Ministry of Health and Social Welfare

Betohen anëtarët e 10 Komisioneve Eprore të Caktimit të Aftësisë

Tiranë, 18/11/2015 – Të gjitha kërkesat e personave me aftësi të kufizuara apo invalidët e punës do të marrin një përgjigje më të shpejtë në kohë dhe të drejtë nga ana e zbatimit të ligjit. Kjo pasi, në zbatim të Vendimit të Qeverisë të disa muajve më parë, janë betuar sot (18/11/2015) 40 mjekët dhe 20 juristët që do të përbëjnë 10 Komisionet Eprore të Caktimit të Aftësisë për Punë, të cilët me profesionalizimin dhe figurën e tyre japin një garanci më të madhe për vendime sa më të drejta dhe të sakta si nga ana shkencore, ashtu dhe ajo ligjore.

Ceremonia e betimit është bërë në mjediset e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ku të pranishëm përveç, ministrit Blendi Klosi, ishin edhe ministrat Ilir Beqaj, Shkëlqim Cani dhe Ylli Manjani, titullarët e institucioneve që janë të lidhur drejtpërdrejtë me procesin e caktimit të aftësisë për punë.

Në fjalën e tij, ministri Klosi theksoi se kjo ceremoni përbën një akt solemn që kurorëzon përmirësimet ligjore e nënligjore të miratuara, të cilat atribuojnë një nivel më të lartë profesional dhe ligjor, si struktura të specializuara, garantuese të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara dhe invalidëve, por edhe mbrojtëse të sistemit nga abuzimet dhe shpërdorimet e fondeve publike. “Përbërja e komisioneve me specialistët me tituj e grada shkencore, me eksperiencë mbi 10 vite në fushën e vet, me figurë të pastër morale, tregon vëmendjen e duhur dhe vlerësimin maksimal nga ana e qeverisë shqiptare për garantimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara”, – tha ministri Klosi në fjalën e tij.

Ai bëri të ditur gjithashtu se ministria është duke punuar për realizimin e një projekti të ri të transformimit të të gjithë sistemit të vlerësimit të personave me aftësi të kufizuara në vendin tonë.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj theksoi se me këtë hap krijohet mundësia për një shërbim më të mirë për kategoritë përfituese, si dhe një lehtësim për mjekët që do jenë pjesë e komisioneve eprore.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani u shpreh se prania e juristit në këto komisione do të sjellë më shumë garanci ligjore dhe procedurale.

Për t’u dhënë fund zvarritjeve por edhe për të realizuar një proces sa më transparent dhe të shpejtë në kohë, qeveria në datën 10 qershor miratoi një vendim për shtimin e numrit të Komisioneve Eprore të Aftësisë për Punë nga 1 në 10, nga të cilat, 6 do të funksionojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore për komisionimin e Invalidëve të Punës dhe 4 të tjera pranë Shërbimit Social Shtetëror për Personat me Aftësi të Kufizuara.

Përbërja e këtyre komisioneve sipas specialiteteve dhe emrat e nominuar të anëtarëve janë miratuar me Vendimin nr. 787 të Këshillit të Ministrave, datë 22.09.2015, ndërkohë që janë parashikuar qartë të drejtat dhe detyrat e çdo anëtari, bazuar në parime që kanë të bëjnë me eliminimin e konfliktit të interesit dhe ruajtjen e konfidencialitetit dhe të dhënave personale të të gjithë individëve.

Për herë të parë në përbërje të këtyre komisioneve është përfshirë edhe figura e juristit, i cili bën të mundur sigurimin e një procesi transparent dhe efikas për procedurat ligjore.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim.

—###—

Besoj se për disa prej jush, eksperienca me komisionet mjekësore është e hershme, d.m.th., ne të paktën prej 22 vjetësh, formalisht, s’kemi më KEMP-e (Komisioni i Ekspertimit Mjeko-Punëtor – K.E.M.P.), por kemi KMCAP-e (Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë – K.M.C.A.P.). Por, ka prej jush që kanë punuar që në kohën e KEMP-eve, dhe sigurisht që ecuria në vite, nuk është se do të ndryshojë atë përditshmërinë e punës që ju bëni si pjesë e këtyre komisioneve.

Por padyshim, gjithmonë na duhet të sjellim gjëra të reja. Në radhë të parë, siç e tha edhe kolegu Manjani (z. Ylli Manjani, Ministër i Drejtësisë), është çështje e të drejtë individuale të njeriut, por në një shoqëri, e drejta individuale duhet balancuar edhe me të mirën publike. Do t’i garantojmë në këtë stad të ri më shumë, kujtdo që do të kërkojë të marrë përfitim një proçes të saktë shkencor dhe të rregullt juridik. Por, do të duhet që të ruajmë edhe të mirën publike.

Sigurisht, për shëndetësinë është barrë më vete. Ju të gjithë e dini që një përfitim, sigurisht i drejtë, lind kosto financiare për përfitime në të holla, por edhe përfitime të tjera në natyrë, në shërbime apo në barna, që dikush i takon të marrë.

Erdhëm deri këtu, sepse në fakt, ishim vënë një moment të caktuar përpara presionit pozitiv, që vendimet e KMCAP-eve eprore, do të duhet t’i çonin në gjykatë, do të duhet pra t’i jepnin të drejtën të shkonin në gjykatë, dhe do të fusnin padyshim, besoj unë, komunitetin e mjekëve, në një qerthull të panevojshëm, sepse po midis jush do të merrte gjykata, po ata që do të merrte si ekspertë për të bërë një vlerësim, ndërkohë që ju vini nga shërbimet universitare që ka Shqipëria.

Prandaj, besojmë se kjo zgjidhje e re ligjore, sjell garantimin e së drejtës së çdo njeriu në një proçes të saktë dhe ligjor, por edhe të mos krijonte një barrë të re për ju.  E di që për ju është ngarkesë, shkëputja nga shërbimi në ditën e komisionit është ngarkesë shtesë. Këtë vit kemi patur në disa nga komisionet specifike një ngarkesë edhe më të madhe sepse është bërë një rishikim i plotë i skemës.

Është moment, ndoshta, për të bërë edhe një harmonizim më të mirë midis nevojave që vijnë nga komisionet për mjekë dhe shërbimit që mjekët duhet të japin përditë, në institucionet shëndetësore ku ata punojnë. Kështu që besoj, se përveç këtij betimi, nga pikëpamja më formale e komisionit, bashkarisht me ju, dhe ju jeni ata që udhëhiqni këtë pjesë shkencërisht në Shqipëri, duhet të shohim çfarë nevojash ka për të ndryshuar protokollet, çfarë nevojash ka për të ndryshuar skemën, çfarë nevojash ka për të riparë se si funksionojnë KEMP-et në nivele rajonale, sepse, në fund të fundit, duhet që ekspertiza që është tek ju, të mos na shërbejë vetëm si një nivel i dytë ankimimi për ata që nuk e përfitojnë në nivelin e parë, por edhe të përmirësojmë atë çfarë në nivelin e dytë mund të funksionojë jo mirë në dëm të interesit të së mirës publike.

Dhe, menjëherë, unë konstatoj që me të drejtë, ju kur jeni në Ministrinë e Shëndetësisë, ankoheni që nga KEMP-et keni shumë ngarkesë për ekzaminime shtesë, por në fund të fundit, ato ekzaminime shtesë i kërkoni po ju kur jeni pastaj në komisionin, dhe këtu besoj se me kolegun Klosi (z. Blendi Klosi, Ministër i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë), por edhe me drejtoreshën e institutit (Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, znj. Vjollca Braho) kemi folur që sot, që ne po e përmirësojmë kapacitetin diagnostik në spitalet rajonale, dhe që teknikat e reja të telekomunikacionit janë shumë të thjeshta. Shumë gjëra të mund t’jua garantojmë ne në rrugë administrative, që të mos jeni ju pastaj që merrni vendimin, me një dokument, të cilin mund të keni me të drejtë një shkallë të caktuar mosbesimi.

Ju shikoni një EKG, që mund të dyshoni nëse eshtë e Ilir Beqes apo jo, por në qoftë se ne bëjmë një sistem që nga janari të këtë EKG nga Korça, të sjellë spitali rajonal i Korçës në institut, dhe ju jeni shumë më të sigurtë dhe shumë më të qetë në atë vendimmarrje që do të merrni.

Dhe praktikisht, në radhë të parë, më pak barrë i arrin qytetarit, se i lejon mundësinë që i krijohet idea se këta të sorollasin, por edhe në të dy anët ku jeni ju ata që e keni barrën, e optimizojmë dhe kemi më pak ngarkesë për ju. Sigurisht edhe unë bashkohem me urimin e kolegut Manjani.

Faleminderit!

—###—{:}