Ministry of Health and Social Welfare

Pajisje moderne mjekësore për Qendrën Shëndetësore të Valbonës

Valbonë, Tropojë, 25/04/2015 – Banorët e zonës së Valbonës në Komunën Margegaj, Tropojë, por edhe turistët që vizitojnë këto treva do të kenë mundësi të përfitojnë tashmë një shërbim cilësor shëndetësor të standardeve të larta. Një investim i projektit të kompanisë së telefonisë së lëvizshme AMC dhe Zyrës GIZ së koordinimit të projektit gjerman të ndihmës teknike ndërkombëtare për të modernizuar Ambulancat në Alpet e Shqipërisë, pajisi me me mjete moderne shëndetësore dhe komunikimi Ambulancën Shëndetësore të Valbonës.

Valbona prej vitesh ka pasur nevojë për një Qendër Shëndetësore moderne dhe me pajisje të mira, pasi gjatë gjithë vitit këtu ka vizitorë dhe fluksi i turistëve është gjithnjë e në rritje, kështu që seti i pajisjeve moderne mjekësore të mundësuara nga ky projekt përmban të gjitha mjetet që duhet të ketë një Ambulancë e tillë. Gjithashtu, ky investim mundësoi edhe vendosjen e një kompjuteri, lidhjen e qëndrueshme të shërbimit të Internetit dhe kamerën, me të cilat punonjësit e ambulancës mund të komunikojnë me Spitalet Rajonale të Shkodrës dhe Tiranës.

“Jemi këtu sot në Qendrën Shëndetësore të Valbonës për të parë nga afër dhe inspektuar përgatitjet tona dhe gatishmërinë për sezonin e ardhshëm turistik,” – tha midis të tjerash Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i pranishëm në takim. “Ne kemi një plan që këtë vit, në mënyrë shumë më të qëndrueshme, pas eksperiencës që patëm vitin e kaluar të kemi 22 qendra shëndetësore që do të jenë funksionale në mënyrë të plotë nga 1 qershori e deri më 31 gusht në Alpet e Shqipërisë dhe nëpër të gjithë Bregdetin e vendit, nga Velipoja e deri në Ksamil,” – tha më tej ai.

Sigurisht që në këtë sipërmarrje nga kanë ndihmuar edhe organizma të ndryshme, dhe sot, unë dua të falënderoj kompaninë e telefonisë së lëvizshme AMC, e cila mundësoi pajisjen e kësaj qëndreje shëndetësore me materialet e domosdoshme mjekësore, edhe në funksion të problemeve që ndeshen gjatë sezonit turistik, theksoi z. Ministri Beqaj, duke shtuar se gjithashtu, edhe GIZ-in, fondacionin gjerman, i cili mbështet zhvillimin e qëndrueshëm të Alpeve prej shumë vitesh, duke i promovuar dhe duke i përfshirë ato në ofertën turistike shqiptare, dhe sigurisht kërkon që edhe pjesa e shërbimeve, përfshirë atë të kujdesit shëndetësor gjatë sezonit turistik të jetë funksionale dhe në mënyrë të plotë.

“Sigurisht që ne kemi sot një rrugë që përshkohet shumë më lehtë deri në qytetin e Bajram Currit; ne kemi sot një spital të qytetit të Bajram Currit më të pajisur; edhe autoambulanca e re që është shtuar që nga janari është në funksion edhe të gatishmërisë për sezonin turistik; por gjithashtu, angazhohemi që gjatë këtyre tre muajve do të kemi më shumë personel mjekësor dhe infermieror,” – u shpreh kreu i shëndetësisë në vend.

“Besoj se sezoni turistik i këtij viti do të ketë më shumë garanci dhe siguri përsa i përket kujdesit shëndetësor me këtë veprim që strukturat e shëndetësisë të gjithë vendit po marrin gjatë kësaj kohe,” – tha Ministri, duke theksuar se “falënderimi dhe mirënjohja shkon në rradhë të parë për mjekët dhe infermierët e punonjësit e qendrave shëndetësore, të cilët janë përditë pranë qytetarëve, dhe që sigurisht i kërkojnë minsitrit përditë më shumë barna e materiale mjekësore, pasi ata ndeshen përditë me qytetarët. Megjithatë, siç edhe mund ta vini re, në këtë qendër shëndetësore, pjesa e barnave dhe materialeve mjekësore njëpërdorimshe për shërbimin e urgjencës turistike, por edhe për nevojat e banorëve të zones është e garantuar”.

Tashmë, Ambulanca e Valbonës është në funksion të plotë për çdo emergjencë që mund të paraqitet në ditët e vështira të këtij dimri. Vetëm gjatë vitit 2014 Valbona u vizituar nga rreth 40 mijë turistë që kanë kaluan të paktën një natë aty, si dhe mijëra vizitorë ditorë. Ndërsa aktualisht në Valbonë jetojnë rreth 40 familje. Kështu ministria e shëndetësisë në bashkëpunim me partnerët e saj i vjen në ndihmë turizmit dhe banorëve të zonës.

—###—

Për foto të mëtejshme nga takimi, mund të konsultoni profilin zyrtar të MSH në Facebook:

https://www.facebook.com/media/set/?set=a.392975377557185.1073741863.127646634090062&type=1

dhe Twitter: @BeqajIlir{:}