Ministry of Health and Social Welfare

Ministri Beqaj në Konferencën Ndërkombëtare për Sëmundjet e Zemrës:
“Ofruam 40% më tepër materiale mjekësore, përjashtuam pajisjet mjekësore të implantueshme nga TVSH-ja dhe investuam $400 000 në kardiokirurgji”

Tiranë, 08/11/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë sot (08/11/2014) në Takimin Ndërkombëtar “Sfidat e Reja në Kardiologjinë Intervencionuese, Kardiokirurgji dhe Elektroiziologji” të organizuar nga Shoqata Shqiptare e Kardiologjisë, Shoqata e Kardiologjisë Invazive Shqiptare në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ambasadën Italiane në Shqipëri.

Në takim ku ishin të pranishëm edhe Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, z. Arbian Mazniku, Rektori i Universitetit të Mjekësisë së Tiranës, Ambasadori Italian në Tiranë, z. Massimo Gaiani, Dr. Ali Rifatllari dhe Shefi i Shërbimit të Kardiologjisë pranë QSUT-së, Prof. Dr. Artan Goda, u vu theksi në rëndësinë e edukimit të mëtejshëm dhe zgjerimit të kërkimit shkencor në mjekësi.

Gjithashtu, duke folur për nismat dhe arritjet e deritanishme, ku spikat rritja me 40% e volumit të punës në Shërbimin e Hemodinamikës këtë vit në QSUT që përkon edhe me furnizimin me 40% më tepër materiale mjekësore, apo dhe përjashtimin nga TVSH-ja të pajisjeve mjekësore të implantueshme, Ministri Beqaj tha midis të tjerash se në shërbimin e kardiokirurgjisë në QSUT jemi në përfundim të  një investimi prej 400 mijë dollarësh për fuqizimin me pajisje të reja të këtij shërbimi.

“Ndërkohë,” – tha më tej ai, “përfunduam procedurat e prokurimit, në bazë të parave që akti normativ dha më shumë, për të marrë një angiograf të ri, pra për ta rinovuar angiografin prej 18 vitesh në QSUT dhe që vitin tjetër, më në fund, këtë shërbim ta nxjerrim edhe jashtë Tirane. Vitin tjetër do të krijojmë një qendër edhe në Shkodër. Ndërkohë, një pajisje shumë e mirë, që prej 3 vitesh flinte në Spitalin “Shefqet Ndroqi”,  do të vihet në punë këtë muaj, sepse plotësuam edhe reanimacionin e kardiologjisë dhe plotësuam edhe nevojat e personelit me mjekë dhe infermierë”.

Ndërsa Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, z. Arbian Mazniku theksoi, midis të tjerash në fjalën e tij, se “ky është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e kërkimit shkencor në vend, në pak fusha mund të ndihet në mënyrë kaq të prekshme afërsia midis kërkimit shkencor dhe aplikimit të tij në jetën e përditshme, se sa në fushën e mjekësisë dhe posaçërisht në fushën e kardiokirurgjisë.”

Kështu, z. Mazniku bëri thirrje për më tepër vëmendje në fushën e kërkimit shkencor në mjekësi, duke sjellë në vëmendje  faktin se Shqipëria është bërë pjesë e “2020” – një program i madh i BE-së për kërkimin shkencor në përgjithësi, si dhe Programit “Erasmus Plus”, i cili i jep mundësinë studentëve të gjitha fushave, por edhe të mjekësisë, të gjithë profesorëve dhe stafeve akademike, që të kenë mundësinë që të bëjnë shkëmbime prej 1, 3 apo 6 muajsh, në një universitet tjetër europian, brenda hapësirës së BE, me të gjitha shpenzimet e mbulura nga ky program.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në Takim.

—###—

Mirëdita!

I nderuar Shkëlqesia Juaj Ambasador (Massimo) Gaiani,

Zoti Zëvendësministër i Arsimit,

Zoti Rektor i Universitetit Mjekësor të Tiranës,

Të nderuar profesorë, shkencëtarë,

Të respektuar mysafirë që na respektoni sot në këtë konferencë,

Sigurisht, ngjarje të tilla janë shumë të rëndësishme për mbajtjen gjallë, pasurinë dhe ecjen përpara edhe të jetës shkencore që bëhet në shërbimet tona universitare. Unë do të duhet të shfrytëzoj këtë mundësi për të ndarë me ju, ato çfarë ne si qeveri kemi mundur të bëjmë, edhe pse në pamje të parë, kjo mund të vlerësohet si e kithët:

Pse në një konferencë mjekësore, një ministër, një politikan, duhet të bëjë paradën, – nëse mund ta quajmë kështu, – të asaj se çfarë është bërë?

Tani do të rendis, disa pika komplementare, – kemi pika komplementare, sepse në rradhë të parë, sëmundjet kardiovaskulare bashkë me sëmundjet tumorale, janë përcaktuar në mënyrë të qartë dhe të shkoqur në Programin e Qeverisë, si dy grup-sëmundjet, me të cilat do të merremi më shumë.

Sigurisht, kjo nuk është një shpikje. Me sa duket edhe ne i jemi bashkuar trend-it të gjithë botës, këto janë dy grup-sëmundjet me prevalencë dhe incidencë të lartë në botën e zhvilluar sot. Sëmundjet kardiovaskulare janë në vend të parë, sepse krijojnë më shumë fatalitete, shkurtojnë jetën e shëndeteshme, rrisin periudhën e invaliditetit dhe, padyshim, kanë kosto sociale, ekonomike dhe njerëzore edhe në shoqëri.

Momenti i konferencës përkon praktikisht me një vit e një muaj punë nga Qeveria dhe të paktën, që në këtë vit të parë, unë besoj se kemi mundur  të zgjerojmë kapacitetet në shërbimet tona. Dhe besoj se, ky zgjerim ka lidhje me këtë konferencë, sepse nëse ne, të paktën në qendrat tona publike, e lehtësojmë përballimin e ngarkesës së madhe të përditshme, unë besoj se i japim më shumë kohë profesionistëve, shkencëtarëve të zhvillojnë teknika të reja, padyshim në bashkëpunim, me profesorë, shkolla, universitete apo qendra kërkimore europiane apo edhe botërore.

Së pari, në shërbimin e hemodinamikës këtë vit në QSUT, kryhet një punë 40% më e madhe si volum, sepse të paktën ne kemi mundur që të furnizojmë me 40 % më shumë materiale mjekësore dhe besoj se ky është një lajm i mirë.

Së dyti, në korrik, Qeveria vendosi të përjashtojë nga tatimi mbi vlerën e shtuar të gjitha pajisjet mjekësorë të implantueshme. Ky është një lajm i mirë, në rradhë të parë për pacientët shqiptarë, sepse kostot e ndërhyrjeve dhe materialeve mjekësore që janë të implantueshme në trupin e njeriut në vijim , janë në 1/6-ën e tyre më lirë, sepse nuk kanë TVSH dhe kjo vlen për shëndetësinë publike, si edhe atë jo-publike.

Në shërbimin e kardiokirurgjisë në QSUT, ne do të përfunojmë tani një investim prej 400 mijë dollarësh, ku kemi fuqizuar me pajisje këtë sallë, këtë shërbim. Ndërkohë, përfunduam procedurat e prokurimit, në bazë të parave që akti normativ dha më shumë, për të marrë një angiograf të ri, pra për ta rinovuar angiografin prej 18 vitesh në QSUT dhe që vitin tjetër, më në fund, këtë shërbim ta nxjerrim edhe jashtë Tirane.

Vitin tjetër do të krijojmë një qendër edhe në Shkodër. Ndërkohë, një pajisje shumë e mirë, që prej 3 vitesh flinte në Spitalin “Shefqet Ndroqi”,  do të vihet në punë këtë muaj, sepse plotësuam edhe reanimacionin e kardiologjisë dhe plotësuam edhe nevojat e personelit me mjekë dhe infermierë.

Gjithashtu, unë besoj se një ngjarje e mirë e këtij viti, ka qenë hartimi i paketave të shërbimeve dhe sigurisht, pjesën kryesore në këto paketa, e kanë zënë paketat e kardiologjisë, sepse tashmë janë miratuar nga qeveria, me protokollet, me kostot; edhe angioplastika koronare, edhe angiografia koronare, pacemaker-i definitiv, si edhe bypass-i aorto-koronar, interventet valvulare, interventet kongenitale, që do të thotë: Këto ndërhyrje bëhen sot në spitalet tona publike dhe në spitalet jo publike.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm (të Kujdesit Shëndetësor – FSDKSH) ka përfunduar kontratat me pesë spitale të tilla, që do të thotë se, të paktën në QSUT, nuk do të kemi më një rradhë të gjatë pritjeje dhe kjo do të lehtësojë, qoftë punën atje, por unë besoj, do të na mundësojë që të bëjmë edhe punë më me cilësi. Me drejtuesit e shërbimit ne ramë dakort bashkarisht, që me angiografin e dytë që morëm, të mund ta marrim disa opsione shtesë, që të dalim pak edhe nga ato gjërat që bëjmë për të realizuar urgjencat.

Besoj se, një lajm shumë i mirë, është ai që është realizuar dje, – dhe për këtë unë dua të përgëzoj drejtoreshën e QSUT-së. Dje, shërbimi ynë i kardiokirurgjisë ka marrë përsipër të ndihmojë dhe të mbështesë shërbimin e kardiokirurgjisë në Qendrën Universitare Klinike të Kosovës. Pra, duke filluar nga ky muaj, çdo muaj, në bazë të kësaj marrëveshjeje, kardiokirurgët  tanë do të mund të ofrojnë këtë shërbim edhe për pacientët kosovarë në qendrën e tyre spitalore.

Dhe kjo do të thotë që, fillojmë gradualisht e zgjerojmë edhe gjeografinë dhe kthehemi edhe në një pikë referimi edhe për, le të themi për të gjithë botën e shqiptarëve.

Ndërkohë, gjatë këtij viti si Ministër, në fakt, gjithë përpjekjet që janë bërë, në kushtet e burimeve të kufizuara, një nga problemet më shqetësuese që kam konstatuar, është mungesa , ose pakësia – le të themi, – e burimeve njerëzore.

Praktikisht, kemi ende vështirësi për mjekë kardiologë në të gjithë Shqipërinë, por edhe mjekë intervencionistë të specializuar. Vërtetë ne kemi marrë përsipër për të bërë investimin dhe për të hapur qendrën në Shkodër, por jam i bindur që gjëja më e sikletshme në Shkodër, do të jetë plotësimi me burime njerëzore. Dhe unë po shfrytëzoj mundësinë e shumë njerëzve që janë këtu në sallë, shqiptarë apo të huaj, që t’ju kërkoj të na ndihmoni në hapat e parë, edhe kur vitin tjetër të ngremë e të vëmë në funksionim edhe qendrën e Shkodrës.

Besoj se me Ministrinë e Arsimit, javën e ardhshme do ta mbyllim përfundimisht procesin rregullativ dhe administrativ të hapjes së specializime të reja. Me specializimet që do të hapen këtë vit, ne kemi 18 kuota në kardiologji, 12 kuota fikse, 5 të lira dhe 1 vazhdojnë të mbajnë ca kuota të vogla, kryesisht për studentë që vijnë nga troje shqiptare.

Unë do të doja, në mbyllje, të kërkoja nga ju, që nëse është e mundur, të marrim një angazhim të përbashkët, që ndoshta brenda dy vitesh ne të kemi një qendër të dytë kardiokirurgjie në Shqipëri – po flas për kardiokirugjinë publike. Unë besoj se, eksperienca që është me kirurgjinë torakale në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, nëse bëjmë një program ambicioz, por tani, ne politikanët punojmë me mandate, 4 vjet është mandate në rastin më të mirë i një ministri, besoj se në dy vjet, mund të arrijmë të krijojmë një qendër të dytë kardiokirurgjie në spitalet tona publike.

Edhe njëherë përgëzime organizatorëve dhe punë të mbarë në këtë konferencë shumë të mirë.

Faleminderit!

—###—{:}