Ministry of Health and Social Welfare

Dezinsektimi në zonat turistike do të vijojë deri në tetor

Velipojë, 5 Qershor – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka parë nga afër përgatitjet që po bëhen për hapjen e qendrave shëndetësore verore në 15 qershor, ku për herë të parë do të përfshihet edhe testimi i shpejtë për çdo rast të dyshuar me covid19, për një sezon turistik të sigurt. Nga qendra shëndetësore e Velipojës, Manastirliu tha se këtë vit janë 29 qendra shëndetësore verore, nga veriu në jug, që do të jenë në shërbim të turistëve vendas dhe të huaj.
“Ne kemi filluar edhe programin e trajnimit, a shtu sikurse bëjmë çdo vit, me mjekët dhe infermierët e qendrave verore, që janë 29 në këtë vit, të cilat do të hapen në datë 15 qershor. Trajnimi i stafeve është fokusi kryesor, sepse do të jenë më shumë se 170 mjekë dhe infermierë të angazhuar në të gjitha qendrat verore”, tha Manastirliu.
Duke bërë me dije se në zonën e Shkodrës do të jenë 8 qendra shëndetësore verore, Manastirliu tha se përveç 29 qendrave shëndetësore, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore do të ketë poste fikse të autoambulancave përgjatë zonave turistike, për t’iu ardhur sa më shpejt në ndihmë pushuesve.
“Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore do të ketë 14 postacione fikse, ku do të vendosen autoambulancat të pajisura me të gjitha mjetet përkatëse dhe stafet gjithashtu, të cilët do të bëjnë koordinimin sipas rretheve të përcaktuara në planin e punës së Urgjencës Kombëtare, në mënyrë që të kemi akses sa më të shpejtë, t’i shkojmë pacientit apo qytetarit në kohë dhe më pas të referohet në strukturat shëndetësore për të marrë shërbim”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha nga Velipoja tha se risia këtë vit është përfshirja e testit të shpejtë për pushuesit në qendrat shëndetësore verore.
“Risia në këtë vit do të jetë përfshirja edhe e testit të shpejtë në strukturat e qendrave shëndetësore verore. Trajnimi i stafeve ka filluar gjithashtu. Dhe organizimi i punës në nivel territorial, në mënyrë që në momentin që do të ketë një njeri të dyshuar apo të konstatuar, të diagnostikuar me covid19, të referojë direkt strukturat e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, përsa i përket gjithë masave të izolimit të rasteve, në mënyrë që të kemi ndërprerje të menjëhershme të zinxhirit të infeksionit”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër procesin e dezinsektimit në Velipojë, ku deklaroi se ky proces është shtrirë në të gjithë vendin, për një sezon turistik të sigurt.
“Ky proces do të vijojë, ashtu sikurse jemi këtu në Velipojë, në të gjithë Shqipërinë, në bazë të vlerësimit të bërë nga strukturat tona, sipas metodave të kapjes së larvare dhe verifikimit të këtyre vektorëve, që të shënjestrojmë këto koloni, të cilat synojmë t’i reduktojmë, në mënyrë që të parandalojmë dhe të kontrollojmë infeksionin e shkaktuar nga mushkonjat dhe mbi të gjitha të mbrojmë shëndetin publik, shëndetin e popullatës dhe të sigurojmë një sezon turistik të sigurt”, deklaroi Manastirliu.
Qendrat shëndetësore verore do të hapen nga data 15 qershor në zonat turistike, ndërsa procesi i dezinsektimit i cili ka nisur, do të vijojë deri në muajin tetor, sipas kalendarit të përcaktuar nga ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik.