Ministry of Health and Social Welfare

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2027 në Komisionin për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, theksoi se financimet e parashikuara synojnë të orientojnë sistemin shëndetësor drejt një modeli që i jep përparësi cilësisë së shërbimeve, eficiencës dhe rezultateve konkrete për pacientët, me fokus parandalimin dhe ruajtjen e shëndetit.

Fjala e plotë:

Të nderuar kolegë deputetë,

Sot, në prezantimin e Projektbuxhetit 2027, dëshiroj ta nis këtë diskutim duke vendosur në qendër të vëmendjes jo thjesht shifrat, zërat buxhetorë apo ndarjen e fondeve, por qytetarin dhe ndikimin konkret që politikat tona kanë në jetën e përditshme të tij.

Projektbuxheti 2027 vjen me një qasje të mbështetur në rishpërndarjen më të mirë të burimeve financiare, në përdorimin më efikas të fondeve publike dhe në orientimin e tyre drejt prioriteteve që gjenerojnë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.

Së pari, çmimet e mallrave të shportës dhe mundësia e uljes së barrës fiskale për produktet bazë të konsumit.

Për familjet me të ardhura të ulëta, ushqimet dhe produktet bazë nuk janë një zgjedhje konsumi, por një domosdoshmëri e përditshme. Çdo rritje çmimi, sado e vogël në dukje, reflektohet drejtpërdrejt në buxhetin familjar. Për këtë arsye, çdo politikë që synon lehtësimin e kostos së jetesës duhet të vlerësohet edhe nga ndikimi që ka në aksesin e qytetarëve në ushqim dhe produkte bazë.

Së dyti, kostoja e naftës dhe ndikimi i saj në jetën ekonomike të qytetarëve.

Çmimi i karburantit nuk ndikon vetëm te ata që zotërojnë një automjet. Për qytetarët që jetojnë larg qendrave urbane, për familjet që duhet të udhëtojnë për të marrë shërbime shëndetësore, për të moshuarit dhe për ata që kanë mundësi të kufizuara ekonomike, kjo kosto bëhet edhe më e ndjeshme.

Së treti, ndikimi i këtyre politikave në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve.

Si Ministre e Shëndetësisë, dua të theksoj se shëndeti nuk përcaktohet vetëm nga cilësia e shërbimit që ofrohet në spital apo në qendrën shëndetësore. Ai përcaktohet edhe nga kushtet ekonomike dhe sociale në të cilat jetojnë njerëzit.

Pikërisht për këtë arsye, politikat ekonomike dhe ato shëndetësore nuk mund të trajtohen të shkëputura nga njëra-tjetra.

Projekt buxheti 2027 nuk është thjesht një plan financiar për të garantuar funksionimin e institucioneve shëndetësore dhe sociale. Ai është një instrument për të vijuar modernizimin e shërbimeve publike dhe për të përshpejtuar reformimin e sistemit shëndetësor dhe të mbrojtjes sociale.

Gjatë viteve të fundit janë bërë investime të rëndësishme në infrastrukturën shëndetësore, pajisjet mjekësore, teknologjinë, trajtimin financiar të profesionistëve dhe zgjerimin e shërbimeve për qytetarët.

Megjithatë, sfidat mbeten të konsiderueshme. Ato lidhen me parandalimin e sëmundjeve, mbrojtjen financiare të pacientëve, garantimin e barnave dhe trajtimeve moderne, reduktimin e kohës së pritjes, shpërndarjen e drejtë të profesionistëve shëndetësorë dhe përmirësimin e menaxhimit të spitaleve.

Pikërisht për këtë arsye, për periudhën 2027–2029, synojmë të kalojmë gradualisht nga një sistem që fokusohet kryesisht te financimi i strukturave dhe shërbimeve, drejt një sistemi që vlerëson gjithnjë e më shumë cilësinë, eficiencën dhe rezultatet konkrete për pacientin.

Objektivi është i qartë: Nga një sistem që trajton sëmundjen, drejt një sistemi që ruan shëndetin!

I. BUXHETI 2027 – MË SHUMË FINANCIM, MË SHUMË PËRGJEGJËSI PËR REZULTATET

Të nderuar deputetë,

Për vitin 2027, buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale parashikohet të arrijë në 117.8 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 4.7 miliardë lekësh, krahasuar me planin e vitit 2026. Ky financim përfaqëson 12.1% të Buxhetit të Shtetit dhe rreth 4% të Produktit të Brendshëm Bruto.

Nga ky buxhet, 84.2 miliardë lekë parashikohen për sektorin e shëndetësisë dhe 33.5 miliardë lekë për mirëqenien sociale dhe ish-të përndjekurit politikë.

Ndërkohë, shpenzimet e skemës së sigurimeve shëndetësore, të administruara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, parashikohen në 70.8 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 1.6 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2026. Për vitin 2027 parashikohen gjithashtu rreth 5.4 miliardë lekë investime në shëndetësi dhe mirëqenie sociale.

Dua të theksoj një element thelbësor: rritja e financimit duhet të shoqërohet me rritjen e efektivitetit të shpenzimeve.

Pyetja që duhet të na udhëheqë nuk është vetëm sa para investojmë, por çfarë rezultati prodhon ky investim për qytetarin. Çdo lek i investuar në shëndetësi duhet të përkthehet në një shërbim më të mirë, një diagnozë më të hershme, një trajtim më cilësor dhe një mbrojtje më të madhe për pacientin.

II. FORCIMI I KUJDESIT PARËSOR DHE PARANDALIMIT

Prioriteti ynë i parë është forcimi i shëndetit publik dhe i kujdesit shëndetësor parësor.

Ne duam një sistem ku qytetari të marrë më shumë shërbime pranë vendbanimit, ku mjeku i familjes të ketë një rol më të fortë në diagnostikimin, trajtimin dhe ndjekjen e pacientëve dhe ku parandalimi të jetë pjesë e përditshme e kujdesit shëndetësor.

Për vitin 2027 kemi parashikuar financimin e 7.51 milionë vizitave në kujdesin shëndetësor parësor, me një fond prej 1.6 miliardë lekësh.

Vijon programi i kontrollit mjekësor bazë për qytetarët mbi 35 vjeç, me një financim prej 876 milionë lekësh, tashmë përmes strukturave publike, pas përfundimit të kontratës së partneritetit publik-privat.

Është hequr tavani dhe e ofrojmë check up pa limit moshë, të kujdesshëm për të mbuluar moshën e tretë, rreth 100 mijë kontrolle b azë më shumë.

Vijojmë gjithashtu mbështetjen për pacientët me diabet përmes rimbursimit të fishave të glicemisë për kategoritë përfituese, me një fond prej 174 milionë lekësh, si dhe financimin e paketës së stomës për rreth 770 pacientë, me 150 milionë lekë.

Në komisionin e shëndetësisë vjet ishte dedikuar një buxhet për fëmijët diabetikë për sensorë për ta. Për arsye teknike nuk u aplikua dhe duke iu kërkuar ndjesë prindërve. që nuk u finalizua por do ta realizojmë gjatë vitit 2027.

Një komponent tjetër i rëndësishëm është parandalimi përmes vaksinimit dhe depistimit.

Për vitin 2027 parashikohet financimi i vaksinave të kalendarit kombëtar për rreth 180 mijë fëmijë dhe vaksinimi kundër gripit sezonal për rreth 300 mijë persona.

Një zhvillim i rëndësishëm është zgjerimi i vaksinimit kundër HPV-së, duke kaluar nga vaksina katërvalente në atë nëntëvalente dhe duke përfshirë edhe djemtë në program. Vaksina 9 valente e njëjtë me atë evropiane dhe ne po punojmë me ISHP për të zgjeruar numrin e përfitueshme për të evituar kancerin e qafës së mitrës.

Po kështu, parashikohet financimi i 20 mijë testeve molekulare të HPV-së, me një fond prej 60 milionë lekësh.

Por kujdesi parësor nuk mund të forcohet vetëm përmes rritjes së aktivitetit. Ai kërkon edhe infrastrukturë të përshtatshme.

Për këtë arsye, një nga angazhimet tona për periudhën 2027–2029 është rindërtimi dhe rehabilitimi i 100 qendrave shëndetësore dhe ambulancave në vend, duke i pajisur ato

me infrastrukturën dhe kushtet e nevojshme për ofrimin e shërbimeve cilësore.

Objektivi ynë është që mjeku i familjes të jetë gjithnjë e më shumë profesionisti që diagnostikon, trajton dhe ndjek pacientin, duke reduktuar referimet e panevojshme drejt spitaleve.

Kemi një përvojë shumë të mirë në Tiranë dhe një qytet tjetër që funksion vetëm më mjekë familje, e cila ofron shërbim nga 0 deri 99 vjec. Objektivi ynë është që të gjitha QSH të kenë të njëjtën qasje, për të trajtuar të gjithë familjen. Do punojmë që të ketë edhe një kategorizim në pagë mes mjekut të familjes dhe mjekut të përgjithshëm. Për të rritur cilësinë dhe për të shfryrë ngarkesën në spitale ne duhet ta reformojmë kujdesin parësor, duke nisur nga paga.

III. MBROJTJA FINANCIARE E PACIENTËVE DHE ZGJERIMI I TRAJTIMEVE MODERNE

Një nga sfidat më të rëndësishme të sistemit shëndetësor mbetet mbrojtja financiare e pacientëve dhe familjeve të tyre.

Për këtë arsye, zgjerimi i financimit publik dhe forcimi i solidaritetit në sistem janë në qendër të politikave tona.

Në vitin 2027, fondi për rimbursimin e barnave parashikohet të arrijë në 14.5 miliardë lekë, nga 13.5 miliardë lekë në vitin 2026.

Bëhet fjalë për një rritje prej 1 miliard lekësh, ose 7.4%, e orientuar drejt zgjerimit të aksesit në barna, me vëmendje të veçantë ndaj barnave onkologjike dhe trajtimeve të reja.

Viti 2026 ka patur zgjerim të LBR me 26 terapi të reja.

Skema e rimbursimit mbulon rreth 400 mijë pacientë, ndërsa lista e barnave të rimbursueshme është zgjeruar në 1,356 barna.

Vëmendje të veçantë i kemi kushtuar trajtimit të pacientëve me sëmundje tumorale, pasi kanceri mbetet një nga sfidat më të mëdha shëndetësore dhe financiare për familjet shqiptare.

Në këtë drejtim, viti 2027 shënon dy zhvillime të rëndësishme, të shumëkërkuara nga ky komision ndër vite. Doja të theksoja që është bërë punë shumë e mirë nga i gjithë ekipi.

Së pari, zhvillimin e Institutit Kombëtar Onkologjik, për të cilin parashikohet një financim prej rreth 2 miliardë lekësh dhe trajtimi i rreth 6,200 pacientëve.

Synimi është krijimi i një modeli të integruar të trajtimit të pacientëve me kancer, ku diagnostikimi, trajtimi multidisiplinar, kujdesi klinik dhe kërkimi shkencor të funksionojnë në mënyrë të koordinuar.

Fokusi i Institutit Kombëtar Onkologjik (IKO) do të jetë zhvillimi dhe konsolidimi i një sistemi kombëtar onkologjik të integruar, modern dhe të standardizuar, përmes bashkëpunimit strategjik me Institutin Kombëtar të Tumoreve (INT) të Milanos. IKO synon të shërbejë si një strukturë qendrore për koordinimin dhe zhvillimin e shërbimeve onkologjike në Shqipëri, duke mbështetur harmonizimin e protokolleve dhe standardeve klinike me praktikat më të mira ndërkombëtare, forcimin e kapaciteteve diagnostikuese dhe terapeutike, zhvillimin e kërkimit shkencor dhe ngritjen e Qendrës së Provave Klinike pranë QSUT-së.

Një prioritet i rëndësishëm do të jetë gjithashtu krijimi dhe konsolidimi i Rrjetit Onkologjik Kombëtar Shqiptar, me QSUT-në si qendër referimi (hub), për të garantuar një organizim më të mirë të shërbimeve dhe akses më të barabartë të pacientëve në kujdesin onkologjik në të gjithë vendin.

Në aspektin e zhvillimit institucional dhe profesional, IKO do të ketë si fokus transferimin e njohurive dhe ekspertizës, rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe përthithjen e inovacionit në sistemin shëndetësor shqiptar.

Kjo do të realizohet përmes programeve të specializuara të formimit, shkëmbimit dhe mentorimit të profesionistëve shëndetësorë, bashkëpunimit në studime klinike, zhvillimit të diagnostikimit digjital, përdorimit të inteligjencës artificiale dhe telemjekësisë, si dhe përmirësimit të modeleve të menaxhimit dhe të përdorimit eficient të burimeve shëndetësore.

Së dyti, për herë të parë parashikohet financimi i shërbimit PET-CT pranë QSUT-së në sistemin publik, me një fond prej 250 milionë lekësh për rreth 2,500 pacientë.

Ky shërbim është veçanërisht i rëndësishëm për pacientët onkologjikë, pasi ndihmon në përcaktimin e shtrirjes së sëmundjes, vlerësimin e përgjigjes ndaj trajtimit dhe orientimin e vendimmarrjes klinike.

Projekti po zhvillohet në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, duke përfshirë përgatitjen e infrastrukturës, sigurinë radiologjike, kualifikimin e personelit dhe organizimin e shërbimit.

Synimi është që pacientët përfitues ta marrin këtë ekzaminim pa pagesë në sistemin publik, pasi të jenë përmbushur të gjitha kushtet teknike, profesionale dhe të sigurisë.

Krahas PET-CT, vijojmë të mbështesim edhe radioterapinë. Për vitin 2027 parashikohen rreth 31,530 seanca radioterapie, me një financim prej 138 milionë lekësh.
Ambicia jonë është që diagnostikimi i avancuar dhe trajtimet moderne të mos jenë privilegj, por mundësi gjithnjë e më të aksesueshme për pacientët në sistemin publik.

IV. REFORMA SPITALORE DHE AUTONOMIA FINANCIARE – QSUT SI MODEL I RI MENAXHIMI DHE QENDËR RAJONALE EKSELENCE

Një nga drejtimet më të rëndësishme të reformës për periudhën 2027–2029 është ndryshimi i mënyrës së financimit dhe menaxhimit të institucioneve spitalore.

Për vitin 2027, projektbuxheti parashikon 32.2 miliardë lekë për trajtimin e rreth 371 mijë pacientëve në 5 spitale terciare, 12 spitale rajonale dhe 23 spitale bashkiake.

Por modernizimi i sistemit spitalor nuk mund të kufizohet vetëm në rritjen e fondeve dhe përmirësimin e infrastrukturës.

Nevojitet një model i ri menaxhimi, ku spitalet të kenë më shumë përgjegjësi për burimet që administrojnë dhe për rezultatet që prodhojnë.

Në këtë kuadër, autonomia financiare e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” përfaqëson një hap të rëndësishëm.

Ajo krijon mundësi për më shumë fleksibilitet në administrimin e burimeve, planifikimin e nevojave dhe përdorimin më efikas të fondeve, gjithmonë në përputhje me kuadrin ligjor dhe mekanizmat e kontrollit financiar.

Autonomia duhet të shoqërohet me një marrëdhënie më të qartë kontraktuale ndërmjet spitaleve dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Synimi ynë është që financimi të lidhet gjithnjë e më shumë me aktivitetin real, kompleksitetin e trajtimeve, kostot, treguesit e performancës dhe cilësinë e shërbimit.

Në perspektivën afatmesme, do të vijojmë përgatitjen për zhvillimin gradual të financimit sipas modelit DRG – Grupet e Diagnozave të Ngjashme – të përshtatur me kushtet dhe kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor.

Kjo kërkon sisteme të besueshme të regjistrimit të diagnozave dhe procedurave, analizë të kostove, kapacitete profesionale dhe mekanizma të kontrollit të cilësisë.

Por reforma e QSUT-së nuk lidhet vetëm me autonominë financiare.

Angazhimi ynë është që QSUT të zhvillohet si një qendër rajonale ekselence për trajtimin e specializuar, edukimin universitar, kërkimin shkencor dhe inovacionin.

Kjo do të thotë më shumë kapacitete për trajtime komplekse, më shumë bashkëpunim me qendrat e avancuara ndërkombëtare, zhvillim të kërkimit klinik dhe transferim të njohurive, si dhe një rol më të fortë në formimin e profesionistëve të rinj.

QSUT duhet të jetë jo vetëm qendra kryesore e referimit në vend, por edhe një institucion që kontribuon në zhvillimin e mjekësisë në nivel rajonal.

Ky transformim kërkon planifikim, investime, burime njerëzore të kualifikuara dhe një model menaxhimi të orientuar drejt rezultateve.
V. ZHVILLIMI I SHËRBIMEVE TË REJA DHE RRITJA E KAPACITETEVE SPITALORE

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po punohet për disa iniciativa konkrete që synojnë modernizimin e modelit të ofrimit të kujdesit shëndetësor.

Një prej tyre është Njësia e Kirurgjisë Ditore, e cila do të mundësojë trajtimin brenda së njëjtës ditë të pacientëve që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale të përzgjedhura dhe që, sipas kritereve mjekësore, nuk kërkojnë hospitalizim të zgjatur.

Një tjetër drejtim është vlerësimi i mundësisë për zhvillimin e një salle operatore hibride, e cila do të mundësojë ndërthurjen e kirurgjisë me teknologjitë e avancuara të imazherisë dhe realizimin e ndërhyrjeve minimale invazive.

Në përgjigje të ndryshimeve demografike dhe rritjes së nevojave të popullsisë së moshuar, synojmë gjithashtu zhvillimin e Shërbimit Geriatrik, përmes krijimit të kapaciteteve të specializuara, vlerësimit multidisiplinar dhe ofrimit të kujdesit të integruar për pacientët e moshuar.

Një prioritet tjetër është zgjerimi i Shërbimeve për fëmijët me çrregullime neurozhvillimore, duke përfshirë fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit. Fokusi do të jetë te diagnostikimi dhe identifikimi i hershëm, zgjerimi i shërbimeve multidisiplinare, ndërhyrjet terapeutike, rehabilitimi dhe mbështetja e vazhdueshme për fëmijët dhe familjet e tyre.

Në këtë kuadër, synojmë edhe garantimin e aksesit në shërbimin stomatologjik për fëmijët me nevoja të veçanta, përfshirë mundësinë e trajtimit nën sedacion ose anestezi, përmes organizimit të strukturave dhe kapaciteteve të specializuara.

Në fushën e shërbimeve të specializuara, do të vijojmë gjithashtu punën për zhvillimin e kapaciteteve për Transplantin e Kornesë dhe forcimin e organizimit multidisiplinar për implantimin koklear, duke zgjeruar mundësitë e trajtimit për pacientët që kanë nevojë për këto ndërhyrje.

QSUT po punon që specialistët e rinj që po trajtohen të ketë kapacitetet për të kryer transplantin e kornesë.

Prioritetet e Spitalit Universitar të Traumës për vitin 2027 do të përqendrohen në modernizimin e infrastrukturës dhe të bllokut operator, fuqizimin e specialiteteve mjekësore, rritjen e kapaciteteve diagnostikuese dhe kirurgjikale, si dhe përshpejtimin e procesit të digjitalizimit të shërbimeve spitalore.

Rikonstruksioni i Spitalit Universitar të Traumës, i nisur në shtator 2025 dhe me përfundim të parashikuar në shtator 2027 dhe në përfundim do të këmi rikonstruksionin e godinave spitalore, përfshirë godinën e urgjencës, si dhe organizimin e aktivitetit kirurgjikal në dy blloqe operatore, me 12 salla në bllokun qendror dhe 4 salla në bllokun e urgjencës, duke arritur në një kapacitet total prej 16 sallash operatore.

Ky organizim do të mundësojë rritjen e numrit të ndërhyrjeve kirurgjikale, përmirësimin e menaxhimit të rasteve urgjente dhe zhvillimin paralel të aktivitetit kirurgjikal të planifikuar.

Një tjetër prioritet madhor për vitin 2027 do të jetë fuqizimi i specialiteteve, përmes përmirësimit të organizimit të shërbimeve, rritjes së kapaciteteve profesionale të stafit mjekësor dhe infermieror, si dhe përdorimit më efektiv të pajisjeve dhe teknologjive bashkëkohore.

VI. INVESTIMET 2027 – MODERNIZIMI I QSUT-SË DHE I RRJETIT SPITALOR

Projektbuxheti i vitit 2027 mbështet vijimin e investimeve në infrastrukturën spitalore dhe pajisjet mjekësore.

Ndërhyrje në infrastrukturën e QSUT:

· Në QSUT, përfundon gjatë vitit 2027 “Rikonstruksioni I shërbimit të Djegie-Plastikës”, me një vlerë totale prej rreth 580.2 milionë lekësh, nga të cilat 274.9 milionë lekë parashikohen për vitin 2027.

· Parashikohet fillimi i rikonstruksionit të godinës katërkatëshe të Shërbimit Psikiatrik, me një vlerë totale prej 185.7 milionë lekësh, nga të cilat 37.1 milionë lekë financohen në vitin 2027.

· Ndërtimin e godinës së re multifunksionale të Spitalit Rajonal Korçë, me vlerë totale të projektit 1.41 miliardë lekë, parashikohen 422.8 milionë lekë për vitin 2027.

· Në fillim të vitit 2027 përfundon “Rikonstruksioni I godinës së spitalit Gjirokastër”

· Vijojnë investimet për rikonstruksionin e spitaleve të Pogradecit, Lushnjës, Matit, Dibrës.

Për këto projekte parashikohen përkatësisht 246 milionë lekë për Pogradecin, 235.9 milionë lekë për Lushnjën, 123.8 milionë lekë për Matin, 99.6 milionë lekë për Dibrën.

Një vëmendje të veçantë I kushtojmë shëndetit të nënës dhe fëmijës, përmes investimeve në maternitetet e Tiranës, Shkodrës dhe Fierit.

· Ndërhyrje në godinat e Maternitetin nr. 1 në Tiranë ku faza II e godinës kryesore përfundon në vititn 2027 dhe ka të parashikuar 127 milionë lekë, ndërsa për fazën e tretë të rikonstruksionit të Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” (godina e gjinekologjise) janë parashikuar 55 milionë lekë,

· Për rikonstruksionin e godinës së Maternitetit e Shkodër janë parashikuar 270 milionë lekë, i cili përfundon gjatë vitit 2027

· Për rikonstruksionin e godinës së Maternitetit Fierit janë parashikuar 83.1 milionë lekë, I cili përfundon brenda vitit 2027.

Në fushën e shëndetit mendor,

· Përfundon ndërtimi i dy godinave të reja të spitalit Psikiatrik Elbasan, me një financim prej 148.2 milionë lekësh.

· Menjëherë pas ndërtimit dhë vënies në funksion të dy godinave të reja të spitalit psikiatrik, do të vijojmë me fazën e dytë që është Rikonstruksion I godinës qëndrore të këtij spitali me nje vlerë totale 925 milion lekë.

Në rrjetin e urgjencës parashikohen 91.5 milionë lekë për rikonstruksionin e shërbimit të Urgjencës në Spitalin Rajonal Durrës, një projekt i shumëkërkuar që më fund realizohet me buxhetin e vitit 2027.

Pra, nuk synojmë vetëm ndërtesa të reja. Synojmë struktura funksionale, me pajisje, personel të kualifikuar dhe mundësi reale për ofrimin e shërbimeve cilësore.

VII. BURIMET NJERËZORE, RRITJA E PAGAVE DHE SIGURIA E PACIENTIT

Asnjë reformë në shëndetësi nuk mund të realizohet pa profesionistët që e bëjnë sistemin të funksionojë çdo ditë.

Mjekët, infermierët, teknikët dhe i gjithë personeli shëndetësor janë faktori më i rëndësishëm i cilësisë së kujdesit.

Për këtë arsye, një nga prioritetet tona është hartimi i një Plani Kombëtar 10-vjeçar për Burimet Njerëzore në Shëndetësi.

Që në ditën e parë të punës time, bashkë me grupin e punës jemi kujdes për një plan afatgjatë për burimet njerëzore.

Ky plan do të identifikojë nevojat për personel sipas specialiteteve, profileve profesionale dhe shpërndarjes territoriale. Ai do të shërbejë si bazë për planifikimin e specializimeve, punësimit, zhvillimit profesional dhe politikave për tërheqjen e mbajtjen e profesionistëve në sistemin publik.

Synojmë rritjen e numrit të mjekëve dhe infermierëve dhe përmirësimin e shpërndarjes së tyre, me objektiv përafrimin gradual me standardet e Bashkimit Evropian.

Në projektbuxhetin e vitit 2027 është përfshirë gjithashtu një financim shtesë prej 300 milionë lekësh për dyfishimin e pagesës së shërbimit të rojës për rreth 400 mjekë të urgjencës.

Kjo masë është një vlerësim konkret për profesionistët që përballen çdo ditë me aktivitet intensiv dhe përgjegjësi të lartë.Kjo është një kërkesë e kahershme edhe në komisionin e shëndetësisë.

Për vitin 2027 parashikohet financimi i rreth 420 mijë thirrjeve të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, me një fond prej 578 milionë lekësh.

Por krahas financimit, synojmë të përmirësojmë organizimin e urgjencës, koordinimin me shërbimet spitalore dhe kohën e përgjigjes ndaj pacientëve në gjendje kritike.
VIII. DIGJITALIZIMI DHE INTELIGJENCA ARTIFICIALE – NJË SISTEM I INTEGRUAR SHËNDETËSOR

Prioriteti tjetër strategjik është digjitalizimi i shëndetësisë.

Për vitin 2027 parashikohen 1.15 miliard lekë miliard lekë për modernizimin e infrastrukturës digjitale.

Objektivi ynë afatmesëm është krijimi gradual i një dosjeje elektronike shëndetësore për çdo qytetar, duke integruar të gjithë sistemin në një zinxhir të vetëm.

Do të vijojë zhvillimi i recetës elektronike, referimit elektronik dhe sistemeve të integruara të informacionit spitalor.

Një drejtim i ri dhe me potencial të rëndësishëm është përdorimi i inteligjencës artificiale në shëndetësi, veçanërisht në radiologji dhe diagnostikimin imazherik.

Synimi është përdorimi i këtyre teknologjive si instrument mbështetës për profesionistët, për të përmirësuar shpejtësinë dhe saktësinë e identifikimit të patologjive dhe për të ndihmuar vendimmarrjen klinike, duke ruajtur gjithmonë përgjegjësinë profesionale të mjekut.

Digjitalizimi ka gjithashtu një dimension të rëndësishëm financiar dhe menaxherial.

Ai do të krijojë mundësi më të mira për monitorimin e aktivitetit spitalor, analizën e kostove, kontrollin e përdorimit të burimeve dhe zhvillimin e financimit të lidhur me performancën.

Pa të dhëna të sakta dhe të integruara nuk mund të kemi financim të drejtë, menaxhim efikas dhe llogaridhënie të matshme.
IX. MIRËQENIA SOCIALE – MBËSHTETJE PËR FAMILJET DHE KATEGORITË NË NEVOJË

Buxheti për vitin 2027, për mbrojtjen dhe mirëqenien sociale, është një buxhet që reflekton vizionin tonë për një shoqëri më të drejtë, më solide dhe më mbështetëse për çdo qytetar, veçanërisht për ata që përballen me vështirësi ekonomike, sociale apo shëndetësore.

Nëse do të bëjmë një krahasim të buxhetit te Mbrojtjes Sociale të vitit 2014 me sot, na rezulton se kemi një rritje prej 44%.

Programi i Mbrojtjes Sociale për vitin 2027 parashikon një financim prej 31.4 miliardë lekësh, ndërsa së bashku me programin e përkujdesit social dhe mbështetjen për ish të përndjekurit politikë, fondi total arrin në 33.4 miliardë lekë. Ky është një investim i rëndësishëm në familje, individë dhe komunitete.Në qendër të këtij buxheti qëndrojnë familjet shqiptare. Ne vijojmë të mbështesim familjet dhe individët në nevojë përmes skemës së ndihmës ekonomike, me një financim prej 6.8 miliardë lekësh. Kjo mbështetje nuk është vetëm financiare. Ajo shoqërohet me programe punësimi, formimi profesional dhe riintegrimi social, me synimin që familjet të kenë mundësi reale për një jetë më të mirë dhe të qëndrueshme.

Kjo ështe dhe arsyeja që ne parashikojmë të mbështesim rreth 59 mijë familje të skemës së Ndihmës Ekonomike, pasi kemi mundësuar dhe që rreth 3.500 persona në një vit të jenë integruar nëpërmjet punësimit dhe formimit për tregun e punës.

Por jo vetëm kaq, edhe kontrollet e shtuara nga Shërbimi Social Shtetëror kanë shmangur abuzivitetin në skemën e ndihmës ekonomike. Financimi i parashikuar synon të garantojë vijimësinë e mbështetjes financiare për familjet në nevojë, paralelisht me zbatimin e politikave të riintegrimit dhe punësimit, me qëllim që familjet me anëtarë në moshë aktive pune të krijojnë gradualisht mundësi për dalje të qëndrueshme nga skema.

Një tjetër prioritet është mbështetja e familjes dhe nxitja e lindshmërisë. Për këtë arsye kemi parashikuar 2.8 miliardë lekë për programin “Bonusi i Bebes”. Që prej 1 janarit 2019, zbatohet politika e shpërblimit të lindjes, si një masë mbështetëse për familjet me fëmijë të porsalindur. Prej muajit nëntor 2023, në zbatim të ndryshimeve ligjore, përfitimi i bonusit të bebes është kufizuar për shtetasit shqiptarë që jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë për më shumë se 180 ditë, kriter i cili ka ndikuar edhe në uljen e numrit të përfituesve.

Por, krahas mbështetjes së menjëhershme për lindjen e fëmijëve, ne propozojmë një hap të ri dhe të rëndësishëm: mbështetje mujore për familjet me të ardhura të ulëta, nga 0-5 vjec, duke filluar nga korriku i vitit 2027. Kjo masë synon të ndihmojë familjet në përballimin e kostove të rritjes së fëmijëve dhe të japë një sinjal të qartë se familja mbetet në qendër të politikave tona. Për vitin 2027 parashikohet rritje e buxhetit në vlerën 500 mln lekë, në vitet në vijim do të jetë në vlerën 1,1miliardë lekë.

Po ashtu, vijojmë të mbështesim gratë e papuna me tre ose më shumë fëmijë përmes financimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Për këtë politikë janë parashikuar 870 milionë lekë për vitin 2027, 890 milionë lekë për vitin 2028 dhe 910 milionë lekë për vitin 2029, duke garantuar mbrojtje sociale dhe siguri për rreth 8,900 nëna shqiptare.

Një pjesë shumë e rëndësishme e buxhetit, rreth 19 miliardë lekë, i dedikohet personave me aftësi të kufizuara dhe kujdestarëve të tyre. Gjatë viteve të fundit kemi ndërmarrë reforma të rëndësishme, përfshirë zbatimin e modelit bio-psiko-social të vlerësimit, dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe njohjen e periudhave të kujdesit si periudha sigurimi. Këto masa nuk janë vetëm mbështetje financiare; ato përfaqësojnë respektin dhe përgjegjësinë tonë ndaj dinjitetit dhe të drejtave të çdo qytetari. Për financimin e këtij programi parashikohen të mbështeten rreth 99 mijë përfitues me aftësi të kufizuara. Në këto parashikime është përfshirë edhe efekti financiar vjetor i politikave të reja të miratuara gjatë vitit 2026 për dyfishimin e pagesave të 10,240 fëmijëve me aftësi të kufizuar, me fond shtesë 1.3 miliardë lekë dhe mbulimit të periudhave kontributive me sigurime shoqërore dhe shëndetësore të 14,657 ndihmësve personalë të personave me aftësi të kufizuara, me një fond shtesë 2.1 miliardë lekë shtesë.

Kërkesa që dua ta ndaj me ju e që dua ta adresoj është dedikimi i një personi ndihmës, kërkesë e përcjellë nga PAK gjatë takimeve me ta, të cilën duam ta vlerësojmë përgjatë vitit 2027, përmes një kredie të mundshme në muajt në vazhdim.

Numri i përfituesve parashikohet mbi bazën e miradministrimit të programit të pagesave të aftësisë së kufizuar, forcimit të mekanizmave të kontrollit dhe reduktimit të rasteve të përfitimit të padrejtë.

Paralelisht me skemat financiare, ne vijojmë investimet në shërbimet sociale. Për rrjetin e institucioneve të përkujdesit social janë parashikuar 1.4 miliardë lekë. Numri i fëmijëve rezidentë në këto institucione parashikohet të ketë një tendencë në ulje, si rezultat i vijimit të procesit të deinstitucionalizimit, i cili ka si synim kryesor forcimin e familjeve dhe zhvillimin e alternativave të përkujdesit me bazë familjen dhe komunitetin.

Po kështu, Fondi Social prej 480 mln lekë parashikon financimin e shërbimeve të përkujdesit shoqëror, të cilat ngrihen dhe zhvillohen në nivel vendor, bazuar në vlerësimin e nevojave sociale të bashkive.

Kemi ngritur 98 shërbime sociale, duke mbështetur 46,500 përfitues dhe duke punësuar rreth 857 profesionistë, të dedikuara për fëmijë, të rinjtë, familje, të moshuar, fëmijë e persona me aftësi të kufizuara, si dhe gra viktima të dhunës familjare. Me këtë buxhet garantohet cilësia dhe vazhdimësia e shërbimeve ekzistuese, dhe zhvillimin e shërbimeve të reja mbështetëse për individët më në nevojë.

Buxheti i vitit 2027 nuk është vetëm vazhdimësi e politikave ekzistuese. Ai mbështet edhe disa iniciativa të reja dhe ambicioze.
– Do të ngremë Platformën Kombëtare të Mbështetjes për Familjet Ekstremisht të Varfra, duke adresuar nevojat konkrete të 2,763 familjeve në bashkëpunim me pushtetin vendor, shoqërinë civile, komunitetet fetare dhe partnerët e zhvillimit. Kjo është një sfidë jo vetëm e MSHMS por e gjithë shoqërisë shqiptare.

– Do të ndërmarrim hapa të rinj për fëmijët dhe të rinjtë me çrregullime të spektrit autik dhe forma të tjera neurodivergjence, përmes ngritjes së Këshillit Kombëtar të Neurodivergjencës dhe hartimit të strategjisë së parë kombëtare në këtë fushë. Të dhënat e fundit tregojnë se numri i kësaj kategorie është në rritje dhe duhet të mëndojmë për ta, pasi një ditë nuk do kenë në jetë prindërit që aktualisht kujdesn për ta.

– Do të investojmë në shërbime të reja sociale dhe shëndetësore për të rinjtë me spektër të autizmit pranë Spitalit të Peqinit, dhe në Përmet, shërbimin e Geriatrisë dhe Kujdesin Paliativ pranë 4 spitaleve bashkiake Pukë, Përmet, Mallakastër, Has dhe shërbimin e Toksikologjisë pranë spitaleve Mat dhe Delvinë, si pjesë e përpjekjeve tona për të garantuar shërbime më pranë komunitetit dhe më afër nevojave të qytetarëve. Kemi vizituar me ekipin shumë prej spitaleve bashkiake që kanë eficencë të ulët të shfrytëzimit të shtratit. Ndaj kemi nisur me nje projekt të parë më këto 4 spitale bashkiake dhe për t’i

dhënë një profil të ri e për t’i bërë më eficientë për popullatën.

Ju faleminderit!