Ministry of Health and Social Welfare

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala dhe kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, vizituan Qendrën Multifunksionale për Personat me Aftësi të Kufizuara, një model shërbimi gjithëpërfshirës dhe dinjitoz, i ngritur përmes mekanizmit të Fondit Social, që synon fuqizimin, rehabilitimin dhe integrimin social të personave me aftësi të kufizuara në komunitet.

Gjatë vizitës, ministrja Sala vlerësoi rëndësinë e shërbimeve komunitare të integruara, të cilat mbështesin jo vetëm fëmijët me aftësi të kufizuara, por edhe familjet e tyre, përmes kujdesit të specializuar dhe ekipeve multidisiplinare.

“Angazhimi ynë është i qartë: të zhvillojmë shërbime cilësore, të aksesueshme dhe të qëndrueshme në komunitet, që i përgjigjen nevojave të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre duke përfshirë si ofrimin e kujdesit në ambientet e qendrave, ashtu edhe në banesë. ”, theksoi ministrja Sala.

Ajo nënvizoi se përmes mekanizmit të Fondit Social po ndërtohet një sistem i integruar shërbimesh dhe po forcohet partneriteti me bashkitë dhe organizatat e shoqërisë civile, me synimin që askush të mos mbetet pas.

Në Qendrën Multifunksionale në Librazhd ofrohen shërbime si fizioterapia, logopedia, terapia e zhvillimit, terapia në grup, aktivitetet psiko-sociale dhe mbështetja për familjet. Një rol të rëndësishëm ka edhe shërbimi i integruar lëvizës, i cili u vjen në ndihmë fëmijëve që nuk kanë mundësi të aksesojnë qendrën për arsye shëndetësore apo për shkak të jetesës në zona të thella rurale. Ky shërbim ofrohet nga një ekip i dedikuar i përbërë nga punonjës social, logopedist, fizioterapist dhe psikolog.

Përmes Fondit Social, deri më sot janë mbështetur 39 shërbime komunitare dhe të specializuara për personat me aftësi të kufizuara në të gjithë vendin. Këto përfshijnë 19 shërbime lëvizëse komunitare në bashki të ndryshme të vendit, 12 qendra multifunksionale për personat me aftësi të kufizuara, 6 qendra për shërbime përkujdesi në nivel qarku, si edhe shërbime të specializuara në nivel kombëtar dhe rajonal për mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara.