Ministry of Health and Social Welfare

Të nderuara zonja, të nderuar zotërinj,

Ambasadorë dhe partnerë ndërkombëtarë,

Përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile,

Sot nisim zyrtarisht fushatën globale të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave – një moment që nuk është thjesht simbolik, por një angazhim politik dhe institucional për të mbrojtur një parim themelor të demokracisë: dinjitetin dhe sigurinë e çdo gruaje dhe vajze në Shqipëri.

E them këtë jo vetëm si ministre, por edhe si mjeke. Kam parë gra që vi-nin në dhomën e ekzaminimit me frikë, me peshën e ankthit, me pyetje që nuk dinin se thuheshin dot me zë.

Kam pasur dhe kam, gjithmonë të njëjten bindje: një shoqëri që nuk i mbron gratë, nuk tradhton vetëm ato. Ajo është e kërcënuar seriozisht cdo ditë dhe dorëzon tek brezat që vijnë një të ardhme të plagosur.

Ndaj kjo fushatë globale nuk është ceremoni. Nuk është ritual vjetor. Është kujtesë dhe përgjegjësi.

Dhuna me bazë gjinore ishte ndër fenomenet e para kundër së cilës gra aktiviste të shoqërisë civile të pas viteve 90, profesioniste, gazetare, nëna, guxuan ta artikulojnë si problem madhor.

Në një kohë kur dhuna ndaj grave dukej e pavërejtur, apo gati gati ishte thjesht “hall” familjar që i kishte caktuar fati një gruaje të pafat, ishte guximi i disa grave që i hapën rrugë ndërgjegjësimit. Ato i dhanë gjuhë një dhimbjeje të heshtur, por të kudo ndodhur. Ato ndezën dritën e parë në një terr të gjatë. Pa to, nuk do të ishim këtu sot.

Për këtë, dua t’ju shpreh falënderim të sinqertë dhe me shumë përulësi te gjithave, pa harruar nënën time, një nga gratë e para që pati kurajon të aktivizonte gra, vajza e burra të gatshëm për t’ju dhënë grave atë që ju takon në shoqëri: të drejtën për të jetuar pa dhunë.

Ato nisën të veprojnë në një kohë me mendje të turbullta, ndërgjegje të gjymtuar e kur miti i “forcës së burrit” ishte normë shoqërore, kur

Shqipëria nuk kishte politika sociale, nuk kishte sisteme referimi, nuk kishte shërbimet që kemi sot.

Gjatë dekadave të fundit, pavarësisht sfidave, kemi shënuar progres jo vetëm në zhvillimin e politikave, por edhe në zbatimin e tyre. Dikur, shoqëria civile ishte jo vetëm zëri advokues, por edhe identifikuesi i vetëm i rasteve të dhunës me bazë gjinore. Sot kemi një mekanizëm të plotë referimi në të gjitha bashkitë, profesionistë të trajnuar, Policinë e Shtetit, Gjykata dhe Qendra shërbimesh që reagojnë me shpejtësi dhe efikasitet.

Ndërsa bashkërisht, kemi punuar për të adresuar dhunën në familje, sot ballafaqohemi më një realitet dhe sfidë më komplekse, e më rrezikshme: dhunën online, e lehtësuar nga teknologjia. Një dhunë pa fytyrë, pa kufij dhe pa përgjegjësi të qartë.

Platformat të cilat u krijuan për t’i shërbyer komunitetit, lirisë së fjalës, lidhjes mes njerëzve, sot janë kthyer në terrene ku shpesh lulëzojnë manipulimi, abuzimi, gjuha e urrejtjes dhe kërcënimi.

Shpejtësia dhe anonimiteti i hapësirës digjitale krijojnë sfida krejtësisht të reja. Gjuha e urrejtjes online përhapet mijëra herë përpara se një viktimë të ketë mundësinë të kërkojë ndihmë. Një imazh i publikuar pa pëlqim nuk dëmton thjesht privatësinë: shkatërron jetën, reputacionin, punën, marrëdhëniet e lirinë.

Për këtë arsye, fushata e këtij viti ka për fokus dhunën digjitale, pasi teknologjia, edhe pse është një mjet fuqizimi, shpesh është kthyer në mjet kontrolli dhe bullizimi. Dhe ne nuk mund të rrimë spektatorë.

Shqipëria po ndërmerr hapa të qartë për ta adresuar:

Së pari, po forcojmë kuadrin ligjor. Shqipëria është ndër vendet e para që adreson dhunën të lehtësuar nga teknologjia.

Projektligj i ri për parandalimin dhe mbrojtjen ndaj dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje dhe propozimet për përmirësimin respektiv të Kodit Penal, janë një bazë e mirë e kuadrit legjislativ.

Jemi të vetdijshëm se vetë ligji nuk është gjithçka. Një dokument i shkruar, sado i mirë, mbetet i pafuqishëm nëse shoqëria nuk angazhohet aktivisht. Dhe kjo është një betejë ku duhet të jemi të gjithë bashkë.

Së dyti, po forcojmë kapacitetet e institucioneve dhe strukturave të zbatimit të ligjit. Po punojmë për përcaktimin e qartë të roleve të institucioneve shtetërore për parandalimin dhe trajtimin e dhunës kibernetike. Policia e Shtetit, prokurorët, gjyqtarët, psikologët dhe punonjësit socialë do të trajnohen mbi mekanizmat modernë të hetimit dhe menaxhimit të rasteve të dhunës digjitale.

Së treti, po investojmë në edukim dhe ndërgjegjësim. Siguria digjitale duhet të bëhet pjesë e edukimit të hershëm, duke e integruar këtë temë në kurrikula shkollore, në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë të kenë aftësitë e duhura për të naviguar në botën online në mënyrë të sigurt.

Së katërti, do te garantojmë mbështetje të specializuar për viktimat e dhunës digjitale. Është thelbësore që viktimat të marrin mbështetje psikologjike, këshillim, ndihmë ligjore dhe të kenë mekanizma të thjeshtë, të sigurt dhe të aksesueshëm për të raportuar incidentet.

Së pesti, po ndërtojmë ura bashkëpunimi me platformat digjitale, kompanitë e teknologjisë dhe sektorin privat. Partneriteti me kompanitë e teknologjisë është thelbësor për politika parandaluese, përmirësim të mekanizmave të raportimit dhe reagim të shpejtë ndaj abuzimeve.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

16 Ditët e Aktivizmit nuk janë thjesht një fushatë sensibilizuese, ato janë një thirrje për transformim. Ato janë një rikujtim se dhuna me bazë gjinore, pavarësisht formës që merr, është një shkelje e të drejtave të njeriut dhe një pengesë serioze për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit.

Në këto 35 viteve, kemi mësuar që e vetmja mënyrë për të adresuar dhunën ndaj grave është të bëhen bashkë të gjitha qelizat e shoqërisë: politikbërës, bashki, mjekë, mësues, punonjës të policisë, gazetarë, aktivistë, komunitete fetare.

Ju faleminderit!