Ministry of Health and Social Welfare

Ministri Beqaj pret homologun nga Kosova, Dr. Imet Rrahmanin
Beqaj: “Thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin e nisur tashmë”
Rrahmani: “Mirënjohje për gatishmërinë dhe mbështetjen”

Tiranë, 14/01/2015 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, priti sot (14/01/2015) në një takim pune homologun nga Republika e Kosovës, Dr. Imet Rrahmanin, dhe delegacionin që e shoqëronte në vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit që prej marrjes së detyrës më 12/12/2014. Duke i uruar mirëseardhjen dhe sukese në detyrën e ngarkur rishtazi kreut të shëndetësisë së Kosovës, Ministri Beqaj rikonfirmoi vullnetin dhe gatishmërinë për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit të nisur më herët ndërmjet sektorëve të kujdesit shëndetësor të dy vendeve.

Marrëveshja e bashkëpunimit mbulon praktikisht të gjitha aspektet e kujdesit shëndetësor, me qëllim kryesor përmirësimin e kujdesit shëndetësor për qytetarët e Kosovës edhe të Shqipërisë, tha midis të tjerash z. Beqaj në takim. “Ndërkohë,” – vazhdoi më tej ai, “edhe institucionet tona shëndetësore kanë vendosur bashkëpunimin e tyre përkatës, siç janë: institucionet që rregullojnë tregun e barnave; institucionet që inspektojnë kujdesin shëndetësor; qendrat kryesore universitare; institucionet e shëndetit publik; fondet respektive (të sigurimeve shëndetësore) dhe padyshim, bashkëpunimi më i hershëm dhe më i ngushtë që ndodh midis vetë mjekëve, midis qendrave universitare, por edhe spitaleve.”

Konfirmojmë, theksoi kreu i shëndetësisë shqiptare, se bashkëpunimin do ta vazhdojmë edhe në një aspekt më të plotë, por edhe duke i mëshuar shumë edhe asaj që mund të jetë një bashkëpunim ndërkufitar. “Kështu, jemi të interesuar që boshllëqet që ne ende kemi në kujdesin shëndetësor që ne ofrojmë,” – vazhdoi më tej ai, “kryesisht në aksin Bajram Curri-Has-Kukës, të mund ta plotësojmë në një kohë sa më të shpejtë, me atë çfarë mund të përfitohet në Prizren dhe në Gjakovë, – jo vetëm për distancën shumë më të afërt gjeografike se sa me Tiranën, – por edhe për atë çfarë ofrohet më shumë atje më shumë, në krahasim me këtë pjesë të spitaleve tona.”

Ndërsa Ministri Rrahmani, shpjegoi ndërmjet të tjerash për mediat e pranishme mundësitë që kemi për ngritjen e bashkëpunimit në nivele më të larta dhe ndihmës që mund të ofrojë shteti shqiptar ose shëndetësia shqiptare për sistemin shëndetësor të Kosovës. “Natyrisht që ne kemi arritje të shumta vitet e fundit në shëndetësi,” – tha Dr. Rrahmani, duke shtuar se ndërkohë, kemi nevoja të ndryshme në fusha specifike, ku ashtu siç tha edhe ministri Beqaj, u dakorduam që grupet e ekspertëve të identifikojnë nevojat e dy sistemeve dhe të vendosen bashkëpunime korrekte. “Është imperative që të nxisim edhe bashkëpunimin ndërkufitar, me qëllim që qytetarëve tanë t’i ofrojmë shërbime shëndetësore sa më cilësore,” tha më tej ai, duke uruar që “bashkëpunimi i shoqatave të ndryshme të profesionistëve, dhe të pacientëve në nevojë, të ngrihet në nivele institucionale.”

Në vijim, fjalimet e plota të Ministrave Beqaj dhe Rrahmani në takim.

—###—

Ministri Beqaj:

Sot pata kënaqësinë që të pres për vizitë Ministrin e Shëndetësisë së Kosovës, z. Ihmet Rrahmani, bashkë me disa bashkëpunëtorë të tij të afërt. Për Dr. Rrahmanin është vizita e parë që bën jashtë Kosovës, mbaj mend edhe unë vizitën e parë jashtë Shqipërisë, si ministër e kam bërë në Kosovë. Me sa duket, ende do të vazhdojmë t’i quajmë vizitat ‘jashtë shtetit’ kur shkojmë në Tiranë dhe në Prishtinë, por kjo do të marrë kohën e vet.

Ne kemi një bashkëpunim të nisur me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës, por sot të dy ministrat konfirmuam që këtë bashkëpunim duam ta vazhdojmë, duam ta thellojmë dhe duam ta zgjerojmë.

Marrëveshja mbulon praktikisht të gjitha aspektet e kujdesit shëndetësor në të dyja vendet, me qëllim kryesor përmirësimin e kujdesit shëndetësor për qytetarët e Kosovës edhe të Shqipërisë. Ndërkohë që, edhe institucionet tona shëndetësore kanë bashkëpunimin e tyre përkatës, kështu janë:

  • Institucionet që rregullojnë tregun e barnave;
  • Institucionet që inspektojnë kujdesin shëndetësor;
  • Qendrat kryesore universitare;
  • Institucionet që merren me problemet e shëndetit publik;
  • Fondet respektive dhe padyshim bashkëpunimi më i hershëm dhe më i ngushtë që ndodh midis vetë mjekëve, midis qendrave universitare, por edhe spitalet.

Konfirmojmë që bashkëpunimin do ta vazhdojmë edhe në një aspekt më të plotë, por edhe duke i mëshuar shumë edhe asaj që mund të jetë një bashkëpunim ndërkufitar.

Praktikisht, unë si ministër shëndetësie jam shumë i interesuar që boshllëqet që ne ende kemi në kujdesin shëndetësor që ne ofrojmë, kryesisht në aksin Bajram Curri-Has-Kukës, të mund ta plotësojmë në një kohë sa më të shpejtë, me atë çfarë mund të përfitohet në Prizren dhe në Gjakovë, – jo vetëm për distancën shumë më të afërt gjeografike se sa me Tiranën, – por edhe për atë çfarë ofrohet më shumë atje më shumë, në krahasim me këtë pjesë të spitaleve tona.

Sigurisht që edhe ne jemi të gatshëm të vazhdojmë ndihmën, mbështetjen, bashkëpunimin, për nevojat që mund të kenë për kujdesin shëndetësor, shtetasit e Kosovës, por edhe plotësimin në disa nevoja, në disa shërbime që ne i kemi në një stad më të avancuar se ato që janë atje.

Ramë dakort që të vijojmë me grupe pune ekspertësh, në mënyrë që edhe në mbledhjen e afërt që do të kenë dy qeveritë, që është parashikuar që do të jetë brenda muajit mars, të mund të kemi aty propozime më konkrete, pasi të bëjmë një bilanc të bashkëpunimit, që nga mbledhja e bërë në Prizren, të bërë më Janar 2014.

Ministri Rrahmani:

Faleminderit Ministër! Përshëndetje për të gjithë!

Nuk kam mujt ndryshe, veçse vizitën e parë me e ba në Tiranë, i ngjashëm si kolegu im e ka ba për herë të parë në Kosovë. Erdhëm sot me bashkëpunëtorë, në një takim me ministrin, që rezultoi të jetë takim shumë miqësor, bile më tepër se miqësor.

U biseduan shumë çështje rreth nevojave të shëndetësisë kosovare dhe mundësisë së ngritjes së bashkëpunimit në nivele ma të larta dhe ndihmës që mund të ofrojë shteti shqiptar ose shëndetësia shqiptare për sistemin tonë shëndetësor.

Natyrisht që ne kemi arritje të shumta vitet e fundit në shëndetësi, mirëpo kemi nevoja të ndryshme në fusha specifike.

Ashtu siç tha edhe ministri (Beqaj), ne u dakorduam që grupet e ekspertëve të identifikojnë nevojat e dy sistemeve dhe të vendosen bashkëpunime korrekte.

Unë falenderoj ministrin dhe Qeverinë Shqiptare për gatishmërinë që t’i dalin në ndihmë sistemit tonë shëndetësor, qytetarëve tanë, dhe uroj që bashkëpunimi i shoqatave të ndryshme të profesionistëve, dhe të pacientëve në nevojë, të ngrihet në nivele institucionale.

Është imperative që të nxisim edhe bashkëpunimin ndërkufitar, me qëllim që qytetarëve tanë t’i ofrojmë shërbime shëndetësore sa më cilësore.

Ju faleminderit!

—###—

Përgjigjet ndaj pyetjeve të gazetarëve të pranishëm në takim:

Ministri Rrahmani:

Në ligjet ekzistuese në fuqi parashihet edhe partneriteti publik-privat (PPP – Public-Private Partnership). Janë vendos relacione të mira me shërbimet shëndetësore private edhe në Kosovë dhe ne kemi rregulluar bazën ligjore, me të cilën shërbimet shëndetësore që ofrohen në spitalet private, i ofrohen qytetarëve të Kosovës. Ne kemi mbulu deri tash harxhimet, mirëpo është një hendikep i shëndetësisë së Kosovës, që ne ende nuk e kemi të konsolidu Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

Është ky viti kritik po e quaj, viti i fundit, synojmë që ta funksionalizojmë, të fillojmë me mbledhjen e premiumeve dhe me fillimin e sigurimeve shëndetësore. Natyrisht, konsolidimi i Fondit do t’i stabilizojë këto çështje dhe sigurisht që, një nga fushat do të jetë edhe ky partneritet me shërbimet shëndetësore dhe institucionet private.

Ministri Beqaj:

Sigurisht që, ato çfarë mbledhja e Janarit 2014 e Prizrenit përcaktoi në pjesën e shëndetësisë, tashmë janë të realizuara të gjitha.

Por, siç tha edhe kolegu Rrahmani, sot ramë dakort që grupet e punës teknike të vijojnë për të arritur në plane pune më konkrete. Këtu unë dua të përfshij bashkëpunimin midis dy spitaleve universitare, specifikisht në pjesën e kardiokirurgjisë që i ka hapat e parë, por edhe për ta zgjeruar më tej.

Ne kemi miratuar ndryshime ligjore në vjeshtë, ku Fondit tonë i lejohet të paguajë kujdes shëndetësor edhe jashtë Shqipërie, në rastin konkret po punojmë të formalizojmë një marrëdhënie më transparente, për të marrë në interes të qytetarëve tanë, praktikisht të shërbimit të dializës në spitalet e Prizrenit e Gjakovës, për ata që banojnë në Bajram Curri dhe në Has.

Ndërkohë që sot, identifikuam se është e nevojshme, që bashkëpunimi të forcohet edhe midis urdhërave të profesionistëve, që do të thotë se, ne duhet të arrijmë në një të ardhme jo të largët, që çertifikata e mjekut që jepet nga Urdhri i Mjekut në Shqipëri, të njihet në Kosovë dhe anasjelltas.

—###—

Për foto të mëtejshme nga takimi mund të konsultoni:

MSHhttp://www.shendetesia.gov.al/al/multimedia/foto-galeri/ministri-beqaj-pret-homologun-nga-kosova-dr-imet-rrahmanin

Facebookhttps://www.facebook.com/media/set/?set=a.670301079747639.1073741902.453892661388483&type=1

Twitter: @BeqajIlir{:}