Ministry of Health and Social Welfare

U mblodh sot për herë të parë Këshilli Kombëtar i Barazisë Gjinore, duke sjellë në një tryezë të përbashkët përfaqësues të ministrive të linjës, institucioneve të pavarura, Avokatit të Popullit dhe shoqërisë civile.

Mbledhja shënon nisjen e një qasjeje të përbashkët për ta çuar barazinë gjinore përtej angazhimeve në dokumente dhe për ta kthyer atë në rezultate të matshme në politikat publike dhe në jetën e qytetarëve.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, theksoi se puna e Këshillit duhet të mbështetet te koordinimi, përgjegjësia e përbashkët dhe matja e rezultateve.

“Nga kjo mbledhje e parë do të dëshiroja të nisnim në mënyrë shumë të qartë një praktikë të re pune: më të koordinuar, më konkrete dhe më të orientuar drejt rezultateve. Padyshim që kjo kërkon një përgjegjësi të përbashkët. Kërkon që rezultatet të maten jo vetëm në dokumente, por në jetën reale të njerëzve”, theksoi ministrja Spahiu.

Sipas ministres, barazia gjinore nuk mund të jetë përgjegjësi e një institucioni të vetëm. Ajo kërkon që çdo sektor i qeverisjes të marrë përgjegjësinë e vet, të identifikojë pabarazitë që duhen adresuar dhe të masë ndikimin e politikave që zbaton.

Në këtë drejtim, një rëndësi të veçantë ka buxhetimi i përgjegjshëm gjinor. Ministrja Spahiu nënvizoi se financimi duhet të ndjekë prioritetet dhe nevojat reale, në mënyrë që angazhimet për barazinë gjinore të mos mbeten vetëm objektiva të shkruara, por të përkthehen në programe, shërbime dhe ndërhyrje konkrete.

“Barazia gjinore duhet të shihet edhe në mënyrën se si planifikojmë dhe përdorim burimet publike. Çdo ministri duhet të dijë se çfarë ndryshimi synon të sjellë dhe si do ta masë atë”, theksoi Spahiu.

Një tjetër fokus i mbledhjes ishte forcimi i dialogut ndërmjet institucioneve publike, institucioneve të pavarura, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ky bashkëpunim u vlerësua si i domosdoshëm për të

identifikuar më mirë problematikat, për të përdorur të dhënat në hartimin e politikave dhe për të ndjekur zbatimin e tyre.

Avokati i Popullit, Endri Shabani, u ndal te rëndësia e zbatimit efektiv të kuadrit ligjor, duke theksuar nevojën që standardet dhe garancitë e parashikuara në legjislacion të përkthehen në mbrojtje dhe të drejta të garantuara në praktikë.

Gjatë mbledhjes u diskutuan prioritetet dhe sfidat kryesore në fushën e barazisë gjinore, forcimi i mekanizmave të bashkëpunimit ndërinstitucional, përdorimi i të dhënave për hartimin e politikave dhe vendosja e një sistemi të qëndrueshëm monitorimi të rezultateve.

Këshilli Kombëtar i Barazisë Gjinore synon të shërbejë si një mekanizëm aktiv koordinimi dhe llogaridhënieje, ku institucionet jo vetëm ndajnë përgjegjësitë, por ndjekin së bashku rezultatet e politikave për barazinë gjinore.