Ministry of Health and Social Welfare

Evis Sala, ka marrë zyrtarisht detyrën e Ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prezantuar nga Kryeministri Edi Rama në një ceremoni të organizuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Profesoreshë Evis Sala ka spikatur si studente e shkëlqyer në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, dhe më tej ka vijuar studimet në Universitetin e Kembrixhit ku ka punuar si profesore e imazherisë onkologjike, si dhe ka mbrojtur doktoraturën.
Ka drejtuar prej disa vitesh Departamentin e Imazherisë Diagnostike dhe Radiologjisë në Poliklinikën Universitare “Gemelli” dhe njëkohësisht ka dhënë mësim në Universitetin Katolik të “Zemrës së Shenjtë” në Romë. Profesore Sala ka marrë pjesë në grupe kërkimore shkencore me financime nga agjencitë më të njohura europiane dhe amerikane. Ka publikuar mbi 300 artikuj shkencorë, ka mbajtur mbi 500 kumtesa dhe ligjërata në forume akademike ndërkombëtare, ndërkohë që bën pjesë në bordet e disa shoqatave të mirënjohura europiane dhe jo vetëm, të radiologjisë.
Ministrja e re e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale është një personalitet i vlerësuar me çmime dhe vlerësime ndërkombëtare, duke veçuar pranimin e saj në Tokio si e para grua anëtare në historinë e të famshmes Japan Radiological.
Formimin dhe kontributin e ministres Sala në fushën e mjekësisë e vlerësoi edhe Kryeministri Rama, i cili gjatë prezantimit theksoi arritjet e saj dhe ekperiencën e vlefshme që do sjellë për sistemin shëndetësor në Shqipëri.