Ministry of Health and Social Welfare

Këshilli i Ministrave miratoi sot një paketë projektvendimesh me ndikim të rëndësishëm social, që synojnë forcimin e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara, familjet e tyre dhe ndihmësit personalë.

Paketa përfshin:

* projektvendimin “Për një shtesë në vendimin nr. 182, datë 26.2.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës, të kritereve, procedurave e dokumentacionit për vlerësimin dhe përfitimin e pagesës për personat me aftësi të kufizuara, si dhe të ndihmësit personal”, të ndryshuar;
* projektvendimin “Për një shtesë në vendimin nr. 277, datë 18.6.1997, të Këshillit të Ministrave, “Për përfitimet nga statusi i të verbërit”, të ndryshuar;
* projektvendimin “Për një shtesë dhe ndryshim në vendimin nr. 722, datë 11.11.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës, të kritereve, procedurave dhe dokumentacionit për vlerësimin dhe përfitimin e aftësisë së kufizuar e të ndihmësit personal, dhe të strukturave përgjegjëse e të detyrave të tyre”, të ndryshuar;
* projektvendimin “Për disa shtesa në vendimin nr. 751, datë 1.12.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për një mbrojtje të veçantë nga shteti për gratë e papuna me tre apo më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç”.

Vendimet e miratuara parashikojnë dyfishimin e masës së pagesës për 10,240 fëmijë me aftësi të kufizuara, me një efekt financiar shtesë prej 750 milionë lekësh në Buxhetin e Shtetit. Kjo masë hyn në fuqi me efekte financiare duke filluar nga 1 korriku 2026.

Mbështetja e shtuar financiare do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke mundësuar ndërhyrje të hershme, zhvillimin e aftësive, përfshirjen sociale dhe lehtësimin e barrës financiare për familjet e tyre. Njëkohësisht, ajo krijon kushte për zhvillim më të qëndrueshëm dhe rrit mundësitë për një jetë më të pavarur në të ardhmen.

Një tjetër lehtësim i rëndësishëm është heqja e detyrimit për paraqitjen çdo vit të dokumentacionit mjekësor pranë komisioneve të vlerësimit, për rastet kur afati i përfitimit është disa vjeçar. Kjo masë redukton ndjeshëm procedurat administrative dhe shmang kostot e panevojshme për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre.

Paketa parashikon gjithashtu njohjen e periudhave kontributive për 14,657 ndihmës personalë të personave me aftësi të kufizuara, me një efekt financiar shtesë prej 674 milionë lekësh në Buxhetin e Shtetit, duke filluar nga 1 shtatori 2026.

Kjo masë garanton trajtim të barabartë për ndihmësit personalë, duke njohur periudhën e shërbimit të tyre si periudhë kontributive për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Njëkohësisht, ajo forcon mbështetjen për kujdesin në familje, duke u mundësuar personave me aftësi të kufizuara të jetojnë pranë njerëzve të tyre dhe duke reduktuar nevojën për institucionalizim.

Kjo paketë përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e politikave sociale të qeverisë, me fokus mbështetjen e kategorive më në nevojë, garantimin e dinjitetit, barazisë dhe përfshirjes sociale, si dhe ndërtimin e një sistemi mbrojtjeje sociale më të drejtë dhe më gjithëpërfshirës.