Ministry of Health and Social Welfare

– Projekte konkrete për nxitjen e bashkëpunimit dypalësh

– Aplikim i modeleve dhe qasjeve inovative në organizimin e kujdesit shëndetësor dhe informacionit shëndetësor

– Mbështetje për fuqizimin e burimeve njerëzore në shëndetësi

Jeruzalem, Izrael, 05/07/2016 – Me ftesë të Ministrit të Shëndetësisë së Izraelit, z. Yakov Litzman, zhvilloi një vizitë zyrtare në Izrael një delegacion i Ministrisë së Shëndetësisë, i kyesuar nga Ministri z. Ilir Beqaj. Në bisedimet ndërmjet dy ministrave u diskutua rreth intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe mes dy ministrive të shëndetësisë, në kuadër të marrëveshjes ndërshtetërore që u nënshkrua në muajin dhjetor në Jeruzalem, nga Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij izraelit Benjamin Netanyahu.

Bisedimet u fokusuan në shqyrtimin e mundësive për shkëmbimin e përvojës së Izraelit në organizimin e kujdesit shëndetësor me fokus të vecantë në parandalimin dhe kujdesin shëndetësor parësor, në ngritjen e kapaciteteve të personelit mjekësor dhe vlerësimit të aftësive të personelit shëndetësor, në eksperiencën izraelite në përdorimin dhe shfrytëzimin e informacionit individual shëndetësor.

Ministri Litzman shprehu gatishmërinë për dërgimin e mjekëve dhe specialistëve të kualifikuar izraelitë për të dhënë ndihmesën e tyre pranë sistemit shëndetësor të Shqipërisë, dhe mirëpriti ftesën e Ministrit Beqaj për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Në takim, ministri Beqaj shoqërohej edhe nga ambasadori i Shqipërisë në Izrael, z. Bardhyl Canaj.

Në vizitën e tij, kreu i shëndetësisë shqiptare vizitoi “Wolfson Medical Center” ku u njoh nga afër me arritjet dhe përvojën e shërbimit publik spitalor izraelit. Gjithashtu, ai u njoh me programin “Save a Child’s Heart” të këtij insitucioni dhe diskutoi me drejtuesit e tij për përfshirjen e Shqipërisë në këtë nismë, propozim i cili gjeti mirëkuptim të plotë.

Z. Beqaj vazhdoi më tej vizitën në Qendrën Kombëtare të Simulimit Mjekësor (MSR) pranë spitalit kombëtar më të madh publik në Izrael, “The Chaim Sheba Medical Center”, ku ndoqi nga afër demonstrimet praktike të ekipeve mjekësore në displinat e urgjencës mjekësore, shërbimit parësor, atë spitalor, të emergjencave në terren, etj. Ministri u ftua të vizitojë gjigandin e prodhimeve farmaceutike, “Teva,” ku u njoh nga afër me arritjet e kësaj kompanie, praninë e saj në Shqipëri dhe në Ballkan dhe vizitoi një nga linjat e prodhimit të tyre.

Në përfundim të vizitës, Ministri Beqaj zhvilloi një takim pune me Ambasadorin Gil Haskel, Drejtor i Përgjithshëm i agjencisë për bashkëpunimin dhe zhvillim ndërkombëtar me seli në Ministrinë e Jashtme të Izraelit, MASHAV, ku u diskutua dhe e ra dakort për miratimin e një memorandumi bashkëpunimi tre-vjeçar midis Ministrisë së Shëndetësisë shqiptare dhe MASHAV-it në çështje me interes për sistemin shëndetësor shqiptar.

—###—

 {:}