Ministry of Health and Social Welfare

26 Tetor- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka vizituar pcientët e shtruar në spitalin e Krujës, pas shtimit jo të zakontë të rasteve me probleme gastrointestinale në këtë spital.
Teksa theksoi se të gjithë strukturat shëndetësore janë në gatishmëri të plotë të situatës së krijuar në qytetin e Krujës, Manastirliu tha se gjendja e pacientëve paraqitet e qetë dhe nuk ka asnjë pacient aktualisht me problematika të rënda në shëndet.
“Kam ardhur për të parë nga afër gjendjen shëndetësore të qytetarëve, të cilët kanë marrë dhe po vijojnë të marrin shërbim në spitalin e Krujës. Kam folur me mjekët për gjendjen e tyre shëndetësore. Situata paraqitet e qetë, pa komplikacione. Pra nuk kemi ndonjë qytetar që ka një gjendje të komplikuar shëndetësore. Praktikisht nga dita e dielë dhe deri më sot rreth 370 qytetarë kanë marrë shërbim. Janë paraqitur pranë spitalit të Krujës, kanë marrë shërbim e nevojshëm, janë vizituar, janë konsultuar dhe gjithashtu kanë marrë shërbime sipas protokolleve të mjekimit. Aktualisht gjatë ditës së sotme janë paraqitur rreth 60 qytetarë, të cilët ata kanë marrë shërbimin dhe janë nisur për në shtëpi pasi është vlerësuar që situata shëndetësore nuk ka qenë e rënduar. Tashmë janë dhe disa pacientë të tjerë të cilët janë duke marrë shërbim pranë shërbimit të Urgjencës dhe gjithashtu në disa pavione. Janë rreth 30 qytetarë aktualisht, janë adoleshtë edhe fëmijë gjithashtu edhe të rritur.” theksoi Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se nëse do të ketë raste të shtuara janë marr masat që në dispozicion për trajtimin e pacientëve të vendoset një pavion i caktuar në Spitalin Rajonal të Durrësit.
“Ju garantoj që i gjithë sistemi shëndetësor këtu në Bashkinë e Krujës është në gatishmëri të plotë. Ne kemi marrë masat që nëse do të ketë raste të shtuara jo vetëm ky spital, por edhe spitali i Durrësit mund të vendoset një pavion në gatishmëri. Nga ana tjetër edhe qendra shëndetësore 24 orëshe është gjithashtu në operim të plotë për t’i ardhur në ndihmë çdo qytetari”, tha Manastirliu.
E pyetur nga gazetarët për shkaqet e kësaj situate, Manastirliu tha: “Nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, Instituti i Shëndetit Publik, Operatori Kujdesit Shëndetësor dhe gjithashtu edhe ekspertët tanë janë duke investiguar në të gjitha pistat.
Të gjitha rastet që janë paraqitur janë paraqitur me gastroenterid. Janë marrë të gjitha mostrat dhe analizat laboratorike, janë marrë ato të ujit, janë marrë gjithashtu edhe të ushqimeve. Janë një seri pistash të cilat janë duke u investiguar. Ne do të kemi një rezultat përfundimtar në momentin që do të kemi dhe rezultatin e analizave mikrobiologjike. Në momentin që ne do të kemi rezultatet e analizave përfundimtarë do të kemi një raport të detajuar që do e ndajmë me ju”, tha Manastirliu.
Të gjitha grupet e ekspertëve përkatës të shëndetit publik (ISHP, ISHSH, OSHKSH,) janë në terrën, në monitorim dhe ndjekje dinamike të situatës së krijuar në Krujë, ku qëbprej shfaqjes së rasteve të para, kanë marrë shërbim ditor rreth 370 pacientë. Aktualisht 30 pacientë po marrin shërbim në urgjencë dhe pavionet e spitalit të Krujës. Sipas mjekëve, gjendja e tyre është e stabilizuar.