Ministry of Health and Social Welfare

Beqaj: Rritja e numrit të turistëve, më shumë masa në Qendrat Shëndetësore në bregdet

Ministri i Shëndetësisë vizitë pune në Qendrën Shëndetësore të Shëngjinit

1 mijë vizita mjekësore në 6 javë, ndërsa vetëm javën e kaluar mbi 240 raste

Shëngjin, Lezhë, 03/08/2016 – Rritja e numrit të pushuesve dhe për pasojë edhe e pacientëve të cilët kërkojnë ndimë mjekësore pranë qendrave shëndetësore në bregdet ka kërkuar marrjen e të gjitha masave nga Ministria e Shëndetësisë, ndaj kreu i këtij institucioni ka kryer një tjetër vizitë pune pikën e Shëngjinit.

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, ka pohuar se gjatë javës në të gjitha qendrat është rritur numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore. Sipas tij, vetëm në Qendrën Shëndetësore të Shëngjinit janë paraqitur rreth 1 mijë vizita në 6 javë. “Këtu, tashmë ka një eksperiencë nga viti i kaluar, është viti i dytë që ofrojmë këtë shërbim përgjatë periudhës së verës. Këtu, praktikisht punojmë prej 6 javësh, dhe na rezulton se në këtë kohë kemi pasur 974 vizita mjekësore, ndërsa rezulton se përgjatë javës së fundit ka pasur një fluks akoma më të rritur, sepse kështu vjen edhe kurba e rritjes së numrit të pushuesve, mysafirëve dhe vizitorëve. Besoj se edhe javën e ardhshme, e deri në mes të gushtit, do të kemi një numër më të madh. Javën e kaluar kemi patur mbi 240 raste,” theksoi ministri Beqaj.

Duke falënderuar mjekët dhe infermierët, si dhe drejtuesit e Shëndetit Publik pëe punën shumë të mirë që po bëjnë për të plotësuar mbarëvajtjen e sezonit turistik edhe këtu në Shëngjin, kreu i shëndetësisë theksoi se shërbimi shëndetësor që ofrohet është i plotë, duke filluar që nga autoambulanca, barnat, materialet mjekësore e deri tek ndihma që u jepet të sëmurëve në Spitalin Rajonal të Lezhës, apo edhe më tej. “Shëngjini është një destinacion me një numër shumë të madh pushuesish, dhe ne, besoj se me këtë i vijmë në ndihmë, në radhë të parë pushuesve dhe mysafirëve, por besoj se edhe operatorët e ndryshëm turistikë kanë më shumë siguri në paketat që ofrojnë për Shëngjinin. Sepse, veç të tjerash kanë edhe garancinë e shërbimit shëndetësor mjekësor këtu 24 orë, përveç funksionimit të autoambulancës për të përcjellë raste në spitalin rajonal të Lezhës, apo për raste të veçanta drejt qendrave universitare në Tiranë,” pohoi kreu i shëndetësisë.

Ndërkohë, mjekët kanë pohuar se gastroenteritet dhe problemet nga dielli vazhdojnë të dominojnë në rastet e pacientëve që kërkojnë shërbim shëndetësor. “Në përgjithësi, rastet që drejtohen te ne, kanë natyre të larmishme, por ato që kulmojnë janë gastroenteritet, gjendjet febrile, pickimet nga insektet apo peshqit në det. Kuptohet, që ka edhe raste kardiake më të pakta në numër, po që nuk mungojnë, raste të cilat në bashkëpunim me Spitalin Rajonal të Lezhës i zgjidhim shumë mirë. Kemi raste të traumave, pak raste incidentesh për rrezikim të mbytjes në det, por kemi arritur t’i japim ndihmën e shpejtë dhe bashkëpunim me spitalin i’a kemi dalë mbanë,” u shpreh Silva Gjika, mjeke pranë QSH-së në Shëngjin.

Ndërkohë, gjatë fundjavës Drejtoria e Shëndetit Publik të Lezhës ka marrë masa duke shtuar prezencën me shërbim mjekësor për të mbuluar edhe pjesën e plazhit të Tales.

—-###—

Fjala e plotë e ministrit Beqaj:

Edhe sot në Shëngjin po kryejme një vizitë inspektuese për të parë funksionimin e shërbimit shëndetësor 24 orë në 7 ditë të javës në funksion të mbarëvajtjes së sezonit turistik. Këtu, tashmë ka një eksperiencë nga viti i kaluar, është viti i dytë që ofrojmë këtë shërbim përgjatë periudhës së verës.

Këtu, praktikisht punojmë prej 6 javësh, dhe na rezulton se në këtë kohë kemi pasur 974 vizita mjekësore, ndërsa rezulton se përgjatë javës së fundit, ka pasur një fluks akoma më të rritur, sepse keshtu vjen edhe kurba e rritjes së numrit të pushuesve, mysafirëve dhe vizitorëve. Besoj se edhe javën e ardhshme, e deri në mes të gushtit, do të kemi një numër më të madh. Javën e kaluar kemi patur 240 raste.

Unë dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të falënderuar mjekët dhe infermierët, drejtuesit e Shëndetit Publik pëë punën shumë të mirë që po bëjnë për të plotësuar mbarëvajtjen e sezonit turistik edhe këtu në Shëngjin. Shëngjini është një destinacion me një numër shumë të madh pushuesish dhe ne besoj se me këtë i vijmë në ndihmë në radhë të parë pushuesve dhe mysafirëve, por besoj se edhe operatorët e ndryshëm turistikë kanë më shumë siguri në paketat që ofrojnë për Shëngjinin. Sepse veç të tjerash, kanë edhe garancinë e shërbimit shëndetësor mjekësor këtu 24 orë, përveç funksionimit të autoambulancës për të përcjellë raste në spitalin rajonal të Lezhës, apo për raste të veçanta drejt qendrave universitare në Tiranë.

Gjithashtu, Drejtoria e Shëndetit Publik të Lezhës ka marrë masa duke shtuar prezencën me shërbim mjekësor, për të mbuluar edhe pjesën e plazhit të Tales, sidomos gjatë fundjavave.

Nga ana tjetër, në spitalin e Lezhës, në fillim të muajit tetor, pritet të nisë puna e repartit të hemodializës, dhe prej një viti, funksionon kabineti i kardiologjisë me të gjitha apararurat e nevojshme.

Dr. Silva Gjika, Qendra Shëndetësore Shëngjin:

Në përgjithësi, rastet që drejtohen te ne kanë natyrë të larmishme, por ato që kulmojnë janë gastroenteritet, gjendjet febrile, pickimet nga insektet apo peshqit në det. Kuptohet që ka edhe raste kardiake, më të pakta në numër, po që nuk mungojnë, raste të cilat në bashkëpunim me Spitalin Rajonal të Lezhës i zgjidhim shumë mirë. Kemi raste të traumave, pak raste incidentesh për rrezikim të mbytjes në det, por kemi arritur t’i japim ndihmën e shpejtë, dhe në bashkëpunim me spitalin ia kemi dalë mbanë.

—###—

 {:}