Ministry of Health and Social Welfare

Të nderuar petagogë,
Të dashur studentë,
Për mua është emocionuese prezanca sot në këtë aktivitet . Jo në të njëjtën sallë, sepse kanë kaluar 34 vjet e 4 muaj që kur jam diplomuar, por në të njëjtin universitet. Kështu që pak nostalgji është gjithmonë me mua,, kur kthehem atje ku jam diplomuar.
Ju jeni një brez studentësh të mjekësisë që keni një mundësi të artë, sepse po nisni vitin akademik. Do të diplomoheni në 2030, që është dhe koha kur ne bashkohemi me familjen e madhe europiane, Siç e dini, këto katër vitet e fundit qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka rritur kuotat e pranimit në mjekësi. Në fakt 30 e ca vite më parë ishin 150 kuota në mjekësi, pastaj gradualisht është rritur në 350 kuota katër vite më parë, dhe tashmë në mbi 500 kuota pranimi për studentët e mjekësisë. Që është një gjë vërtet e mrekullueshme. Për herë të parë ka nisur zbatimi i kontratës për shërbimin publik sipas së cilës çdo student i mjekësisë që diplomohet do të punojë për tre vite në vendin e tij, në sitemin tonë shëndetësor. Jam shumë e kënaqur që 94% e studentëve të vitit të parë e kanë firmosur këtë kontratë.
Po përmirësojmë kushtet e punës në sistemin publik në mënyrë që dhe ju të ndiheni që po trajtoheni në mënyrë dinjitoze, të keni një karrierë dhe zhvillim profesional në vendin tuaj. Po investojmë në spitale moderne, laboratorë bashkëkohorë dhe programe trajnimi-specializimi, për t’u garantuar ato standarte të larta shërbimi që i meritoni. Janë përmirësuar ndjeshëm dhe pagat e mjekëve, ku në vitin 2013 paga e mjekut specialist ishte 490 euro, dhe në 2030 synojmë që kjo pagë t’i afrohet shifrës së 2000 euro. Po rrisim bashkëpunimin dhe sinergjitë me universitete të rëndësishme të europës dhe ky numër i marrëveshjeve të bashkëpunimit do të rritet në mënyrë sinjifikative në vitet në vijim.
Dua ta mbyll këtë fjalim me dy shtylla të rëndësishme ku do të mbështetemi:
1.Krijimi dhe zgjerimi i aleancave me qendrat e ekselencës ndërkombëtare, sigurisht në bazë të specialiteteve të ndryshme do të kërkojmë më të mirën, me të cilin mund të bashkëpunojmë dhe të binjakëzohemi.
2. Integrimin me përparësi të inteligjencës artificiale në sistemin tonë shëndetësor. Dhe kjo është e rëndësishme pasi brezi juaj është rritur në kohën e inteligjencës artificiale . Kështu që e kuptoni më mirë sesa ne që jemi të një brezi të mëparshëm. Unë dua ta mbyll duke ju uruar një ditë të bukur dhe suksese. Është një rrugë e gjatë dhe e bukur. Do t’ju përshkojë adrenalina. Do të ketë momente shumë të bukura në karrierën tuaj. Dhe, ju lutem bëjeni me dashuri, sepse mjekësia është pasion. Është profesion, por në radhë të parë është pasion.

Faleminderit!