Ministry of Health and Social Welfare

Beqaj përuron Qendrën e Dhurimit Vullnetar dhe Mbledhjes së Gjakut në Tiranë:
“Vlerë e shtuar që na sjell më pranë njerëzve e dhuruesve të gjakut”

Tiranë, 13/9/2014 – Në Ditën Botërore të Ndihmës së Shpejtë, 13 Shtator, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të një Qendre të re të Dhurimit Vullnetar dhe Mbledhjes së Gjakut në qendër të kryeqytetit Tiranë, e mundësuar falë një projekti bashkëpunimi shëndetësor me Italinë. Fryt i bashkëpunimit ndërmjet Shoqatës MAGI Euregio, Albert Schweitzer Foundation, organizatës MAGI-Euregio (International Association of Medical Genetics) dhe Shoqatës së Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut “DHVGJ”, dhe me mbështetjen e Rajonit Autonom të Trentino Alto-Adige, Sudtirol, Itali, përveç se është lehtësisht e arritshme, kjo qendër do të ofrojë një sërë shërbimesh gratis për dhuruesit vullnetarë të gjakut në mënyrë që të vazhdojë në shtrirjen e praktikës së dhurimit anonim vullnetar dhe pa shpërblim të gjakut si një akt i një solidariteti human, ndërkohë që ajo pritet të vëjë gjithashtu në funksionim një Laborator të Biologjisë Molekulare (PCR), me pajisje teknike dhe infrastrukturë, të cilat, gjatë donacioneve të gjakut, do të mund të kryejnë teste të besueshme dhe të sigurta për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të rralla gjenetike të gjakut, si Talasemia, Fibroza Cistike dhe Hemokromatoza.

Në takim, ku ishin gjithashtu të pranishëm edhe Nunci Apostolik i në Shqipëri, Imzot Ramiro Moliner Inglès, Dr. Andrea Senatori, Drejtor i Cooperazione Italiana allo Sviluppo, Dr. Andrea Grata, Sekretar i Përgjithshëm i Concfooperativa Bolzano, Dr. Matteo Bertelli, President i Coop. Soc. MAGI Euregio, Dr. Sandro Michelini, dhe përfaqësues të tjerë të sistemit të kujdesit shëndetësor në Shqipëri, Ministri Beqaj tha midis të tjerash, se sot, në Ditën Botërore të Ndihmës së Shpejtë, dhe “shpeshherë në rastet e emergjencave, përveç nevojës për ndihmën e shpejtë, lind nevoja edhe për gjak, dhe sigurisht që, nuk do të kujtohemi në rastet kur ndodhin fatkeqësitë apo nevojat, por duhet të zhvillojmë një kulturë, në mënyrë që ditë-pas-dite, të mund të ndajmë nga jeta jonë, nga shpirti jonë, nga ajo çfarë Zoti na ka dhënë, edhe me të tjerët, në mënyrë që të jetë e nevojshme dhe e gatshme në ditë të vështira.”

Për kreun e shëndetësisë shqiptare një qendër e tillë, në një komunitet shumë të populluar të Tiranës, është një vlerë e shtuar, pasi ofron mundësi që, “në rradhë të parë, të zgjerojmë kontaktet me dhuruesit, të nxisim më shumë dhurues,” duke shtuar se, duke parë edhe programin kësaj qendreje dhe planeve të ardhshme të saj, “mund të japë këshillime për dhuruesit në momentin e parë, të cilët mund të shmangin situata apo patologji, nga të cilat mund të vuajnë, të cilat nuk përputhen me dhurimin e gjakut, apo pastaj, edhe planet që ka qendra për të ardhmen, për t’u marrë me analiza më të plota gjaku, për sëmundje, të vështira, të rralla, që kanë të bëjën edhe me sistem imun.”

Më tej, ministri ftoi të pranishmit për të të bashkëpunuar sa më ngushtë me institucionet e shëndetësisë, posaçërisht me QKDHGJ. “Në vazhdën e aktiviteteve të tjera që keni bërë në formën e maratonës në qyetet e tjera të Shqipërisë, ne si Ministri e Shëndetësisë, në zbatim të Programit të Qeverisë, po fillojmë të konkretizojmë angazhimet, sepse praktikisht, përsa i përket shërbimit parësor po mbyllim garën e Programit të Kontrollit Periodik 40-65 Vjeç, pasi jemi në fazën e përzgjedhjes së kontraktorit, ku mund të fillojmë që këtë vit. Po ashtu siç edhe publiku është njohur Qeveria miratoi projektligjin e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës Mjekësore, i cili do të kalojë për miratim në Kuvend, ndërkohë që Qeveria ka vendosur që vitin e ardhshëm, ky të jetë një program i veçantë buxhetor. Por gjithashtu, edhe me mbështetjen e Cooperazione-t Italian, po riaktivizojmë një financim 5 milion euro për Spialin Universitar të Traumës, një financim i cili flinte qysh nga viti 2006. Pra zgjerojmë prezencën në të gjithë territorin, jemi shumë më pranë njerëzve, përpiqemi ta spotojmë sistemin shëndetësor nga sëmundja tek shëndeti, sa më shumë drejt parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm, por padyshim, forcojmë edhe kapacitetet spitalore,” – tha ministri.

—###—

 {:}