Ministry of Health and Social Welfare

Me edukimin në vazhdim, rrisim kapacitet e burimeve njerëzore

Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Kongresin e Dytë Ballkanik të Anestezi-Reanimacionit, organizuar në Tiranë nga Shoqata Shqiptare e Anestezi-Reanimacionit në bashkëpunim me Shoqatën homologe Turke

Tiranë, 15/05/2015

—###—

Të nderuar organizatorë të këtij Kongresi,

Shkëlqesia juaj ambasador Bajraktar (z. Hidajet Barjaktar, Ambasadori i Turqisë në Tiranë),

Miq nga shumë vende të Ballkanit, Mali i Zi, Greqia, Maqedonia, Kosova, po dhe nga Italia.

Së pari, më lejoni të ndaj me ju kënaqësinë e veçantë dhe t’ju falënderoj për organizimin e këtij aktiviteti.

Besoj se janë aktivitete shumë të rëndësishme për të rritur cilësinë e kujdesit shëndetësor që ofrojmë në vendet tona. Nga eksperienca më shumë njerëzore sesa nga karriera, unë kam arritur të kuptoj që, sidomos specialiteti juaj, ka të veçantën që komunikoni me pacientin jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ne nuk arrijmë të komunikojmë me ju kur jemi nën trajtimin tuaj dhe kjo besoj e bën më të vështirë punën tuaj, jo vetëm nga ana profesionale, por edhe nga ana njerëzore. Po ashtu, për fat të keq, më shumë tuajin, me ju ndahen historitë jo të mira, sepse historitë e suksesit i marrin mjekët e tjerë.

Para 30 vjetësh, prof. Tritan Shehu i ka shpëtuar jetën babait tim. Megjithatë, dihet që atë operacion, e bëri me sukses prof. Gaçja, jo vetëm sepse prof. Gaçja ishte një emër i madh, por edhe mik i babait tim, por atëherë kështu ishte. Atë e di prof. Tritani, ndoshta dhe prof. Myzyri, që mund të ketë qenë atë ditë në sallë, ndoshta asistente e re.

Prandaj është e domosdoshme që edhe për atë që ju bëni, të ndërtojmë një model që ta ndajmë në mënyrë më pozitive dhe më të hapur edhe me publikun.

Dua t’ju falenderoj edhe për diçka tjetër, me atë që shoh sot në sallë, dhe do ta kem më të lehtë me disa drejtorë spitalesh. Praktikisht, mesa arrij të shoh unë me sy, përbërja gjinore është gjysmë për gjysmë, ndërsa shumë drejtorë spitalesh më thonë se jo, nuk dua ta marr se është grua dhe nuk është për reanimacion. Jo vetëm bashkëdrejtimi i Kongresit, por edhe pjesëmarrja këtu ma ka lehtësuar punën që t’ju them drejtorëve të spitaleve që vazhdoni zgjidhni më të mirin, pavarësisht nga gjinia.

Ne jemi të vetëdijshëm që kemi nevojë për të rritur kapacitetet në burime njerëzore në të gjitha fushat e mjekësisë. Për këtë na shërben edukimi në vazhdim, për këtë shërben dhe kjo konferencë. Besoj se për këtë shërbejnë edhe përpjekjet që po bëjmë për të plotësuar boshllëqet e trashëguara në sistemin tonë shëndetësor, që mesa duket ka dhe në vende të tjera (prof. Shehu tha me të drejtë që sistemet tona shëndetësore kanë nevojë për terapi intensive).

Ne arritëm të rihapnim programin e specializimeve afatgjatë pas një mbylljeje disa-vjecare, për t’u përpjekur që në të ardhmen e afërt të mund të plotësojmë disa boshllëqe të krijuara, sepse shpesh herë në spitalet rajonale, mungesa e një mjeku reanimator e bën praktikisht jofunksionale pjesën kirurgjikale.

Këtu u tha që edhe në këtë fushë është e nevojshme të ketë edhe investime, edhe teknologji. Ne kemi bërë disa përmirësime në këtë drejtim, sidomos në spitalin e Traumës dhe dy maternitetet. Sigurisht, do të duhet të bëjmë shumë më tepër, dhe këtu gjej rastin për të falenderuar kontributin që ka dhënë TIKA, jo vetëm në këtë konferencë, por për mbështetjen që i jep shëndetësisë shqiptare. Që nga prezenca e parë e TIKA-s deri më sot, janë më shumë se 1 milion euro që TIKA ka dhënë për shëndetësinë shqiptare në parësor, spitalor, spitalet universitare, në urgjencë, në trajnim, kualifikim, organizime konferencash.

Gjithashtu, unë dua të falenderoj shoqatën e anestezistëve shqiptarë për ndihmën dhe kontributin profesional që ka dhënë, sepse që nga koha që jam ministër kam arritur të miratoj punën shkencore të bërë nga shoqata për të përgatitur fletë-ndjekjet e anestezisë, fletë-ndjekjet e reanimacionit, fletë-mjekimin në reanimacion dhe fletën konsensuale të të sëmurit. Janë 4 instumenta shumë të nevojshëm, që sigurisht e bëjnë edhe punën tuaj, në një kuadër profesional më rregullativ, por edhe na ndihmojnë ne që në raste të veçanta të mund të jemi më transparentë, jo vetëm në mënyrën se si i administrojmë shërbimet tona, për edhe mënyrën se si financojmë, dhe sigurisht edhe me qytetarët.

Nuk dua të zgjatem më shumë, dua t’ju falenderoj për ftesën, t’ju përgëzoj për organizimin dhe padyshim t’ju uroj sukese në Kongres.

—###—

 {:}