Ministry of Health and Social Welfare

Të dashur qytetarë,

Në këtë fillimvit, kur jemi më pranë njëri-tjetrit, dua t’ju flas nga zemra.

Familja është vendi ku fillon gjithçka: kujdesi, forca, dashuria dhe shpresa. Është themeli mbi të cilin qëndron shoqëria jonë.

Dua ta nis me një falënderim të veçantë për ata që kujdesen për familjet tona edhe kur janë larg familjeve të tyre: mjekët, infermierët, stafet e urgjencës dhe profesionistët e qendrave rezidenciale. Ju jeni aty në momentet më të vështira, kur frika është e madhe dhe shpresa e brishtë. Falë jush, askush nuk ndihet vetëm!

Gjatë vitit që sapo lamë pas, kemi punuar si një ekip për të çuar përpara sfidat tona të përbashkëta në sistemin shëndetësor, ku në qendër është pacienti, për të cilin po punojmë për protokolle europiane, kushte dinjitoze trajtimi, që askush të mos detyrohet të kërkojë ndihmë larg vendbanimit të tij.

Shëndeti nuk është vetëm një shërbim. Është siguria që një prind ndien për fëmijën e tij. Është dinjiteti i një të moshuari. Është besimi se shteti është pranë grupeve të margjinalizuara me përgjegjësi.

Sepse shëndeti nuk fillon në spital. Ai fillon në familje. Në kujdesin për njëri-tjetrin. Në solidaritet. Në bindjen se një shoqëri e fortë ndërtohet mbi familje të forta.

Me këtë besim, ju uroj një vit të ri të shëndetshëm dhe të paqtë në çdo familje shqiptare.