Ministry of Health and Social Welfare

Ministri Beqaj dhe Ambasadori Arvizu vizitë në Qendrën Shëndetësore Nr. 1/2: 
“Puna në komunitet, mishërim i solidaritetit dhe kulturës shoqërore”

Tiranë, 23/06/2014 –  Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, me Zyrën e ODC-së (Office for Defence Coorporation), si dhe dymbëdhjetë kadetë nga njësia e kadetëve të rinj të ushtrisë amerikae (Army ROTC – The Reserve Officers’ Training Corps), në vijim të zbatimit të programit të “Ndërgjegjësimit për Punën në Komunitet” (Community Awareness) organizuan sot një ditë të punës vullnetare për pastrimin, riparimin dhe mirëmbajtjen e mjediseve të Qendrës Shëndetësore Nr. 1/Pika Nr. 2 në Tiranë. Ndërkohë, stafit diplomatik e administrativ, si dhe punonjësve shqiptarë të Ambasadës Amerikane në Tiranë, përfaqësuesve të ODC-së dhe kadetëve të ushtrisë amerikane, i’u bashkuan edhe Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, dhe Ambasadori i SHBA në Shqipëri, z. Alexander Arvizu, duke dhënë shembullin e qartë se përmirësimi i kujdesit shëndetësor, është para së gjithash, kontribut i gjithësecilit prej nesh.

“Sot është një mundësi e mirë për mua si ministër të falenderoj Ambasadën Amerikane, Trupat e Ushtrisë Amerikane për ndihmën e vijueshme që bëjnë në përmirësimin e gjendjes së qendrave shëndetësore të shërbimit parësor në Shqipëri, por edhe më gjerë, në emër të Qeverisë për qendrat e riaftësimit të invalidëve, apo edhe për shkollat” – tha midis të tjerash Ministri Beqaj në takim. “Sigurisht, falënderimi shkon për Trupat e Ushtrisë Amerikane që tregojnë kujdes në mënyrë të vijueshme për të plotësuar nevojat, tona të cilat nuk jemi në gjendje ende sot t’i ndihmojmë plotësisht,” – tha z. Beqaj.

“Por, siç edhe u pa,” – vazhdoi më tej ai, “sot është bashkuar edhe personeli jo ushtarak i Ambasadës Amerikane, rezidentë dhe shqiptarë për të ndihmuar në këtë aktivitet.” Është një mesazh i disafishtë, tha ai: “Në radhë të parë, përmirësimi i gjendjes së kësaj qendre shëndetësore, këtu i shërbehet rreth 3,000 banorëve dhe bëhen rreth 100 vizita në ditë. Por, edhe një mesazh tjetër shumë i rëndësishëm që ne duhet t’i rikthehemi edhe aktiviteteve vullnetare, në radhë të parë kur bëhët fjalë për shëndetin e njerëzve. Shëndeti nuk është një çështje individuale, është një çështje e shoqërisë dhe tek shëndeti duhet të shprehim tiparet solidare të shoqërisë tonë,” – e përfundoi fjalën ministri.

Ndërkohë, Ambasadori Arvizu u shpreh se “dua të falenderoj Ministrin dhe stafin e tij për praninë e tyre sot”, duke shtuar se siç e kemi shprehur, ne kemi dashur të jemi partnerë të mirë. Nuk janë gjestet e mëdha, por ato të vogla në kohë që bëjnë diferencën,” duke dhënë kështu mesazhin dhe dhanë shembullin e kontributin personal për përmirësimin e infrastrukturës së kujdesit shëndetësor në një qendër shëndetësore të vogël në pamje të parë, por me një domethënie të madhe në përpjekjet e përbashkëta për përmirësimin cilësor të këtij shërbimi.

—###—

Për informacion të mëtejshëm apo foto të tjera nga takimi, mund të konsultoni:

Faqen zyrtare në Facebook të MSH:

https://www.facebook.com/media/set/?set=a.569043223206759.1073741861.453892661388483&type=3&uploaded=62

Profilin zyrtar në Twitter: @BeqajIlir{:}