Ministry of Health and Social Welfare

Tiranë, 09/04/2014 – Me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit, 7 Prill, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë në një takim në Parkun Kombëtar të Karavastasë në Divjakë, me përfaqësues të qeverisjes vendore, specialistë e drejtues të ISHP-së dhe gazetarë, ku prezantoi punën përgatitore të ministrisë së shëndetësisë dhe ISHP-së për lançimin e projektit të dezinsektimin të vektorëve, shkaktarëve të bartjes dhe përhapjes së sëmundjeve infektive. Ky program përkoi edhe me temën e 7 Prillit – Ditës Botërore të Shëndetit për këtë vit, – e cila ka të bëjë posaçërisht me thirrjen që OBSH bën në lidhje me ndërgjegjësimin dhe masat që duhen ndërmarrë për të siguruar një mbrojtje më të mirë nga sëmundjet që përhapen me vektorë

Për herë të parë pas 25 vitesh, tha z. Beqaj, do të realizojmë një program dezinsektimi bazuar mbi gjetjet dhe rekomandimet e misionit fakt-mbledhës të ekspertëve të OBSH-së, që sapo përfundoi aktivitetin në terren. “Janë përcaktuar të gjitha zonat ku do të duhet të ndërhyjmë,” vazhdoi më tej Ministri Beqaj, duke shtuar se “unë besoj se angazhimi yne drejt mbulimit universal ka, do të ketë në fokus shëndetin, pra qëllimi ynë është të mos merremi me sëmundjen pasi ajo të ketë ndodhur, por të përpiqemi sa më shumë ta spostojmë fokusin tek shëndeti, në mënyrë që të mund të parandalojmë sa më shumë të jetë e mundur, apo edhe kur të duhet të ndërhyjmë, të ndërhyjmë në mënyrë më të shënjestruar”.

Në vijim, po ju përcjell fjalën e plotë të Ministrit Beqaj në takimin me gazetarët në Divjakë me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit, 7 Prill 2014.

—###—

Siç e tha dhe z. Arjan, Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, sot është 7 Prill, Dita Botërore e Shëndetit. Këtë vit, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka zgjedhur në fokus të vëmendjes  më të veçantë kujdesin për shëndetin dhe sidomos mbrojtjen nga sëmundjet që kanë origjinën nga ato që quhen vektorë, për të thënë më konkretisht, janë: mizat, mushkonjat, pleshtat e insekte të tjera.

Në fakt ka qenë një kërkesë e veçantë e Kryeministrit Edi Rama, me nxitjen edhe të deputetëve të Qarkut të Fierit, por posaçërisht të kolegëve deputetë që janë në këtë pjesë që bëjnë aktivitetin politik në Lushnjë e Divjakë, për t’u marrë me çështjen e mushkonjave, qoftë në funksion të kujdesit të shëndetit, por qoftë edhe në funksion të krijimit të mjediseve dhe kushteve më të përshtatshme për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit.

Ne si Ministri pastaj e kemi trajtuar çështjen sigurisht për të gjithë vendin, kemi hartuar një plan specifik, kemi ngritur siç edhe ju mund të jeni informuar një grup pune që drejtohet nga Zëvendësministri i Shëndetësisë z. Rjepaj. Kemi kërkuar asistencë të huaj, që për fat të mirë arritëm ta realizojmë, dhe javën e kaluar ka përfunduar vizitën misioni fakt-mbledhës dhe shumë shpejt do të kemi edhe raportin përfundimtar. Këtë javë fillojmë edhe procedurat e prokurimit për të bërë të mundur realizimin që këtë vit të ndërhyrjeve të para, të cilat do të fillojnë besoj në fillim të majit dhe do të jenë të ndara në pesë periudha deri në shtator.

Siç e tha dhe z. Arjan, proçesi që kryejmë tani quhet “Dezinsektim”, për të shmangur ndonjë keqkuptim me “dezinfektim”, pra do të realizojmë një dezinsektim. Janë përcaktuar të gjitha zonat ku do të duhet të ndërhyjmë, edhe pse një nga konkluzionet më të para të misionit të ekspertëve ishte që përtej çfarë ushtrimi do të bëjmë këtë vit, na duhet që ta kthejmë në një gjë të përhershme, që do të thotë, do të duhet ta mbështesim duke filluar që nga viti i ardhshëm edhe me një zgjidhje institucionale, e për rrjedhojë edhe me mbështetje financiare.

Ne po e mendojmë që tani, që në buxhetin afatmesëm të tre viteve të ardhshme, ky komponent të ketë vendin e vet. Është një gjë që këtë vit bëhet për herë të parë pas 25 vjetësh, me sa duket do na shkojë gjatë kjo historia që do vazhdojmë të themi “për herë të parë”, por ky paska qenë fati i brezit tonë.

Qëllimi kryesor është rritja e sigurisë, siguri për qytetarët, për shëndetin e tyre, por edhe siguri për operatorët ekonomikë që duan të merren me turizmin, ata që duan të investojnë në turizëm, ata që duan të zhvillojnë turizmin, edhe për rrjedhojë është siguri për banorët, komunitetet, sipërmarrjet që jetojnë në zonat përreth ose gjatë gjithë bregdetit, por sidomos edhe në zonat ku ka një nevojë më të madhe për ta bërë më efiçente dhe më të drejtpërdrejtë, më të shënjestruar dezinsektimin.

Praktikisht kemi tre lloje ndërhyrjesh që duhet të bëjmë, sepse: kemi ndërhyrje që duhet të bëjmë në zonat urbane, që janë të veçanta: kemi ndërhyrje në zonat ligatinore; pastaj kemi edhe një komponent shumë të veçantë, sepse në fakt, kjo është një gjë shumë e mirë, një pjesë të mirë të zonave ligatinore i kemi edhe zona të mbrojtura, ku është e nevojshme që të jemi shumë më të kujdesshëm, megjithatë Kryetari i Bashkisë (z. Fred Kokoneshi) po më thoshte, ndoshta edhe atëherë kur ishin më pak të kujdesshëm, para 20 apo 30 vjetësh, kur ndoshta përdornim lëndë helmuese më të forta, biodiversitetin nuk e kishim keq.

Megjithatë, ekspertët që erdhën na kanë dhënë këshilla teknike se kush janë lëndët që duhen përdorur, kush është mënyra se si duhen përdorur, në mënyrë që të jemi efiçentë dhe efektivë në kufizimin sa më të madh të këtyre insekteve që krijojnë këto sëmundje, pastaj krijojnë dhe shqetësim dhe bezdi, pa dëmtuar biodiversitetin.

Sigurisht që ne e çmojmë që ky është progres që bëjmë, pavarësisht se nuk janë këtu present, grupi i punës ka në përbërje përfaqësues edhe nga Ministria e Mjedisit, edhe nga Ministria e Turizmit, sepse kjo është një çështje për ne të shëndetësisë – shëndet publik, por është praktikisht një çështje disa-sektorëshe, pra prek edhe sektorë të tjerë dhe bashkarisht po punojmë që të jemi më të saktë dhe më të drejtpërdrejtë në atë që duam të bëjmë dhe ndërkohë, bashkë me këto dy institucione të tjera po punojmë se kush duhet të jetë modeli institucional që do të vihet në funksionim mënyrë më të përhershme.

Prej vitit 1993 në fakt, kjo detyrë në letër, ka qenë një detyrë e pushtetit vendor, por në fund të fundit, edhe pushteti vendor pa patur financat e nevojshme, pa patur modelet e nevojshme, pa patur ekspertizën e nevojshme dhe mjetet dhe teknikat, do të ishte të lanim duart të thonim se është pjesë e pushtetit vendor dhe ta zgjidhin ata, në fund të fundit, kundrejt shëndetit të qytetarëve jemi të gjithë përgjegjës, sigurisht gjithsecili sipas misionit që ka, detyrës që ka dhe organizmat dhe kapacitetet financiare.

Unë besoj se angazhimi yne drejt mbulimit universal ka, do të ketë në fokus shëndetin, pra qëllimi ynë është të mos merremi me sëmundjen pasi ajo të ketë ndodhur, por të përpiqemi sa më shumë ta spostojmë fokusin tek shëndeti, në mënyrë që të mund të parandalojmë sa më shumë të jetë e mundur, apo edhe kur të duhet të ndërhyjmë, të ndërhyjmë në mënyrë më të shënjestruar.

—###—{:}