike apo protezash, dua të jem shumë e qartë: aktualisht nuk ka mungesa të materialeve ortopedike për ndërhyrjet që kryhen në Spitalin Universitar të Traumës.

Financimi i shtuar ka bërë të mundur mbulimin e nevojave për urgjencat dhe vijimin gradual të operacioneve të programuara.

Një tjetër pretendim i pabazuar është ai qw lidhet me infeksionet spitalore.

Sallat operatore sterilizohen dhe monitorohen vazhdimisht; nuk është konstatuar prani e baktereve që rrezikojnë shëndetin e pacientëve.

Në këtë debat nuk duhet të harrojmë asnjëherë njerëzit që mbajnë çdo ditë në këmbë këtë shërbim: mjekët, infermierët dhe stafin mbështetës të Spitalit të Traumës, të cilët po punojnë, me dy turne, nën ngarkesë të jashtëzakonshme, ndërkohë që spitali po rikonstruktohet dhe vijon paralelisht të përballojë emergjencat më të rënda në vend. Ata meritojnë mbështetje dhe respekt.

Qytetarët shqiptarë meritojnë debat serioz për shëndetësinë. Meritojnë transparencë, përgjegjësi dhe punë konkrete. Jo panik dhe jo perceptime që cenojnë besimin tek institucionet shëndetësore.

Po, sfida ka ende. Ka problematika të trashëguara ndër vite. Ka nevojë për më shumë investime, më shumë modernizim dhe më shumë kapacitete.

Por pikërisht për këtë arsye po investojmë:

· në rikonstruksionin e spitaleve;

· pajisje dhe materiale mjekësore;

· në financim dhe organizim më të mirë të shërbimeve.

Ky është ndryshimi mes retorikës së alarmit dhe punës konkrete që përmirëson çdo ditë sistemin shëndetësor.

Në fokus të punës, që prej marrjes së detyrës si ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, është forcimi gradual i kapaciteteve rajonale të traumës dhe ortopedisë, me qëllim decentralizimin e shërbimeve dhe afrimin e tyre më pranë qytetarëve.

Në këtë kuadër, ka nisur puna për rikualifikimin e Spitalit Bashkiak të Mirditës, gradualisht si një qendër rajonale për traumën, ortopedinë dhe rehabilitimin post-traumatik, në bashkëpunim me Spitalin Universitar të Traumës.

Qëllimi është krijimi i një “Poli Verior për Traumën”, i cili do të mundësojë trajtim më të shpejtë të urgjencave traumatike në veri të vendit, uljen e transferimeve drejt Tiranës dhe forcimin e kapaciteteve kirurgjikale rajonale.

Sepse vizioni ynë është i qartë: qytetarët të marrin shërbim më cilësor, më dinjitoz dhe më të aksesueshëm, kudo ku jetojnë.

Në fund, dua t’i garantoj qytetarët shqiptarë se Spitali Universitar i Traumës vijon të funksionojë, vijon të trajtojë emergjencat dhe vijon të ofrojë shërbim për çdo pacient që ka nevojë.

Mes retorikës politike dhe realitetit të përditshëm të punës në Spitalin e Traumës, qytetarët dinë ta dallojnë shumë qartë të vërtetën:

Rikonstruksioni nuk është shenjë kolapsi. Përkundrazi, është shenjë investimi, modernizimi dhe përgjegjësie ndaj së ardhmes së sistemit shëndetësor.

Ne nuk po ndërtojmë fasada, por standarde më të larta trajtimi, dinjiteti dhe sigurie për pacientët shqiptarë.

Dhe këtë proces do ta çojmë deri në fund me përgjegjësi të plotë institucionale dhe me shërbimin ndaj qytetarëve si prioritet absolut.

Ju faleminderit.