Ministry of Health and Social Welfare

Ministrit Beqaj në Takimin Ndërkombëtar Multi-Përfitues të Punës së TAIEX-it,
për Teknikat e Parandalimi të Drogës dhe Ndërhyrjeve të Trajtimit me bazë Internetin:
“Të vendosur për arritjen e një shoqërie të lirë nga abuzimi me drogën!”

Tiranë, 3/11/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë sot (3/11/2014) në ceremoninë e hapjes së Takimit Dy-Ditor (3-4 nëntor 2014) Ndërkombëtar Multi-Përfitues të Punës së TAIEX-it (Technical Assistance and Information Exchange) për Teknikat e Parandalimi të Drogës dhe Ndërhyrjeve të Trajtimit me bazë Internetin. Qëllimi i këtij takimi është diskutimi i praktikave më të mira dhe zhvillimet e reja në teknologjinë e Internetit për parandalimin dhe teknikat e trajtimit të problemeve të drogës në Shtetet Anëtare të BE-së me përfituesit e Programit IPA, për t’i sjellë këto të fundit më pranë në përputhje me politikën anti-drogë të BE-së.

Përveç kësaj, takimi synon edhe vlerësimin e nevojave të përfituesve në këtë fushë dhe ofrimin e ekspertizës konkrete për zhvillimin e mjeteve të përshtatshme të bazuar në Internet. Një nga qëllimet e Strategjisë 2013-2020 anti-drogë të BE-së është zgjerimi i disponueshmërisë, qasjes dhe mbulimit e trajtimit efektiv dhe të larmishëm të problemeve të drogës dhe qasjen ndaj përdoruesve të varur ndaj drogës.

Në fjalën e tij përshëdetëse në takim, Ministri Beqaj theksoi midis të tjerash, se përveç vullnetit të qartë për luftë pa kompromis kundër kultivimit e tregtimit të Qeverisë së koalicionit ‘Aleanca për Shqipërinë Evropiane’, ka nevojë për një përgjigje adekuate sociale ndaj fenomenit të drogës, në të dyja frontet, atë të ofertës dhe kërkesës, përbën dhe duhet të përbëjë një ndër përparësitë e lëvizjeve sociale, ku padyshim ajo institucionale duhet të zërë vend veçanërisht të rëndësishëm.

“Krahas niveleve primare dhe terciare të parandalimit”, – tha  më tej ai, – “rëndësia e të cilëve do të qëndrojë gjithnjë aktuale (që realisht për vetë natyrën e tyre më lehtësisht të aplikueshme kanë okupuar vazhdimisht pjesën dominuese të aktiviteteve kundërvenëse antidrogë), në kushtet e krijimit të një kontigjenti të ndjeshëm të toksikodipendentëve, ngritja e rrjeti integral të institucioneve dhe shërbimeve trajtues/rehabilitues anti-drogë përbën një nevojë deri domosdoshmëri”.

Pas një përmbledhje të zhvillimeve të reja në fushën e varësisë nga droga, takimi do të shërbejë për hartimin e një pasqyre treguese të nevojave ekzistuese në rajon. Përgjigjet në pyetësorin e zhvilluar nga Zyra Kroate për Luftën Kundër Abuzimit me Drogën tregojnë se vetëm Kroacia ka mundësuar ndërhyrjet në me bazë Internetin në këtë drejtim, dhe në këtë drejtim, takimi do të shërbejë për ndarjen e kësaj përvoje me të gjithë përfituesit e IPA-s, për elementët e tyre të dobishëm, veçanërisht në sistemin shëndetësor për adoleshentët që eksperimentojnë me drogën dhe për përdoruesit e drogës.

Në ditën e dytë të takimit do të diskutohen zhvillimet konkrete të ndërhyrjeve specifike dhe do të ketë diskutime për përforcimin e dialogut rajonal si dhe forcimin e mekanizmave të koordinimit të politikave të drogës që janë të aftë për t’iu përgjigjur situatave reale të drogës. Takimi do të kontribuojë gjithashtu edhe në përcaktimin e nevojave për ndërhyrje me bazë Internetin në rajon, duke ofruar zgjidhje konkrete të bazuara në përvojën e BE-së dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në Takim:

—###—

Të nderuar pjesëmarrës,

Problematika lidhur me përballimin e çështjes së përdorimit të drogave në Shqipëri, është tashmë e konceptuar qartë dhe zbatohet në praktikë, ndërkohë që mjaft i rëndësishëm për përballjen e tij në të ardhmen është vijimësia e bashkëpunimit me të gjithë faktorët.

Shqetësimi për përmasat alarmante botërore të fenomenit të drogës është mëse i arësyeshëm, pasi vetë vetë ngërçet disa-trajtëshe të shkaktuara nga abuzimi i drogës, si ato që prekin aspektin social, atë shëndetësor, ekonomik apo ligjor, kërkojnë një shkallë të lartë vëmëndjeje dhe ndërhyrje energjike ndaj fenomenit nga të gjitha levat sociale në mbarë botën.

Pikërisht për këtë arsye, ky takim dy-ditor pune, është një hap i rëndësishëm i hedhur në drejtimin e duhur, dhe më lejoni që të përfitoj nga rasti për të përgëzuar dhe falënderuar organizatorët e TAIEX-it, programin IPA të BE-së, si dhe përfaqësuesit e nderuar të vendeve pjesëmarrëse të Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë.

Megjithë vëmendjen dhe angazhimin social në rritje për reduktimin e ofertës dhe kërkesës për drogë, përdorimi i drogës në mbarë botën ka arritur përmasa realisht kritike. Në botë, raportohen çdo vit rreth 210 milion përdorues droge, dhe pothuaj 200 000 prej tyre vdesin si pasojë e abuzimit me drogën.

Numri më i madh i tyre, rreth 140 milion, janë përdorues të produkteve të kanabisit; vendin e dytë e zënë stimulantët e tipit të amfetaminës (ATS) me rreth 35 milion; ndjekur nga rreth 20 milion përdorues të opiateve dhe rreth 15 milion përdorues të kokainës.

Fenomeni i drogës është mëse i dukshëm edhe në vendin tonë. Janë dashur rreth dy dhjetëvjëçarë që ky fenomen, mbas një zhvillimi konstant gradual, të konfigurohet në përmasa tejet shqetësuese për shoqërinë tonë dhe me të gjitha tiparet karakteristike bashkëkohore.

Aktualisht numri i përdorues/abuzuesve në vendin tonë ka kapur shifrat rreth 50-60 mijë. Edhe tek ne substancat psikoaktive që përdoren më masivisht janë prodhimet e kanabis (rreth 65 %); përdoruesit e opiateve, kryesisht heroinë, janë 20-25% (një pjesë e konsiderushme e të cilave administrohet intravenoz duke përbërë një kërcënim potencial për sëmundje të trasmetueshme); rreth 10% janë përdorues të kokainës, etj. Vëzhgimet dhe vlerësimet e fundit flasin për një rritje të preferencave për substanca sintetike, të ashtuquajtura të bareve, veçanërisht e stimulantëve të tipit të amfetaminës (ekstazi), etj.

Si shprehje e qartë e vullnetit të palëkundur të Qeverisë së koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” për të ndërhyrë vendosmërisht dhe intensifikuar luftën kundër tregtimit dhe përdorimit të drogës, vjen edhe aksioni i suksesshëm i policisë së shtetit dhe struktura të tjera ligj-zbatuese nisur në qershor të ketij viti për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë kultivimit dhe tregtisë së paligjshme të kanabisit dhe drogave të tjera në vend. Dhe rezultatet flasin qartë.

Por përveç këtij vullneti të qartë për luftë pa kompromis kundër kultivimit e tregtimit, ka nevojë për një përgjigje adekuate sociale ndaj fenomenit të drogës, në të dyja frontet, atë të ofertës dhe kërkesës, përbën dhe duhet të përbëjë një ndër përparësitë e lëvizjeve sociale, ku padyshim ajo institucionale duhet të zërë vend veçanërisht të rëndësishëm.

Konkretisht, aktivitetet e kontrollit të drogës në përkatësinë e institucionëve jo-represive (ku spikat roli i Ministrisë së Shëndetësisë dhe strukturave shëndetësore që ajo drejton) kanë qenë dhe janë pjesë e ndjeshme e axhendave operative të këtyre institucioneve.

Strategjia Kombëtare aktuale Anti-drogë (2012-2016) është konceptuar në trajtimin e katër aspekteve thelbësore për kontrollin e drogës: koordinimin strategjik, reduktimin e ofertës dhe aksesit për drogë, reduktimit të kërkesës, reduktimit të dëmit, dhe i kushton vëmendje të konsiderueshme frontit jo-represiv të këtij kontrolli.

Krahas niveleve primare dhe terciare të parandalimit, rëndësia e të cilëve do të qëndrojë gjithnjë aktuale (që realisht për vetë natyrën e tyre më lehtësisht të aplikueshme kanë okupuar vazhdimisht pjesën dominuese të aktiviteteve kundërvenëse antidrogë), në kushtet e krijimit të një kontigjenti të ndjeshëm të toksikodipendentëve, ngritja e rrjeti integral të institucioneve dhe shërbimeve trajtues/rehabilitues anti-drogë përbën një nevojë deri domosdoshmëri.

Është pikërisht kjo sfidë (ngritja e rrjetit integral trajtues/rehabilitues), pa nënvleftësuar elementët e tjerë të aktivitetit për kontrollin e drogës, një ndër orientimet prioritare të strategjisë aktuale kombëtare antidrogë (në përputhje të plotë me udhëzimet strategjike aktuale antidrogë të OBSH-së dhe UNODCsë për më shumë vëmendje ndaj aspekteve humane e shëndetësorë).

Në këtë drejtim, janë për t’u përgëzuar krijimi i shërbimeve të këshillimit lidhur me problemet e drogës dhe dhënien e metadonit në disa qytete të vendi si, Elbasan, Tirane, Durrës, Vlorë e Korçë. E po kështu, përdorimi i qendrave të këshillimit rinor që afrojnë asistencë për HIV/AIDS dhe trajtojnë dhe problemet e drogës. Ndërkohë, që sfida jonë është shtrirja e këtyre shërbimeve në të gjithë territorin.

Konkretisht klima e re e një vëmendje të rritur dhe mbështetjeje adekuate nga Ministria e Shëndetësisë për kontrollin e drogës, ndër të tjera, në aspektin e trajtimit shëndetësor adiksionist, evidentohet me arritjet e viteve të fundit, si: ngritja e shërbimit të parë për trajtimin e varësisë alkolike, ngritja e qendrës polivalente të kujdesit ndaj drogave, përgatitja e operatorëve adiksionist për këto shërbime, etj.

Gjithashtu, në kuadër të organizimit të shërbimeve spitalore, Ministria e Shëndetësisë është e angazhuar për përmirësimin e shërbimeve dhe aktiviteteve në fushën e trajtimit dhe kujdesit lidhur me abuzimin me drogat për t’i bërë ato sa më të aksesueshme, të përballueshme dhe cilësore.

Dhe këtu, vëmendja është përqëndruar tek: (a) rritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore përmes hartimit të kurrikulës kombëtare në fushën e çrregullimeve adiktive nga drogat, edukimit në vazhdim, hartimit të udhëzuesve dhe protokolleve, formimit profesional dhe kërkimit shkencor; (b) konsolidimi i rolit lider të shërbimit universitar të adiktologjisë dhe toksikologjisë klinike në trajtim.

Jemi të vetëdijshëm se krahas arritjeve, aksionet antidrogë duhet të intensifikohen, duke rritur edhe efektshmërinë e tyre, për t’i  “ndalur hovin” këtij fenomeni çekuilibrues për shoqërinë. Dhe për këtë qëllim, nevojitet të përshkallëzohen më tej nismat e përbashkëta dhe bashkëpunimi të cilat mishërohen edhe në tematikën dhe çështjet që do të trajtohen sot në këtë takim, me synimin përfundimtar, arritjen e një shoqërie të lirë nga abuzimi me drogën.

Duke ju uruar punë të mbarë me punimet e takimit,

Ju faleminderit!

—###—{:}