Ministry of Health and Social Welfare

Në vijim të komunikimit të nisur nga Kryeministri Edi Rama me prindërit e fëmijëve me çrregullim të spektrit të autizmit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, zhvilloi një takim me familjet për të diskutuar mbi hapat e ndërmarrë dhe nevojat që kërkojnë zgjidhje.

Bashkëbisedimi u përqendrua te përmirësimi i diagnostikimit të hershëm, lehtësimi i aksesit në shërbime të specializuara dhe krijimi i një sistemi më të koordinuar mbështetjeje për fëmijët dhe prindërit e tyre.

Mes hapave të ndërmarrë është hartimi i projekturdhrit për ngritjen e Këshillit Kombëtar për Nevojat e Fëmijëve dhe të Rinjve me Çrregullime të Spektrit të Autizmit, si dhe drafturdhrit për krijimin e Rrjetit Kombëtar të Koordinatorëve të Rastit. Ky rrjet synon t’u mundësojë familjeve orientim më të qartë dhe mbështetje të koordinuar, në mënyrë që të mos përballen të vetme me procedurat dhe institucionet.

Vëmendje e veçantë po i kushtohet përmirësimit të protokolleve të depistimit, diagnostikimit dhe referimit të hershëm, si dhe standardizimit të praktikave për fëmijët e moshës 0–6 vjeç. Në fokus është edhe përshtatja e ushqyerjes në çerdhe dhe kopshte për fëmijët me nevoja specifike.

Paralelisht, po punohet për zgjerimin e shërbimeve të specializuara, forcimin e psikiatrisë infantile në spitalet rajonale, zgjerimin e Qendrave Komunitare të Shëndetit Mendor dhe përmirësimin e shërbimeve EEG e të kujdesit dentar. Në këtë kuadër, parashikohet edhe ngritja e një kabineti pilot të kujdesit dentar në Elbasan, si dhe krijimi i një qendre për neurodiversitetin.

Një tjetër hap është mbështetja për organizimin dhe funksionalizimin e organizatës së prindërve, në bashkëpunim me Ndihmën Juridike Falas, në mënyrë që familjet të kenë një zë më të fortë në përfaqësimin e nevojave dhe shqetësimeve të tyre.

Mbështetja për fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm dhe përgjegjësi të përbashkët. Qëllimi është që shërbimet shëndetësore, sociale dhe arsimore të funksionojnë më të lidhura me njëra-tjetrën, duke u dhënë fëmijëve më shumë mundësi dhe familjeve më shumë mbështetje në çdo fazë të rrugëtimit të tyre.