Ministry of Health and Social Welfare

E nderuar drejtuese e seancës,

të nderuar kolegë deputetë,

të nderuar qytetarë.

Kjo është interpelanca ime e parë në detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe zhvillohet vetëm 100 orë pasi kam marrë këtë përgjegjësi. E them këtë jo për t’iu shmangur përgjegjësisë së detyrës. Përkundrazi, e them sepse që në ditët e para të kësaj detyre është e rëndësishme të vendosim një standard për mënyrën se si do të flasim për shëndetësinë: me transparencë, me përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, mbi bazën e fakteve.

Në përgjigje të kërkesës së kolegëve të opozitës për këtë interpelancë urgjente, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka qenë dhe mbetet e gatshme të japë çdo sqarim që kërkohet, sepse transparenca nuk është vetëm një detyrim. Ne duhet t’i përgjigjemi çdo kërkese që shtron opozita dhe, pa dyshim, të jemi transparentë me qytetarët.

Sot, përpara Kuvendit, dua të ndalem në çështjet që janë ngritur në kërkesën për interpelancë, por edhe t’i vendos disa prej tyre në kontekstin më të gjerë të ndryshimit që ka pësuar sistemi ynë shëndetësor.

Po e nis me tre shërbime që kanë zënë një pjesë të rëndësishme të debatit politik dhe publik: sterilizimin, hemodializën dhe kontrollin mjekësor bazë. Për ta kuptuar se ku jemi sot, duhet të kujtojmë për një moment se ku ishim dje.

Kur këto shërbime u organizuan përmes kontratave koncesionare, sistemi publik nuk dispononte të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’i ofruar vetë në standardin dhe shtrirjen që kërkohej. Mungonin pajisje, infrastrukturë, burime njerëzore dhe kapacitete teknike. Në këto kushte, koncesionet u konsideruan si një mënyrë për të adresuar një nevojë konkrete të sistemit dhe për të garantuar ofrimin e shërbimeve. Mund të kemi sot një debat politik për mënyrën se si u morën ato vendime. Dhe ky debat është legjitim.

Por, nuk mund të bëjmë sikur situata e sistemit shëndetësor të vitit 2012 është e njëjtë me situatën e vitit 2026. Nuk është. Dhe pikërisht ky ndryshim është thelbësor për

të kuptuar vendimet që po marrim sot. Po marr si shembull dializën. Le ta shohim këtë proces që nga fillimet e veta.

Në vitet 2000, hemodializa në Shqipëri ishte një shërbim shumë i kufizuar. Në Tiranë trajtoheshin shumë pak pacientë dhe deri në vitin 2004 një pjesë e pacientëve shqiptarë detyroheshin të shkonin në Maqedoni për trajtim. Viti 2005 shënoi një kthesë. Numri i pacientëve filloi të rritej me shpejtësi, ndërsa po atë vit u hap shërbimi i parë i dializës në Spitalin Rajonal të Elbasanit.

Një hap i rëndësishëm, por në kushte shumë të vështira, pasi për mungesë aparaturash pacientët trajtoheshin me katër turne, deri pas mesnate. Në vitin 2011 Shqipëria kishte arritur në 284 pacientë për milion banorë. Përsëri ishim larg shifrave të kërkuara ndërkombëtare.

Në vitin 2012 shërbimi ofrohej në disa spitale rajonale, por sistemi përballej ende me problematika teknike dhe infrastrukturore. Ishte pikërisht në korrik të atij viti që u miratua marrëveshja për trajtimin e rreth 60 pacientëve në spitalin privat Hygeia, përmes një kontrate trevjeçare me strukturat publike shëndetësore.

Një nga hapat e parë drejt bashkëpunimit shtet-privat në këtë shërbim. Presioni mbi sistemin vazhdoi të rritej. Nga rreth 743 pacientë në vitin 2013, numri arriti në 1,050 në vitin 2016, me një rritje mesatare prej afërsisht 100 pacientësh në vit. Dhe kjo nuk është një shifër e thjeshtë, sepse çdo pacient dialize ka nevojë për rreth tre seanca në javë, pra rreth 150 seanca në vit. Kapacitetet publike nuk mjaftonin dhe sektori privat mori përsipër një pjesë gjithnjë e më të madhe të kësaj barre.

Në vitin 2014, rreth 6.95 milionë euro, ose 69% e shpenzimeve vjetore për hemodializën, u paguan për institucionet jopublike. Por problemi ishte edhe më i thellë. Ishte një problem gjeografik.

Deri në vitin 2015, pacientët e Vlorës duhej të udhëtonin tre herë në javë drejt Tiranës ose Fierit. Po flasim për qytetarët dhe për një trajtim që kërkon vazhdimësi të përhershme. Deri në vitin 2016 pacientët e Vlorës duhet të udhëtonin tre herë në javë drejt Tiranës për seanca që zgjasnin rreth katër orë. Në vitin 2015 u shpall procedura për partneritetin publik-privat të hemodializës në pesë spitale rajonale: Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan, me një kontratë 10-vjeçare.

Qëllimi ishte i qartë: të ofronim shërbimin pranë pacientit.

Në qershor të vitit 2016 u hap qendra e re e hemodializës në Spitalin Rajonal të Vlorës, ndërsa gjatë të njëjtit vit u kryen 144,637 seanca hemodialize në të gjithë vendin. Njëkohësisht u forcua financimi i transplantit renal: nga tetë transplante në vitin 2015, në nëntë në vitin 2016 dhe më tej në 26 transplante në total.

E sjell këtë shembull jo për t’u rikthyer në debatin e shkuar, por për të treguar se ndërtimi i kapaciteteve publike ka rëndësi të jashtëzakonshme.

Sepse sot pyetja nuk është më vetëm: a mund ta ofrojë shteti këtë shërbim? Sot është një pyetje tjetër që duhet të na shqetësojë të gjithëve: a i kemi ndërtuar tashmë kapacitetet që shteti ta marrë këtë përgjegjësi?

Dhe përgjigjja për disa prej këtyre shërbimeve është “po”. Këtë po e shohim në praktikë.

Shërbimi i sterilizimit është që prej muajit prill nën drejtimin e OSHIS.

Administrimi shtetëror i kontrollit shëndetësor bazë ka nisur gjithashtu dhe, deri në këto momente që flasim, shërbimi vijon pa problematika të raportuara që të kenë cenuar ofrimin e tij.

Ka filluar nga data 11 shtator. Këto nuk janë thjesht ndryshime administrative. Janë prova të kapacitetit të shtetit për të marrë përsipër një përgjegjësi që më parë, për arsye objektive të kapaciteteve, ishte organizuar ndryshe. Dhe ky është një moment që duhet parë me seriozitet.

Kur një shtet ndërton kapacitetet e veta, është normale që të rishikojë edhe mënyrën se si i administron shërbimet. Prandaj vendimi që, me përfundimin e kontratës përkatëse, shteti të marrë administrimin e këtyre shërbimeve duhet parë pikërisht në këtë kontekst.

Nuk bëhet fjalë thjesht për kalimin nga një operator tek tjetri. Bëhet fjalë për faktin se sot shteti shqiptar ka ndërtuar më shumë kapacitete dhe po merr më shumë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për shërbime që janë jetike për qytetarët. Dhe këtu dua të jem shumë e qartë.

Marrja në administrim publik nuk është qëllim në vetvete. Qëllimi është që pacienti të mos e ndiejë ndryshimin si pasiguri. Pacienti duhet të vazhdojë të marrë shërbimin pa ndërprerje, me cilësi, me siguri dhe me përgjegjshmëri të qartë institucionale.

Në këtë pikë dua të ndalem edhe te OSHISH, Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore, sepse një pjesë e debatit publik është përqendruar pikërisht te krijimi dhe roli i tij. Krijimi dhe funksionimi i OSHISH-së është bërë në ushtrim të kompetencave të Këshillit të Ministrave dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare. Ndryshimi i emërtimit nga OSHIS në OSHISH nuk nënkupton krijimin e një institucioni të ri. Bëhet fjalë për një shoqëri ekzistuese, me kapital 100% shtetëror, objekti i veprimtarisë së së cilës është përshtatur për t’iu përgjigjur nevojave të reja të administrimit të shërbimeve.

Dhe kjo është një pikë që duhet të jetë e qartë. Nuk kemi transferim të kompetencave publike te një subjekt privat. Përkundrazi, kemi një instrument me kapital tërësisht shtetëror që përdoret për administrimin operacional të shërbimeve specifike. Edhe ndarja e përgjegjësive institucionale është e qartë:

· Ministria e Shëndetësisë ushtron funksionin politikëbërës, rregullimin dhe mbikëqyrjen e sektorit. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ushtron funksionin e financimit dhe kontraktimit të shërbimeve shëndetësore.

· Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore ka funksionin e saj rregullator dhe të kontrollit.

· Operatori i Blerjeve të Përqendruara realizon prokurimet e centralizuara.

· Ndërsa OSHISH ka një rol operacional në zbatim të akteve që i ngarkojnë administrimin e shërbimeve specifike.

Duhet të bëjmë dallimin ndërmjet politikëbërjes, financimit, rregullimit, prokurimit, mbikëqyrjes dhe administrimit operacional. Ky dallim është i rëndësishëm jo vetëm për të kuptuar strukturën institucionale, por edhe për të kuptuar se ku qëndron përgjegjësia për çdo proces, ku qëndron përgjegjësia ime dhe ku qëndron përgjegjësia e institucioneve që përmenda.

Të gjitha vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave janë akte publike, të botuara në Fletoren Zyrtare dhe të aksesueshme për këdo që dëshiron t’i shqyrtojë. Pra, debati për OSHISH-në duhet të bëhet mbi atë që realisht kjo strukturë ofron, mbi kompetencat që ka dhe mbi përgjegjësitë që i janë dhënë.

Jo mbi një përfytyrim që nuk përputhet me kuadrin institucional.

Në 100 orët e mia të para kam punuar pa pushim. Grupi që ka punuar me mua ka punuar deri në 16 orë në ditë. Kush do të ketë dëshirën dhe vullnetin të ketë këtë ritëm do të jetë me mua. Në një pozicion pune do të jetë një grua, një vajzë, një burrë, kushdo qoftë, nëse ka ritmin dhe përgjegjshmërinë që kërkon ajo detyrë.

Sistemi shëndetësor është një aset kombëtar dhe pjesa kryesore e këtij aseti janë burimet njerëzore. Njerëzit punëtorë do ta kenë mbështetjen time deri në minutën e fundit që do të jem në këtë detyrë.

Dua të ndalem tani te një pjesë shumë e rëndësishme, që është një nga pikat e kërkesës për interpelancë: shërbimi onkologjik, një nga çështjet më të ndjeshme. Kur flasim për kancerin, nuk mund të flasim vetëm për numrin e pacientëve që trajtojmë.

Duhet të flasim për sa pacientë arrijmë të diagnostikojmë më herët, sa shërbime arrijmë t’i çojmë pranë tyre dhe sa kapacitete ndërtojmë. Dua t’ju bëj me dije juve dhe qytetarëve se, që nga ky moment, në shërbimin e onkologjisë ka një udhëzim të detajuar për atë që duhet të ndodhë me një pacient që diagnostikohet për herë të parë dhe me një pacient që duhet të ndiqet pas kirurgjisë.

Kjo është një sfidë kombëtare.

Unë kam 32 vjet në sistem, kam 16 vjet deputete dhe 16 vjet në Komisionin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale. E di shumë mirë çfarë është bërë, çfarë ka ndodhur, çfarë ndryshimesh ka pësuar sistemi dhe çfarë duhet të bëjmë me Institutin e Onkologjisë për t’iu përgjigjur qytetarëve shqiptarë. Vetëm një gjë mbajeni mend: çdo orë e punës sime do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të pacientëve.

Për çdo ankesë të tyre, zyra ime është e hapur që nga dita ime e parë e punës, nga ora 08:00 deri në orën 20:00. Dhe nuk do të lejoj, sa të jem Ministre e Shëndetësisë, që qytetarët të dezinformohen.

Në janar fillon Instituti i Onkologjisë. Në fillim të vitit 2027, ose e sjellim PET-scan-in, ose jap dorëheqjen. Po jua them këtu.

Dua të bëj edhe një sqarim për publikun në lidhje me Institutin e Tumoreve, sepse është një çështje shumë e rëndësishme dhe shumë e ndjeshme.

Bashkëpunimi i QSUT-së me Institutin e Tumoreve të Milanos ka ndihmuar në hartimin e 38 protokolleve të unifikuara. Kjo ka një rëndësi të veçantë, sepse trajtimi modern i sëmundjeve tumorale nuk mund të mbështetet vetëm në pajisje. Kërkon protokolle, kërkon ekipe multidisiplinare dhe vendimmarrje të koordinuar. Dhe pikërisht kjo po ndërtohet gradualisht në sistemin tonë.

Në praktikë, kjo do të thotë që çdo rast onkologjik shqyrtohet nga një grup multidisiplinar, i përbërë nga onkologu, kirurgu, radioterapisti, radiologu, anatomopatologu dhe specialistë të tjerë sipas fushave përkatëse.

Kjo duhet të jetë norma. Nuk kam bërë diçka të re. Vetëm kam kërkuar që hallkat ekzistuese të lëvizin më shpejt dhe sistemi të funksionojë ashtu siç është parashikuar.

Është vendimi i ish-Ministres së Shëndetësisë që çdo gjë të funksionojë sipas bordit dhe pacienti të mos ketë asnjë vështirësi. Tani kjo duhet të funksionojë. Dhe unë kërkoj ndihmën tuaj për çdo rast që identifikoni se nuk trajtohet sipas protokollit.

Jam e hapur të përballem me çdo problem, sepse kjo është një sfidë shumë e vështirë për t’u përballuar. Dhe nëse do ta bëjmë, duhet ta bëjmë të gjithë bashkë.

Faleminderit.