Ministry of Health and Social Welfare

Ministri Beqaj inspekton qendrën shëndetësore të Marinzës

Marinzë, Fier | 7/4/2015 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i shoqëruar nga Zëvendësministri z. Klodian Rjepaj dhe drejtues të tjerë të lartë të sistemit të kujdesit shëndetësor në vend, inspektoi mëngjesin e sotshëm (07/04/2015) qendrën shëndetësore të fshatit Marinzë në rrethin e Fierit për të ndjekur nga afër situatën e shëndetit publik të banorëve të kësaj zone pas shpërthimeve të dy puseve të administruara nga kompania “Bankers Petroleum” në zonën naftëmbajtëse të kësaj zone.

Për të rritur gatishmërinë dhe për të siguruar shërbim të vazhdueshëm të kujdesit shëndetsor në kushtet e emergjencës për banorët e kësaj zone, Ministri Beqaj u shpreh se do të vihen në dispozicion dy njësi të lëvizshme të ndihmës mjekësore, në përbërje të të cilave do të jenë një mjek, një infermier dhe një punonjës social, të cilët do të vizitojnë banorët e kësaj zone në shtëpitë e tyre.

Gjithashtu, z. Beqaj siguroi punonjësit e kësaj qendreje shëndetësore dhe banorët e Marinzës se Ministria e Shëndetësisë ka marrë gjithashtu masat për stacionimin e një autoambulance shtesë në këtë zonë deri në normalizimin e situatës. Nga dje, në qendrën shëndetësore të Marinzës ka oksimetër dhe bombul oksigjeni.

Ndërkohë, përsa i përket përmbushjes së nevojave të shtuara në këto kushte të emergjencës, kreu i shëndetësisë theksoi se janë marrë të gjitha masat për të siguruar furnizim shtesë me barna dhe materiale mjekësore për qendrën shëndetësore të këtij fshati.

Ekipi i kryesuar nga Ministri Beqaj vizitoi gjithashtu edhe Spitalin Rajonal të Fierit për të parë nga afër shkallën e gatishmërisë për pritjen e flukseve të mundshme në rritje të pacientëve.

—###—{:}