Ministry of Health and Social Welfare

Beqaj: Nga sot, më shumë autoambulanca në funksion të urgjencës së Gjirokastrës

Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj ka prezantuar projektin e ri të riorganizimit të Shërbimit të Urgjencës në ketë Qark

– Me sistemin e ri, nga 1 autoambulancë funksionale për 38 mijë banorë, arrijmë te 1 për 22 mijë, duke kaluar nga 4 në 7 autoambulanca njëherësh në gatishmëri dhe duke siguruar mbulim më të plotë dhe cilësor

-Autoambulanca edhe në pikat doganore gjatë periudhave kur ka fluks emigrantësh, ndërkohë që shërbimit i shtohen 13 infermierë, 8 shoferë dhe 1 kordinator

– Më shumë buxhet për përmirësimin e shërbimit të urgjencës, për të rritur numrin e personelit dhe investuar në infrastrukturë

Tiranë, 23/10/2016 – Më shumë autoambulanca do të jenë në shërbim të pacientëve në Qarkun e Gjirokastrës, dhe kjo, falë investimeve që do të kryhen për automjete por edhe për shtimin e personelit të urgjencës, çka do të mundësojë edhe funksionimin me kapacitet të plotë të këtij shërbimi. Garancia për mirëfunksionimin e këtij shërbimi është dhënë nga Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, gjatë prezantimit të projektit per riorganizimin e Shërbimit të Urgjencës në Gjirokastër.

Me investimet që janë realizuar dhe ato që do të vijojnë -ka pohuar ministri Beqaj- do të bëhet e mundur rritja e numrit të automjeteve, të cilat do të jenë në funksion të banorëve të zonave të ndryshme, duke filluar nga orët e para të mëngjesit e deri në mbrëmje. Po kështu, prani të autoambulancave dhe ekipeve të mjekëve do të ketë edhe në zonat e populluara apo në qendrat e punës, zonat ku qytetarët kanë banimin e përhershëm apo punën e përditshme, apo siç njihet në gjuhën teknike, “Permanent Settlement Area”. Sepse aty ku jetojnë njerëzit, pritet të merren edhe thirrjet për urgjencë, dhe po aty, duhet ti përgjigjemi me shërbim.

“Me të njëjtën flotë ne propozojmë këtë skemë të re”, u shpreh Ministri Beqaj, duke shtuar se, “do të vendosim në Memaliaj, në Poliçan, do të vendosim në Dropull, dhe praktikisht, me hartën e re që propozohet për vendndodhjen e autoambulancave, të paktën nga ora 7 e mëngjesit e deri në 10 të darkës, në mënyrë që të ketë një mbulim edhe më të mirë për t’iu përgjigjur thirrjeve. Ndërkohë që këtij shërbimi i shtohen 13 infermierë, 8 shoferë dhe 1 kordinator në Qarkun e Gjirokastrës”, ka pohuar ministri i shëndetësisë.

Me sistemin e ri, nga 1 autoambulancë funksionale për 38 mijë banorë, arrijmë te 1 për 22 mijë, duke siguruar mbulim më të plotë dhe cilësor në këtë qark. Por ndërkohë, një tjetër risi për zonën e Gjirokastrës ështe se gjatë periudhave kur pika doganore e Kakavijës ka mbigarkesë qarkullimi emigrantësh, është parashikuar të ketë një autoambulancë në dispozicion të rasteve të ndryshme të urgjencës. “Vendodhja e autoambulancave do të afrohet me një pikë ku ne kemi sot një qendër shëndetësore. Sepse s’mund të lemë personelin në autoambulancë 14 orë vetëm në makinë. Dhe padyshim, në momente piku do të kemi dhe qasje tjetër. Kur kemi radhë të mëdhaja këtu në kufi, në 3-4 momente të vitit, sigurisht do të rrimë atje,” nënvizoi ministri.

Sipas kreut të shëndetësisë, shpërndarja e autoambulancave në disa pika do të bëjë të mundur jo vetëm ofrimin e shërbimit në një kohë më të shpejtë, por edhe shkurtimin e kohës së mbërrijes në spital. Duke iu referuar edhe një sërë rasteve, ministri Beqaj u ka bërë apel qytetarëve të kërkojnë shërbimin e urgjencës, pasi në shumë raste transporti me automjete personale është problematik, duke shkaktuar dëmtime serioze tek pacientët.

Por, kreu i shëndetësisë nuk harroi të përmendë edhe një herë se i gjithë stafi që do të jetë në shërbimin e urgjencës do të jetë në funksion të shërbimit. “Nga 1 janari, minimalist shoferi do bëjë edhe barrelistin. Kush do punojë aty, madje dhe më shumë, shoferi do të dijë të ndihmojë edhe infermierin me çantën e tij. Ti vejë dhe një maskë, në qoftë se do dojë të bëjë këtë punë,” pohoi Beqaj.

Riorganizimi i Shërbimit të Urgjencës ka filluar në disa qarqe të vendit, duke ofruar kështu një shërbim më të shpejtë per pacentët.

—###—

Fjala e Ministrit Beqaj në takim:

Në fakt, takimi i sotëm, sigurisht lidhet me kujdesin shëndestësor, përpjekjet për ta përmirësuar po jo vetëm me çfarë ndodh brenda spitalit rajonal. Përmirësimi i Urgjencës Mjekësore është një nga pesë prioritetet kryesore të Programit të shëndetësisë në këtë mandat qeverisës.

Siç e shikoni dhe vetë, numri i pacientëve që kanë mbërritur në urgjencat e spitaleve të qarkut është rreth 20 mijë, por numri  atyre që kanë arritur me autoambulancë është rreth 1 mijë. Do të thotë jemi diku tek 5%. Pse?

Jam i bindur që ju e dini më mirë se unë. Sepse e prekni përditë dhe keni gjithë këto vite këtu. Po sepse besoj, se në radhë të parë, ka një perceptim të përgjithshëm të qytetarëve që është i bazuar në eksperiencën e tyre, ku që po ti biesh telefonit, urgjenca nuk vjen. Kështu që të nisemi për në spital. Dhe në qoftë se ky raport thamë është 5%, – sigurisht në Gjirokastër është më mirë, – por prapë problemet mbeten.

Ne kemi analizuar çfarë ndodh. Në qoftë se do të marrim në faktë flotën e autoambulancave që disponon gjithë rrjeti jonë spitalor, dhe po e marim fillimisht vetëm si automjete. Ne kemi rreth 200 mjete, nga të cilat rreth 180 janë aktive. 20 janë blerë para rreth 2 vjetësh, janë shpërndarë që nga janari 2015, janë rreth 18 të blera në 2012, ndërsa pjesa tjetër janë dhe më të hershme.

Me një flotë me 180 mjete, analiza jonë na tregoi që vende edhe më të mëdhaja se në në territor dhe në popullsi kishin shërbim shumë më të mirë. Sepse çfarë ndodhte? Vërtet ne kemi 180 mjete, – prej gati një viti secila prej tyre me GPS që kontrollojmë dhe lëvizshmërinë, – por njëherësh në shërbim të qytetarëve, edhe kemi këto ditë akoma vetëm 70 prej tyre. Dhe pastaj ishte lidhur 180 mjete me nja rreth 240 shoferë gjithsej. Ndërkohë, që s’është shumë e vështirë, që në qoftë se do që një ambulancë të shërbejë gjithë vitin 24/7, duhet të ketë rreth 5 shoferë. Aq janë orët e punës, aq janë turnet, po kushdo nga drejtuesit e automjeteve do të bëjë dhe 4 javë leje, po gjatë vitit një sëmundje a diçka tjetër, etj.

Dhe çfarë po fillojmë të bëjmë? Po kalojnë në disponobilitet, për ti shërbyer një herë nevojave për urgjencë, të paktën nga mëngjesi deri në darkë rreth 135 automjete njëherësh. Po e marr në rang vendi. Me atë flotë, por duke u dhënë Drejtorive të Spitaleve më shumë mjete financiare për të patur të punësuar më shumë drejues automjeti, më shumë infermierë, padyshim pastaj, material për konsum, siç ka çdo automjet karburant, vajëra, goma, etj., etj.

Praktikisht si është situata dhe sot në Gjirokastër? Ne kemi një autoambulancë në spital këtu, dhe përgjithësisht, në fakt vendodhja e autoambulancave tona përputhet me hartën tonë spitalore. Një hartë që të gjithë e dimë që ka 25 vjet që nuk ka ndryshuar, ndërkohë që ka ndryshuar lëvizja e popullsisë, rrjeti rrugor. Kemi në Përmet, kemi në Këlcyrë një mjet, kemi dhe në Tepelenë.

Përgjithësisht për të bërë një vlerësim si duhet të jetë e vendosur kjo, në qoftë se marrim të gjithë hartën e vendit, ajo që vlen është ajo që në literaturën profesionale quhet “Permanent Settlement Area”. Pra, zonat ku qytetarët kanë banimin e përhershëm apo punën e përditshme. Sepse aty ku jetojnë njerëzit ti pret të kesh thirrje për urgjencë, dhe po aty, ti duhet të përgjigjesh. Por po ta marrim mënyrën se si është ky mbulim, sigurisht është skematik, ka pjesë të qarkut që mbeten ende të pambuluara.

Me të njëjtën flotë, ne propozojmë këtë skemë të re. Do të vendosim në Memaliaj, në Poliçan, do të vendosim në Dropull, dhe praktikisht, mbas këtyre kjo është harta e re që propozohet e vendndodhjes së autoambulancave, të paktën nga ora 7 e mëngjesit e deri në 10 të darkës, në mënyrë që të ketë një mbulim edhe më të mirë për t’iu përgjigjur thirrjeve.

Është moment i parë skematik, sepse do të duhet të shoqërohet me përmirësim të pajisjeve mjekësore brenda autoambulancave. Do të duhet të përmirësohet me njohuritë profesionale të atyre që do të jenë në autoambulancë.

Nga 1 janari, minimalisht, shoferi do të bëjë edhe barrelistin. Kush do të punojë aty, madje dhe më shumë, shoferi do të dijë të ndihmojë edhe infermierin me çantën e tij; ti vejë dhe një maskë, në qoftë se do dojë të bëjë këtë punë.

Kush pati nga ju mundësinë që të vinte kur inaguruam Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, aty në katin e parë, është një sallë e madhe trajnimi, sepse ajo qendër duke fillluar nga viti i ardhshëm, do të bëjë në mënyrë të organizuar të gjithë trajnimin dhe ritrajnimin e të gjithë personelit që do të shërbejë në këtë shërbim.

Mos e merrni si statistikë, do të na mësojë puna, nëse do të mund të na duhet të bëjmë edhe spostime, ama përgjithësisht, vendodhja e autoambulancave do të afrohet me një pikë ku ne kemi sot një qendër shëndetësore. Sepse, s’mund të lemë personelin në autoambulancë 14 orë vetëm në makinë. Dhe padyshim, në moment piku do të kemi dhe një qasje tjetër. Kur kemi radhë të mëdhaja këtu në kufi, në 3-4 momente të vitit, sigurisht do të rrimë atje.

Sepse kush është qëllimi? Sigurisht, që ne të sëmurët do ti sjellim nëpër spitale, por kohën e vajtjes ta shkurtojmë sa më shumë që të jetë e mundur. Në mënyrë që aty ku ka rrjet të asfaltuar, në zona me një denduri normale popullsie, ne të arrijmë për 15 minuta.

Është e sigurtë që do të duhen disa vite që njerëzit të besojnë që është më mirë të presin edhe nja 10 minuta sesa të ti hypin vetë në makinë. Ndihmojmë njerëzit në radhë të parë kështu, po ndoshta ju e ndjeni edhe vetë sesa raste mund t’ju vijnë në urgjencë të spitalit që mund të ishin trajtuar në mënyrë shumë të thjeshtë qoftë dhe me këshillim.

Në thelb çfarë po bëjmë? Po përqëndrojmë komandën duke dekoncentruar flotën në terren. Do të ketë një numër unik urgjence, dhe kur ti bihet atij numri, personi që do përgjigjet do jetë në Tiranë. Do të ketë disponibilitetin e të gjithë flotës, dhe do t’i thotë filan makine, nisu për filan adresë. Që do të thotë, – po improvizoj, – edhe nëse është thirrje brenda qarkut të Gjirokastrës, është autoambulanca e Leskovikut që vjen shumë më lehtë. Sepse, është i gjithë shërbimi kombëtar i Urgjencës Mjekësore dhe ka rëndësi nëse je qytet tjetër apo DSHP tjetër, pasi urgjenca është urgjencë, s’ka të bëjë fare me organizimin administrativ.

Që nga shtatori dhe deri tani, ne kemi filluar të bëjmë rishpërndarjen pothuajse në të gjithë qarqet. Sepse, praktikisht çfarë na ndodh? Deri më sot, raporti për autombulancat që ishin njëherësh në gatishmëri ishte 1 për 38 mijë banorë. Kalojmë në Gjirokastër në 1 në 22 mijë. Dhe 24-25 mijë është një numër i mirë për nivelet europiane. Sigurisht, po e përsëris dhe një herë që është shumë e rëndësishme, – ju e dini më mirë se unë, – duhet të jetë e pajisur siç duhet nga brenda, duhet staf, por të paktën duhet të kemi flotën që është parakusht për të pretenduar për tu përgjigjur në kohë, edhe në cilësi.

Kjo është praktikisht ajo që ndodh: kanë qenë 4 autoambulanca njëherësh në gatishmëri, tani do të jenë 7. Do të punojmë për të rritur cilësinë e personelit, gjë që nuk mbaron kurrë dhe patjetër mjetet e nevojshme financiare që spitalet të mund ti përgjigjen këtij volumi të shtuar pune ti kemi.

Kush e ka ndjekur, të paktën ne kemi 6-7 muaj që kur ka patur në media herë pas here lajme që autoambulanca u vonua 1 orë, tre çerek ore, etj., etj., të paktën ne sot edhe për nevojat tona, për të vlerësuar punën, për të matur volumin, për të gjykuar nga ku na vijnë më shumë thirrje, si duhet të spostohemi në vendqëndrime, etj., të paktën kemi provuar që kemi një sistem transparent që ai e tregon vetë përsa kohë ka qenë në përgjigje.

Nga sistemi i GPS-it i themi gjithë publikut ja si ka lëvizur, videon e gjurmueshmërisë së çdo automjeti që gjithësecili ta gjykojë vet. Që nga vendosja e GPS-it, të paktën mesa kemi analizuar ne, autoambulancat nuk nisen më shumë se sa 2 minuta nga moment i thirrjes. Ka patur raste, më para këtij sistemi edhe 4, edhe 5. Dhe kjo ka qenë një gjë që varej vetëm nga ne. dhe një gjë që varet vetëm nga ne arrijmë të reagojmë në shpejtësi.

—###—{:}