Ministry of Health and Social Welfare

Beqaj: Tjetër investim 750 milionë lekë për infrastrukturën e spitalit të Traumës

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, inspekton ecurinë e punimeve në shërbimet e fizioterapisë, farmacisë dhe shërbimit të ri të pritjes së pacientëve

– Projekte më të mira dhe më të mëdhaja e presin këtë spital në 2017

Tiranë, 27/12/2016 – Vijojnë ndërhyrjet për përmirësimin e infrastrukturës në Spitalin Universitar të Traumës. Aktualisht, janë duke u kryer punimet për rikonstruksionin e disa mjediseve në mënyrë që, në pranverën e ardhshme ky spital të ketë një Shërbim Fizioterapie, Shërbim Farmacie, si dhe një mjedis pritës më dinjitoz për pacientët.

Pas ndërhyrjeve në pjesën ku do të jetë i gjithë poli i imazherisë për pacientët e shtruar në spitalin e Traumës, në urgjencë, në sallat e operacioneve, por edhe për përmirësimin e ndjeshëm të sistemit elektrik dhe atij të aspirimit, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, inspektoi ecurinë e punimeve të projektit të ri, teksa u shpreh se janë 750 milionë lekë të tjera, që po investohen në këtë spital, duke përfshirë ndërhyrjet në infrastrukturë si dhe blerjen e disa materialeve mjekësore.

“Janë 500 milionë lekë që po investohen për këto ndërhyrje në infrastrukturë, rikonstruksion mjedisesh, të shoqëruara me 200 milionë lekë të tjera pajisje mjekësore; janë dhe 50 milionë (lekë) pajisje të tjera ndihmëse, kështu që janë 750 milionë me të cilat ne në pranverë do të kemi në këtë spital, një Fizioterapi më të mirë, më të kompletuar dhe më efiçente, një mjedis më optimal për të administruar barnat dhe materialet mjekësore, por edhe një mjedis pritës, informues, dinjitoz, qoftë për ata që vijnë si pacientë për viztat ambulatore, apo edhe për familjarët e tyre”, theksoi Ministri Beqaj.

Kreu i Shëndetësisë falënderoi mjekët dhe infermierët e këtij spitali për punën dhe rezultatet e arritura gjatë këtij viti që po lemë pas, duke shtuar se 2017-a do të shohë realizimin e projekteve shumë më të mira dhe shumë më të mëdhaja për këtë qendër të rëndësishme univeristare spitalore në vend.

“Me këtë rast, besoj se është momenti shumë i mirë për të falënderuar mjekët dhe infermierët e këtij spitali për punën voluminoze dhe rezultatet shumë të mira që kanë realizuar në vitin 2016. Kemi shumë më tepër jetë të shpëtuara, kemi shumë më tepër shërbim cilësor, kemi në këtë spital edhe tashmë protezat ortopedike që i garantojmë falas për pacientët, por padyshim gjëra shumë më të mira, shumë më të mëdhaja këtë spital e presin në vitin 2017”, deklaroi z. Beqaj.

—###—

Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z Ilir Beqaj:

Ne vazhdojmë ndërhyrjet përmirësuese në spitalin Universitar të Traumës. Janë duke u kryer punimet për rikonstruksionin e disa mjediseve këtu prapa, ku aktualisht është mjedisi, në fakt, i Shërbimit të Farmacisë. Duam që në pranverë të mund të kemi një mjedis pritës edhe qëndrimi të pacientëve gjatë kohës që ose presin për të marrë shërbim ambulator këtu, ose duan të vizitojnë familjarët e tyre të cilët janë të shtruar në spital. Duke qenë se do duhet të spostojmë Farmacinë, kemi mjedise të reja edhe për Farmacinë, sigurisht edhe me pajisjet mjekësore të nevojshme, me sistemet e ventilimit dhe aspirimit, në në mënyrë që barnat të mund ti mbajmë në kushte optimale, si dhe po zgjerojmë dhe po përshtasim që të jetë më funksionale edhe shërbimin e Fiziterapisë.

Janë 500 milionë lekë që po investohen për këto ndërhyrje në infrastrukturë, rikonstruksion mjedisesh, të shoqëruara me 200 milionë lekë të tjera pajisje mjekësore. Janë dhe 50 milionë pajisje të tjera ndihmëse, kështu që janë 750 milionë, me të cilat, ne në pranverë do të kemi në këtë spital, një Fiziterapi më të mirë, më të kompletuar dhe më eficente, një mjedis më optimal për të administruar barnat dhe materialet mjekësore, por edhe një mjedis pritës, informues, dinjitoz, qoftë për ata që vijnë si pacientë për viztat ambulantore apo edhe për familjarët e tyre.

Me këtë rast, besoj se është momenti shumë i mirë për të falënderuar mjekët dhe infermierët e këtij spitali për punën voluminoze dhe rezultatet shumë të mira që kanë realizuar në vitin 2016. Kemi shumë më tepër jetë të shpëtuara, kemi shumë më tepër shërbim cilësor, kemi në këtë spital edhe tashmë protezat ortopedike që i garantojmë falas për pacientët, por padyshim gjëra shumë më të mira, shumë më të mëdhaja këtë spital e presin në vitin 2017.

Faleminderit!

—###—{:}