Ministry of Health and Social Welfare

Këshilli i Ministrave ka miratuar paketën prej katër aktesh nënligjore që forcojnë dhe plotësojnë sistemin e kujdesit alternativ në familje për fëmijët që, përkohësisht, nuk mund të rriten në familjen e tyre biologjike, duke vendosur në qendër interesin më të lartë, sigurinë dhe mirëqenien e fëmijës. Parashikohet ngritja e një rrjeti prej rreth 200 familjesh kujdestare profesionale, të mbështetura me pagesë mujore, si dhe mbështetje financiare të posaçme për nevojat e fëmijës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, gjatë vizitës në Qendrën Speciale për Fëmijët 4–14 vjeç, prezantoi paketën e re të akteve nënligjore, përmes së cilës përcaktohen standarde dhe procedura të unifikuara për përzgjedhjen, trajnimin, certifikimin dhe monitorimin e familjeve kujdestare profesionale, si dhe për vendosjen dhe ndjekjen e fëmijës gjatë gjithë periudhës së kujdesit alternativ.

“Ne kemi kaluar në parlament para disa kohësh ligjin për kujdesin alternativ dhe ka qenë një nga ligjet që ne kemi pasur një mbështetje shumë të madhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe besoj që është një nga ligjet që është bazë për të menduar dhe për t’u fokusuar në një vizion të qartë që çdo veprim duhet bërë në të mirën e fëmijëve. Dhe fatmirësisht dje janë miratuar edhe katër VKM-të, që është një punë shumë e madhe e bërë pas atyre katër VKM-ve dhe në të katërta VKM-të janë të përcaktuara shumë mirë nga ana ligjore se cilat janë hapat që duhen ndërmarrë që një fëmijë që e ka të pamundur të ketë kujdes prindëror ose të jetojë në familjen e tij biologjike, do të duhet që të kalojë në një familje që do t’i ofrohet ky kujdes alternativ. E para, do të jetë në fokusin tonë që të trajnohet familja, sepse një familje padyshim mund të pranojë që ta marrë, por që ta marrë fëmijën ne duhet të jemi të sigurt që ato janë të trajnuara, që fëmija ndihet mirë, në varësi edhe të individualitetit që mund të ketë një fëmijë. E dyta, ato do të kontrollohen, do të monitorohen, pra do të monitorohet si familja që është trajnuar dhe e pranon fëmijën. Padyshim do të ketë një pagesë për fëmijën, por edhe për familjen, edhe për kohën që fëmija shkon në shkollë”, sqaroi ministrja Spahiu.

Gjithashtu, duke u ndalur në rëndësinë e monitorimit dhe transparencës së sistemit të kujdesit alternativ, mimistrja Spahiu nënvizoi se do të krijohet një regjistër elektronik kombëtar, ku do të administrohen të dhënat për fëmijët që përfitojnë kujdes alternativ dhe familjet kujdestare, duke garantuar njëkohësisht ruajtjen e lidhjeve të fëmijës me familjen biologjike, kur kjo është në interesin e tij më të lartë.

Një vëmendje e posaçme i kushtohet monitorimit dhe inspektimit të familjes kujdestare dhe situatës së fëmijës, ruajtjes së lidhjeve me familjen biologjike kur kjo është në interesin më të lartë të tij, si dhe trajtimit të ankesave duke pasur si parim udhëheqës mbrojtjen e fëmijës.

Në zbatim të reformës së kujdesit shoqëror, parashikohet ngritja e një rrjeti prej rreth 200 familjesh kujdestare në të gjithë vendin, të cilat do të mund të mirëpresin në

mjedisin e tyre familjar fëmijë në risk dhe fëmijë pa kujdes prindëror që aktualisht ndodhen në institucionet e përkujdesjes shoqërore. Ketë famije do të mbështeten financiarisht përmes një pagese mujore, ndërsa për përmbushjen e nevojave të fëmijës parashikohet një përfitim shtesë prej 12,000 lekësh në muaj, si dhe 35,000 lekë në vit për shpenzime shkollore dhe nevoja të tjera të lidhura me mirërritjen dhe zhvillimin e tij.

Paketa e re është pjesë e procesit të deinstitucionalizimit dhe transformimit të shërbimeve të kujdesit shoqëror, me synimin që fëmijët pa kujdes prindëror ose në situata të vështira të kenë, sa herë që është e mundur dhe në interesin e tyre më të lartë, mundësinë të rriten në një mjedis familjar dhe jo institucional.