Ministry of Health and Social Welfare

Ekipi Kombëtar i Futbollit i bashkohet Nismës #ShqiperiaJoDuhanit
Ministri Beqaj: “Zbatim rigoroz i ligjit duke promovuar sportin për të rinjtë”

Durrës, 07/10/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i shoqëruar nga Zëvendësministri z. Klodian Rjepaj, Kreu i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe drejtues e punonjës të tjerë të sistemit të kujdesit shëndetësor, zhvilloi një takim sot (07/10/2014) me ekipin kombëtar të futbollit në në kuadrin e mbështetjes që përfaqësues të shoqërisë civile dhe personalitete të shquara të sportit, artit, kulturës e shkencës po japin për Nismën “Shqipëria Jo Duhanit”.

Ekipi kombëtar i futbollit është aktualisht në fazën stërvitore në vigjilje të ndeshjes së të shtunës me Danimarkën, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Evropian të Futbollit 2016 dhe Ministri Beqaj pati rastin të takohet me kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka dhe drejtues të tjerë të institucionit më të lartë të futbollit në vend, kapitenin e ekipit Lorik Canaj, trajnerin Gianni De Biasi dhe pjesëtar të tjerë të ekipit tonë përfaqësues.

“Ne besojmë se mbrojtja e shëndetit nga duhanpirja, është një nga sfidat kryesore të sistemit shëndetësor, por pa dyshim të Ministrisë së Shëndetësisë,” – tha Ministri Beqaj ndërmjet të tjerash, duke shtuar se “jemi të bindur se duhet të punojmë në shumë plane, përveç zbatimit rigoroz të ligjit bashkë me ndryshimet e reja. Është shumë e rëndësishme të promovojmë tek të rinjtë sportin.”

Të gjithë lojtarët e përfaqësues sonë të futbollit i’u bashkuan njëzëri nismës së “Shqipëria Jo duhanit”, e cila u lançua javën e parë të shtatorit nga disa organizata dhe aktorë të shoqërisë civile, mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë, me synim informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut për t’i thënë ndal duhanpirjes. Lojtarët e ekipit tonë përfaqësues u shprehën se kjo është një përpjekje që duhet ta bëjmë bashkërisht, duke përcjellë mesazhin edhe te rinia se, duhanpirja është realisht e dëmshme për shëndetin.

Prandaj sot, – tha më tej z. Beqaj, “dëshiroj të falenderoj Ekipin Kombëtar të futbollit që pranoi ftesën tonë dhe iu bashkua nismës “Shqipëria Jo Duhanit”. Me këtë rast, i bashkohemi edhe ne urimeve të gjithë shqiptarëve, për t’i uruar Ekipit Kombëtar të futbollit: “Suksese në dy ndeshjet e radhës! Faleminderit!”

Për më tepër foto nga takimi i Ministrit Beqaj me Ekipin Kombëtar të Futbollit, mund të konsultoni:

http://www.shendetesia.gov.al/al/multimedia/foto-galeri/ekipi-kombetar-i-futbollit-i-bashkohet-nismes-shqiperiajoduhanit

—###—{:}