Ministry of Health and Social Welfare

Nënshkruhet huaja 32.1 milion euro me Bankën Botërore për Përmirësimin e Sistemit Shëndetësor

Tiranë, 24/03/2015 – Ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani ka nënshkruar sot një Marrëveshjen e huasë me Bankën Botërore. Marrëveshja siguron financimin e nevojshëm për Projektin e Përmirësimit të Sistemit Shëndetësor në Shqipëri, nëpërmjet një huaje në shumën 32.1 milion euro.

Projekti do të bashkëfinancohet gjithashtu nga Qeveria Shqiptare në vlerën 4 milionë euro, shumë e cila do të shërbejë për financimin, në masën 37%, të punimeve të rehabilitimit fizik dhe përmirësimit të infrastrukturës spitalore, si dhe kontributin në pagesat e detyrimeve tatimore të lidhura me Projektin.

Projekti i Përmirësimit të Sistemit Shëndetësor kontribuon në: (i) forcimin e administrimit dhe qeverisjes në  spitalet publike; (ii) përmirësimin e mënyrës së financimit shëndetësor; (iii) zbatimin e sistemeve të informacionit për të përmirësuar efikasitetin dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor në Shqipëri

Nëpërmjet kësaj huaje dhe kostove lokale të financuara nga Qeveria Shqiptare do të punohet për reformimin e sektorit spitalor, duke krijuar një kornize të shëndoshë ligjore dhe manaxheriale për ofrimin e shërbimeve efikase; forcimin e menaxhimit të performancës dhe planifikimit, tejkalimin e kufizimeve operacionale në ofrimin e shërbimeve, si dhe forcimin e sistemit të referimit;

Projekti ka gjithashtu synimin e përmirësimit të monitorimit  dhe menaxhimit të cilësisë së shërbimit duke ngritur një sistem gjithëpërfshirës të menaxhimit të informacionit shëndetësor (HMIS), dhe një sistem për menaxhimin e pajisjeve mjekësore dhe mirëmbajtjen e tyre;

Përmirësimi i Sistemit Shëndetësor mbështet iniciativat për të reformuar financimin shëndetësor në përgjithësi, për të përmirësuar sistemin e blerjes dhe shpërndarjes së produkteve farmaceutike dhe përdorimit të pajisjeve mjekësore, si dhe për të vlerësuar mundësitë e zgjerimit të mbulimit shëndetësor universal duke përdorur kalimin në një regjim të taksimit të përgjithshëm.

Marrëveshja e Huasë mes Qeverisë Shqiptare dhe Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (BB) është nënshkruar, për palën shqiptare nga Ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani dhe për Bankën Botërore, nga znj. Tahseen Sayed, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore për Shqipërinë

Në nënshkrimin e marrëveshjes së huasë merr pjesë edhe Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv i Zyrës për Shqipërinë, Greqinë, Italinë, Maltën, Portugalinë, San Marinon dhe Timorin Lindor në Bordin e Drejtorëve të Grupit të Bankës Botërore (IBRD, IFC, IDA, MIGA).

Huaja e akorduar nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (BB), ka termat e mëposhtëm:

  • Shuma: 32,100,000 Euro
  • Tarifa Front-end: 0.25 % e shumës së huasë
  • Tarifa e Angazhimit: 0.25% në vit mbi balancën e patërhequr të huasë
  • Maturimi: 22.5 vjet, nga të cilat 7 vjet pa pagesë principali
  • Interesi: Norma Referencë (EURIBOR 6-mujor) plus Marzhin e Pandryshueshëm  (1%)

Projekti do të zbatohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe parashikohet të përfundojë në 28 Shkurt 2021.

Sakaq, është hera e parë që buxheti i shëndetësisë në Shqipëri për vitin 2015 e kalon nivelin e 400 milionë dollarëve (amerikanë). Në krahasim me vitin 2014, rritja nominale e buxhetit të shëndetësisë është 2,3 miliardë lekë, duke përfshirë transfertën nga buxheti i shtetit, si dhe kontributet  e sigurimeve shëndetësore, që rritet në krahasim me vitin 2014 me 6%.

Buxheti i Shëndetësisë për vitin 2015 është sa 2.8% e PBB-së. Viti 2015 është viti i zbatimit të plotë 365 ditë të Programit të Kontrollit Shëndetësor Bazë Pa Pagesë, për shqiptarët rezidentë të grupmoshës 40-65 vjeç.

Ndërkohë, në investimet kapitale, përfshihen fillimi i lëvrimit të kredisë së mësipërm të Bankës Botërore për mbështetje në sektorin e shëndetësisë, fillimi i lëvrimit të kredisë prej rreth 17 milionë euro e Bankës së Këshillit të Europës për shërbimin e kirurgjisë së përgjithshme dhe spitalin e sëmundjeve të brendshme në QSUT; 5 milionë euro të kredisë së Qeverisë Italiane për Spitalin Universitar të Traumës për pajisje të reja mjekësore; 14 milionë euro të kredisë së Qeverisë Austriake për shëndetësinë elektronike (e-Health); si dhe, 2 milionë euro të kredisë së Qeverisë Austriake për fuqizimin e programit kombëtar të radioterapisë.

—###—

Fjala e Ministrit të Shëndetësisë. Ilir Beqaj në ceremoninë e organizuar për këtë rast

Të nderuar pjesëmarrës,

Mirëdita!

Faleminderit zoti Ministër!

Sigurisht që sot është një ditë e rëndësishme. Është një ditë e rëndësishme për të ardhmen e afërt të sistemit të kujdesit shëndetësor në Shqipëri, por edhe për jetën e vetë shqiptarëve. Pavarësisht se më e vështira fillon nga nesër dhe, në qoftë se znj. Sayed (znj. Tahseen Sayed, Drejtore e Bankës Botërore për Shqipërinë) tha që “pudingu i mirë duket pasi e shijon atë”, si Ministër Shëndetësie do të thoja se duket i mirë edhe të paktën pas 4 orësh se mund të japë ndonjë efekt. Projektet kanë ciklin e tyre, por ndoshta në shëndetësi duhet edhe një gjeneratë që të vlerësohen në mënyrë të plotë se sa efektive dhe efikase kanë qenë.

Kredia që miratojmë sot është pjesë e një projekti 32 (32.1) milion euro financim për Qeverinë Shqiptare nga Banka Botërore, të cilës i bashkohen edhe 4 milion euro që është angazhim i Qeverisë me kontributin e saj; pra, bëhet fjalë për një projekt 36 milion euro, i cili në fakt i bashkohet kolanës së investimeve të rëndësishme që kanë filluar të zbatohen në shëndetësi; ku po ripërmend,

  • edhe një tjetër kredi të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë para pak javësh nga Banka e Këshillit të Europës për një projekt prej 23 milion eurosh, 17 milion euro financim dhe 6 milion euro kontribut i Qeverisë Shqiptare;
  • janë 10 milion euro, 5 (pesë) dhe 5 (pesë) të Kooperacionit Italian, 5 milion euro për shërbimin parësor dhe 5 milion euro për Spitalin Universitar të Traumës;
  • janë 14 milion euro të projektit të filluar që nga shtatori i vjetshëm për Shëndetësinë Elektronike me mbështetjen e Qeverisë Austriake; si edhe,
  • një grant i Qeverisë Zviceriane prej 10 milion frangash për të mbështetur shërbimin shëndetësor nën sloganin “Shëndet për të gjithë”.

Pra, kemi filluar një portofol të rëndësishëm investimesh, të cilën, ne në Ministrinë e Shëndetësisë, kemi detyrën ta zbatojmë me efektivitet, në afate optimale, në mënyrë që rezultatet për qytetarët shqiptarë të jenë të prekshme sa më shpejt.

Të gjitha këto investime janë mbështetje që donatorët, – duke filluar nga Banka Botërore, – i bëjnë edhe programet e shëndetësisë në Qeverinë Shqiptare, ku pjesa kryesore është Mbulimi Universal shëndetësor, i cili në fakt, – ka qenë në gjykimin tim, – një nga objektivat kryesorë të Presidentit të Bankës Botërore Jim Yong Kim që në 2012-ën, kur ai e filloi këtë detyrë.

Tashmë, Mbulimi Universal është pjesë e një angazhimi botëror, e një koalicioni shumë të gjerë botëror, që sigurisht ka një angazhim afatmesëm dhe afatgjatë, – për ne të paktën, për sa i përket Qeverisë Shqiptare e kemi një nga objektivat kryesorë të programit të këtij mandati 4-vjeçar.

Sigurisht, po punojmë në disa drejtime:

  • Në shërbimin parësor, në fillimin e zbatimit tashmë të Programit të Kontrollit Bazë (pa pagesë 40-65 vjeç);
  • Me përmirësimin e ndjeshëm të shërbimit të urgjencës;
  • Me përhapjen dhe përdorimin e gjerë të teknologjisë së informacionit; dhe,
  • Me përmirësimin e ndjeshëm të shërbimit spitalor, për të cilin ky projekt do të ketë kontributin e tij kryesor.

Zonja Sayed foli për pabarazi dhe për inefiçencë. Të dyja janë probleme që ne i kemi të mbartura dhe ndoshta të zgjeruara nga viti në vit. Banka Botërore ka bërë një kontribut shumë të mirë në 20 vjet ose pak më shumë, tashmë edhe në shëndetësi. Edhe kjo çfarë do të bëjë me këtë projekt, në fakt nuk fillon nga zero, por merr për bazë edhe çfarë është arritur në nivelin e vlerësimit dhe të qëllimit teknik në projektin e parë të mbyllur para pak vjetësh.

Vërtetë Qeveria Shqiptare dhe Bota, jemi të angazhuar për Mbulimin Universal, ne jemi të vetëdijshëm që ky Mbulim Universal nuk shoqërohet me Aksesin Universal, edhe barrierat gjeografike krijojnë pabarazi dhe pastaj krijohen hapësira për zgjerimin e pagesave nga xhepi, qoftë edhe për lulëzimin apo mbajtjen gjallë të praktikave korruptive.

Ne kemi shëndetësinë në Shqipëri, bashkë me drejtësinë, – po unë jam përgjegjës për shëndetësinë, – një perceptim të përhapur të publikut për korrupsion, dhe është një angazhimet e Qeverisë tonë për të luftuar korrupsionin kudo, sidomos në shërbimet publike, për të rikthyer besimin e qytetarëve tek shërbimet publike, – dhe këtu dua të falenderoj Bankën Botërore edhe për ndihmesën që po jep me reformimin e shërbimeve publike në përgjithësi, duke sjellë edhe eksperienca të vlefshme nga vende të tjera, të cilat ne po i pilotojmë aktualisht në disa institucione shëndetësore, spitalore dhe parësore, në Shqipëri.

Projekti do të na ndihmojë që të optimizojmë rrjetin e shërbimit spitalor; të fuqizojmë spitalet rajonale, në mënyrë që së pari të ofrojmë kujdes shëndetësor sa më pranë qytetarëve, por edhe ta lemë Qendrën tonë Spitalore Universitare (QSUT) të merret realisht me shërbimet universitare në nivelin terciar, sepse sot, e pranojmë që ka një mbingarkesë në atë qendër, sepse ne kemi mungesa në shërbimin spitalor në të gjithë territorin e vendit.

Sigurisht që, sfida në shëndetësi është e pambarimtë, sepse dëshira për kujdes shëndetësor sa më të madh është e pambarimtë; teknologjia, po ashtu, nuk ka kufi; por në kushtet e një sistemi publik, si në vendin tonë, si në vendet më të zhvilluara, apo në vende më pak të zhvilluara, burimet gjithmonë do të jenë të kufizuara, qoftë financiare, qoftë infrastrukturore, qoftë njerëzore. Kështu që, detyra jonë parësore është, që me të njëjtat burime, të japim më shumë rezultat, – një nga komponentët kryesorë të projektit ka të bëjë me modernizimin dhe me efiçencën.

Sigurisht, ka edhe elementë të tjerë që lidhen me një administrim shumë më të mirë, që ne në Shqipëri duhet t’i bëjmë të gjithë inventarit ekzistues, por edhe atij që do të zgjerohet nga ky projekt me pajisje mjekësore, diagnostikuese, laboratorike dhe imazherike; me krijimin e një sistemi të përditshëm të llogaritjes së Llogarive Kombëtare të Shëndetësisë, në mënyrë që ta dimë në mënyrë të plotë vit pas viti:

  • Sa financon buxheti;
  • Sa paguajmë nga xhepi;
  • Cila është balanca midis kontributit individual dhe asaj që ka marrë përsipër Qeveria;

Gjithmonë, duke synuar që ne, shumë shpejt, brenda këtij mandati do të arrijmë, që për çdo qytetar shqiptar, kujdesi shëndetësor  të ofrohet pa pagesë për të, aty ku ai ka nevojë.

Faleminderit sigurisht Bankës Botërore, ekipit që punoi, qoftë ata që janë në Tiranë, qoftë ata që janë në Vjenë, apo ekspertët që erdhën nga Uashingtoni.

Unë dua të falenderoj praktikisht edhe Ministrin e Financave (z. Shkëlqim Cani), stafin e tij, që brenda kornizës të shtrënguar ku janë me hapësirën fiskale që ka Shqipëria, edhe në vitet e ardhshme,  gjatë kohështrirjes së projektit, krijuan mundësinë që edhe ky projekt të mund të financohet me këtë kredi që marrim sot.

Faleminderit!

—###—{:}