Ministry of Health and Social Welfare

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, zhvilloi një bashkëbisedim me prindër të foshnjave të lindura para kohe, personelin mjekësor dhe mjekë të rinj neonatologë në SUOGJ “Koço Gliozheni”, për sfidat e prematuritetit dhe rëndësinë e kujdesit të specializuar për nënën dhe të porsalindurin.

Ministrja Spahiu theksoi se lindja e parakohshme kërkon jo vetëm ndërhyrje të specializuara mjekësore, por edhe mbështetje të vazhdueshme për prindërit, në një nga periudhat më delikate për familjen.

Duke vlerësuar profesionalizmin e ekipeve mjekësore në SUOGJ “Koço Gliozheni”, ministrja nënvizoi rëndësinë e shtrirjes graduale të standardeve të kujdesit neonatal edhe në spitalet rajonale, në mënyrë që foshnjat të marrin shërbimin e nevojshëm sa më pranë vendbanimit.

Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim kanë investimet e programit “MATHERNA”, të mbështetur përmes bashkëpunimit ndërqeveritar me Italinë. Përmes komponentëve AN IMA dhe PRISMA, programi synon modernizimin e infrastrukturës dhe pajisjeve mjekësore, si dhe forcimin e kapaciteteve profesionale në kujdesin neonatal.

Investimet përfshijnë SUOGJ “Koço Gliozheni”, maternitetet universitare dhe spitalet rajonale të Fierit, Shkodrës dhe Dibrës, me synimin për të ofruar shërbime më të specializuara pranë vendbanimit dhe për të reduktuar nevojën për transferime drejt Tiranës.

Ministrja Spahiu vuri gjithashtu në dukje rëndësinë e formimit të vazhdueshëm të mjekëve të rinj neonatologë, shkëmbimit të eksperiencave me ekipet e specializuara dhe përfshirjes së tyre në zhvillimin e shërbimit neonatal në të gjithë vendin.

Objektivi është që çdo i porsalindur, pavarësisht vendit ku vjen në jetë, të ketë akses në kujdesin e nevojshëm, në kohën e duhur dhe sipas standardeve bashkëkohore