Ministry of Health and Social Welfare

Pajisje të reja mjekësore në Qendrat Shëndetësore Razëm dhe Theth, me mbështetjen e GIZ dhe AMC

Razëm dhe Theth, 24/05/2015 – Banorët e Razmës dhe Thethit në zonën malore të Alpeve, por edhe turistët që vizitojnë këto treva, do të kenë mundësi të përfitojnë tashmë një shërbim cilësor shëndetësor të standardeve të larta. Një investim i projektit të kompanisë së telefonisë së lëvizshme AMC dhe Zyrës GIZ së koordinimit të projektit gjerman të ndihmës teknike ndërkombëtare për të modernizuar ambulancat në Alpet e Shqipërisë, pajisi me me mjete moderne shëndetësore dhe komunikimi qendrat shëndetësore të këtyre zonave të mirënjohura të turizmit malor në vend.

Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës që ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i shoqëruar nga deputeti i zonës, z. Paulin Sterkaj, zhvilloi të shtunën (23/05/2015) në qendrat shëndetësore të Razmës dhe Thethit. Të dyja këto zona turistike kanë pasur nevojë për një qendër shëndetësore moderne dhe me pajisje të mira, pasi gjatë gjithë vitit këtu ka vizitorë dhe fluksi i turistëve është gjithnjë e në rritje, kështu që seti i pajisjeve moderne mjekësore të mundësuara nga ky projekt përmban të gjitha mjetet e nevojshme që duhet të ketë një Ambulancë e tillë, pas atyre që u siguruan edhe për ambulancën e Valbonës. Gjithashtu, ky investim mundësoi edhe vendosjen e një kompjuteri, lidhjen e qëndrueshme të shërbimit të Internetit dhe kamerën, me të cilat punonjësit e ambulancës mund të komunikojnë me Spitalet Rajonale të Shkodrës dhe Tiranës.

“Unë besoj se ky është drejtmi i duhur për të zhvilluar turizmin për t’i dhënë mundësi të gjithë bukurive që Zoti i ka falur Razmës dhe gjithë Malësisë së Madhe për t’i shfrytëzuar në përfitim të drejtpërdrejtë për komunitetet që jetojnë këtu,” u shpreh Ministri Beqaj.

“Në mbështetje të sezonit turistik veror, duke qenë se Razma ka potenciale të mëdha dhe realitete të zhvillimit të turizmit, tha më tej z. Beqaj, edhe qendra shëndetësore e Razmës është përfshirë në një listë me 22 qendra shëndetësore ku ne do të përforcojmë shërbimin shëndetësor nga 1 qershori deri më 31 gusht me shërbim 24 ore dhe me pajisje të reja, me furnizim me barna dhe materiale mjekësore shtesë, në mënyrë që t’i përgjigjemi nevojave që ka ky sezon turistik.

Janë 3 qendra shëndetësore në Alpe: Valbonë, Razëm dhe Theth, pastaj janë 19 qendra të tjera shëndetësore që fillojnë nga velipoja deri në Ksamil.

Ndërkaq, duke falënderuar kreun e shëndetësisë në vend për ndihmën që i ka dhënë Malësisë së Madhe për qendrat shëndetësore, apo qoftë për shtimin e personelit mjekësor, qoftë edhe për përkushtimin e ndihmën në rastet emergjente që kanë patur malësorët e kësaj zone, z. Sterkaj u shpreh se përparësia e Qeverisë është afrimi i qendrat shëndetësore aty ku është publiku si dhe fuqizimi i spitalit rajonal të Shkodrës.

Në vijim, fjalët e plota të Ministrit Beqaj, Deputetit Sterkaj dhe përfaqësuesit të AMC

—###—

Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Razëm:
Në mbështetje të sezonit turistik veror, duke qenë se Razma ka potenciale të mëdha dhe realitete të zhvillimit të turizmit, edhe qendra shëndetësore e Razmës është përfshirë në një listë me 22 qendra shëndetësore ku ne do të përforcojmë shërbimin shëndetësor nga 1 qershori deri më 31 gusht me shërbim 24 ore dhe me pajisje të reja, me furnizim me barna dhe materiale mjekësore shtesë, në mënyrë që t’i përgjigjemi nevojave që ka ky sezon turistik.

Janë 3 qendra shëndetësore në Alpe: Valbonë, Razëm dhe Theth, pastaj janë 19 qendra të tjera shëndetësore që fillojnë nga velipoja deri në Ksamil.

Unë besoj se ky është drejtmi i duhur për të zhvilluar turizmin, për t’i dhënë mundësi të gjithë bukurive që Zoti i ka falur Razmës dhe gjithë Malsisë së Madhe për t’i shfrytëzuar në përfitim të drejtpërdrejtë për komunitetet që jetojnë këtu.

Gjithashtu dua të them që, pushteti i ri vendor që pritet të dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit  do të këtë shumë më tepër kompetenca edhe në shërbimin shëndetësor, sidomos në atë parësor, qoftë me vendndodhjen në territor të vetë qendrave shëndetësore, qoftë dhe me zbatimin e orareve fleksibël të funksionimit të qendrave, në funksion të fluksit të sezonit turistik apo të ngarkesës epidemiologjike. Ne si ministri do të vazhdojmë të ruajmë standarded e hapjes së qendrave dhe funksionimit të tyre dhe standardin që duhet të plotësojnë mjekët dhe infermierët që do të punësohen në këto qendra.

Unë besoj se, me kryetarin e ri të Bashkisë, do të duhet të kemi një bashkëpunim shumë më të afërt, sepse siç e thashë, është Bashkia ajo që do të duhet të dijë më mirë se ku duhet të jenë qendrat shëndetësore, ku janë nevojat e popullatës, sidomos do të kemi një bashkëpunim shumë më të afërt, për të filluar që nga muaji shtator, të parashikojmë të gjithë nevojat afatgjata të dimrit, në mënyrë që kushdo që jeton këtu gjatë dimrit të mos mbetet as pa urgjencën mjekësore, po as pa furnizimit e domosdoshme që të sëmurët kronikë kanë.

Për fat të mirë kjo zonë ka një avokat të shkëlqyer që është miku im i hershëm Paulin Sterkaj, i cili ndjek ndoshta në mënyrë jo shumë publike, të gjitha hallet e kësaj zone, infrastrukturës rrugore, pastrimit që ju bë në shkurt dhe në mars zonës së pishave por padyshim edhe çështjet e shëndetësisë.

Sigurisht që ne duam ta sjellim shërbimin shëndetësor këtu, se përndryshe Paulini (Sterkaj) do të vazhdojë të kërkojë helikopter çdo javë!

Fjala e Deputetit të PS-së në Razëm, z. Paulin Sterkaj:
Faleminderit z. ministër, ne jemi shumë të kënaqur me ndihmën që i keni dhënën Malësisë së Madhe qoftë për qendrat shëndetësore, qoftë për shtimin e personelit mjekësor, qoftë edhe për përkushtimin tënd edhe në 2 të natës për ndihmën në rastet emergjente që kanë patur malësorët e kësaj zone, që e kanë ndjerë nga dora juaj që nuk jeni kursyer në asnjë moment për të dhënë maksimumin e mundshëm. Por ajo që është përparësi e Qeverisë, që të afrojë qendrat shëndetësore aty ku është publiku si dhe të ketë një përforcim spitali Rajonal Shkodër, është diçka jashtëzakonisht shumë e mirë. Keni falenderimet e mia si deputet por edhe të shumë malësorëve që kanë patur fatin me marr ndihmën e drejtpërdrejtë prej jush. Madje një rast mbaj mend, më thatë pse Paulin duhet gjithmonë ministri me i zgjidh këto punë.. Po kështu funksionon, ne malësorët kapim pikat më të larta, ministrin, kryeministrin, kështu që mos u mërzit kur të të shqetësojmë dhe herë tjetër për problemet që mund të ketë.

Ju falënderojmë që keni ardhur këtu në pikën turistike të Razmës dhe është bërë e mundur të kompletohet kjo qendër, e cila në sezonin turistik ka 3-4 mijë vetë që natyrshëm mund të kenë nevojë për shërbim shëndetësor.

Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj në Theth:
Qeveria është angazhuar të mbështesë zhvillimin e turizmit në të gjithë zonat e vendit që të mund të kemi turizëm gjithëvjetor dhe padyshim Thethi është një mrekulli e Zotit, të cilin ne jemi të vendosur ta mbështesim që të zhvillohet. Kjo bukuri është një aset i banorëve të  Thethit dhe një aset kombëtar. Praktikisht ka investime të ndjeshme dhe për pasojë ka një rritje shumë të madhe të fluksit të vizitorëve shqiptarë apo të huaj që sidomos në stinën e verës vijnë këtu, janë me dhjetra mijëra që kalojnë stinën e verës këtu. Këtë vit ne kemi një plan që sezonin turistik veror ta mbështesim me shërbim shëndetësor. Nga data 1 qershor do të fillojnë funksionimin e plotë 22 qendra shëndetësore me shërbim 24 orë, me pajisje më të mira mjekësore si dhe me furnizim më të plotë me barna dhe materiale mjekësore sipas edhe specifikës që shfaqet, përfshirë traumat, virozat, intoksikacionet, pickimet nga insektet etj. Janë 200 milion lekë që vetëm për këto 22 qendra që do të përdoren për barna dhe materiale mjekësore.

Unë dua të falenderoj kryetarin e komunës, doktorin që është këtu në shërbim të komunitetit, GIZ dhe AMC për mbështetjen me pajisje 3 qendra shëndetësore të veriut, Razmën, Thethin dhe Valbonën.

Unë besoj se ne jemi në drejtimin e duhur për tu ardhur në ndihmë banorëve aty ku ata jetojnë. Kemi bërë për herë të parë në dhjetor të muajit të kaluar për këtë qendër shëndetësore dhe për të gjitha qendrat shëndetësore malore një furnizim me barna për të gjithë stinën e dimrit dhe gjithashtu shtojmë shërbimin tonë edhe gjatë stinës së verës.

Do të jenë në dispozicion të kësaj qendre shëndetësore mjekë dhe infermierë për të ofruar shërbim 24 orësh.

Gjithashtu nga kërkesat që kemi, besojmë se do shtrijmë programin që kemi deri më 31 Gusht sepse këtu na është kërkuar të marrim në konsideratë zgjatjen deri në tetor sepse eksperienca tregon se fluksi i turistëve vazhdpon edhe me fillimin e vjeshtës.

Fjala e përfaqësuesit të AMC-së, z. Florian Papadhimitri, në Theth:
Kompania AMC në kuadër të përgjegjësisë sociale është e angazhuar në sektorë të ndryshëm, një prej të cilëve është edhe shëndetësia. Kjo është qendra e dytë në Alpe, në veriun e Shqipërisë që kompania AMC e pajis me pajisje moderne mjekësore dhe të komunikimit. Kompania AMC ka sjellë një set modern që plotëson nevojat e kësaj qendre në raste emergjencash. Të gjitha pajisjet janë të reja dhe besojmë se kjo ndihmë do tu shërbejë jo vetëm banorëve të zonës por edhe fluksit të madh të turistëve në Theth. Ne do të vijojmë pajisjen edhe të qendrave të tjera.

Falënderojmë shumë Ministrinë e Shëndetësisë për bashkëpunimin dhe GIZ për mbështetjen që na ka dhënë për të identifikuar qendrat që kanë më shumë nevojë për pajisje moderne dhe të komunikimit.

—###—{:}