Ministry of Health and Social Welfare

Nga sot, Vizita Falas te Mjeku i Familjes edhe për të Pasiguruarit

– 600 mijë qytetarë përfitojnë nga kjo mundësi e re

– Pas kontrollit bazë falas 40-65 vjeç, ky është hapi i dytë konkret drejt Mbulimit Universal, drejt Shëndetit për të Gjithë, drejt Shëndetësisë Falas

Tiranë, 27/01/2016 – Duke filluar nga sot, vizita shëndetësore te mjeku i familjes do të jetë falas edhe për personat e pasiguruar. 27 janari është edhe data e hyrjes në fuqi për zbatimin e ndryshimit të fundit të ligjit, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë,” që mundëson vizitën pa pagesë te mjeku i familjes të kujtdo që jeton në Shqipëri.

Pas kontrollit bazë shëndetësor falas për grupmoshën 40-65 vjeç, ky është hapi i dytë konkret drejt Mbulimit Universal, drejt Shëndetit për të Gjithë, drejt Shëndetësisë Falas.

Është një mundësi e re që u ofrohet rreth 600 mijë qytetarëve.

Deri dje, vizita shëndetësore falas tek mjeku i familjes u është mundësuar rreth 2,3 milionë qytetarëve, ndërkohë që personat e pasiguruar përfitonin këtë vizitë kundrejt tarifës prej 1000 lekësh.

Kjo konfirmon se sistemi aktual që trashëguam nga qeverisja e vjetër mbulonte me kujdes shëndetësor vetëm rreth 80% të popullsisë së vendit, dhe se kemi patur të drejtë kur u angazhuam për ta shtrirë mbulimin me kujdes shëndetësor për të gjithë popullsinë e vendit.

Pas 26 janarit 2016 e gjithë popullsia e vendit, 2,9 milionë banorë, është e mbuluar me vizitën falas te mjeku i familjes.

Shërbimi i vizitës shëndetësore që të pasiguruarit e marrin falas me ligjin e ri, është qartësisht një hap tjetër i sigurtë në drejtimin e duhur për përmbushjen e angazhimit themelor të  Programit të Aleancës për Shqipërinë Evropiane, për t’iu ofruar qytetarëve mbrojtjen e merituar përmes një sistemi shëndetësor me Mbulim Universal dhe ndërtimin e një Shërbimi Kombëtar Shëndetësor, që do të jetë paguesi i vetëm i shërbimit të kujdesit shëndetësor, duke siguruar që askush të mos përballet me pengesa financiare, të moshës, gjinore, gjeografike apo kulturore në marrjen e shërbimit të kujdesit shëndetësor.{:}