Ministry of Health and Social Welfare

Rezonancë Magnetike edhe në Shkodër

Ministri Beqaj, 95 mln lekë, investim i rëndësishëm Buxhetit të Shtetit

Deputetja Hafizi, Lehtësojmë qytetarët duke ofruar kujdes cilësor shëndetësor

Shkodër, 26/01/2016 – Për të bërë një rezonancë magnetike në shërbimin shëndetësor publik, një ezkaminim i detajuar i trupit apo i pjesëve të veçanta, pacientëve të Qarkut të Shkodrës dhe zonave përreth, deri më tani, u është dashur të kalojnë nëpër kalvarin e ecejakeve në Tiranë, pritjes raskapitëse në radhët e pafund, apo në rast të kundërt duhet ta kryenin në spitalet jo publike kundrejt çmimeve të larta.

Tashmë, banorët e qytetit verior do ta përfitojnë këtë shërbim të diagnostikimit imazherik nëpërmjet pajisjes së rezonancës magnetike, pa pasur nevojë të udhëtojnë në qendrat e specializuara të Tiranës.  Lajmi u bë i ditur gjatë takimit që Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, dhe Deputetja e Partisë Socialiste, znj. Mimoza Hafizi, zhvilluan sot (26/1/2016) me drejtues, mjekë, infermierë e punonjës të shëndetësisë me rastin e vënies në funksionim të pajisjes së re moderne ekzaminuese të Rezonancës Magnetike në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

“Është kënaqësi që qytetarëve të Shkodrës dhe gjithë veriut, i shtohet një shërbim shumë i rëndësishëm, – rezonanca magnetike – që do të lehtësojë jetën e qytetarëve, të cilët kanë nevojë për këtë shërbim, që ta kenë në derën e shtëpisë dhe sigurisht pa shpenzimet e udhëtimit, të qëndrimit dhe të pritjes,” u shpreh Deputetja e PS-së, znj. Mimoza Hafizi, duke shtuar se  “kjo lehtëson edhe kohën e pritjes për të kryer këtë shërbim, kështu që ky është një gëzim i madh që deshëm ta ndajmë me qytetarët”.

Me këtë investim të rëndësishëm të buxhetit të shtetit, prej rreth 95 milionë lekësh, Ministri Beqaj tha midis të tjerash se me rezonancën magnetike plotësojmë shërbimin e imazherisë në Spitalin Rajonal të Shkodrës duke i shërbyer më shpejt qytetarëve.

“Besoj se kjo pajisje do t’i shërbejë që nga java e ardhshme, në fakt jo vetëm banorëve të qarkut të Shkodrës, por edhe qarkut të Kukësit dhe të qarkut të Lezhës,” – tha më tej kreu i shëndetësisë, duke shtuar se “është ndihmë edhe për vetë mjekët, bëjnë diagnoza më të shpejta, më të sakta, japin terapi më efektive, na ndihmon në rastet kur duhet të përcaktojmë më saktë rastet e urgjencës, dhe besoj se ajo çfarë kemi filluar të bëjmë dhe po realizojmë në shëndetësi, e plotëson më së miri ajo çfarë po bëjmë në Spitalin Rajonal të Shkodrës”.

Spitali rajonal i Shkodrës është duke u shndërruar në një model të ri të shërbimit mjekësor, modern e bashkëkohor, tërësisht i shndërruar, falë investimeve të shumta të bëra në dy vitet e fundit. 5 milionë dollarë janë investimet e realizuara deri tani, si dhe ato të parashikuara së shpejti, kryesisht nga buxheti i shtetit, me financime të huaja dhe nga partneriteti publik-privat, të cilat e plotësojnë funksionimin e spitalit rajonal të Shkodrës dhe e bëjnë një nga qendrat më të rëndësishme të veriut të Shqipërisë, por edhe në të gjithë vendin.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim.

—###—

Ministri Beqaj:

Është një investim i rëndësishëm i buxhetit të shtetit, rreth 95 milionë lekë. Me këtë rezonancë magnetike, së pari ne plotësojmë shërbimin e imazherisë në Spitalin Rajonal të Shkodrës; i shërbejmë më shpejt qytetarëve të Shkodrës. Besoj se kjo pajisje do t’i shërbejë që nga java e ardhshme, në fakt jo vetëm banorëve të qarkut të Shkodrës, por edhe qarkut të Kukësit dhe të qarkut të Lezhës. Është ndihmë edhe për vetë mjekët, bëjnë diagnoza më të shpejta, më të sakta, japin terapi më efektive, na ndihmon në rastet kur duhet të përcaktojmë më saktë rastet e urgjencës, dhe besoj se ajo çfarë kemi filluar të bëjmë dhe po realizojmë në shëndetësi, e plotëson më së miri ajo çfarë po bëjmë në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Kemi përfshirë kontrollin parandalues, pjesë të kujdesit shëndetësor në Shqipëri, janë shumë vetë që e bëjnë këtë kontroll ditë për ditë. Nga dita e nesërme hyn në fuqi edhe ligji, që edhe mjeku i familjes ofrohet pa pagesë, për të gjithë ata që janë rezident në Republikën e Shqipërisë.

Por, nëse bëjmë kontroll parandalues, nëse zgjerojmë aksesin tek mjeku i familjes, padyshim do të zbulojmë më shumë sëmundje, të cilat jemi në gjendje t’i përgjigjemi me më shumë kapacitete në spitalet tona rajonale.

Në Spitalin e Shkodrës, kemi tashmë kapacitete shumë të mira për sëmundjet e zemrës, kemi kabinetin e kardiologjisë me eko, pajisje për provën e ngarkesës, Holter të zemrës, Holter tensioni; kemi kabinetet e këshillimit të diabetit; dhe gjithashtu forcojmë edhe imazherinë, për raste të tjera kur për nevoja kardiake, apo neurologjie dhe neurokirurgjie, na duhet ky ekzaminim kaq i plotë.

Besoj se është lehtësi për banorët e Shkodrës, për banorët e qarkut, të marrin shërbim më të shpejtë, deri dje nuk e merrnin këtu, o duhet të prisnin gjatë në Tiranë, ose duhet t’i drejtoheshin me pagesa jo të vogla nga xhepi i tyre, qendrave private ku ofrohet ky shërbim.

Gjithashtu, besoj se ekipi i mrekullueshëm i mjekëve që ka ky spital rajonal, e meritojnë edhe këtë pajisje të re, për të vënë në shërbim të qytetarëve, dijet dhe aftësitë e tyre.

Pyetje Gazetar #1:

Meqë ra fjala, z. Beqaj, shëndetësia vijon të mbetet në qendër të akuzave, aq më shumë kur flitet për konçensionet, të cilat cilësohen të paktën, jo vetëm nga opozita, por edhe nga ekspertë të fushës, si pika më e dobët, sa i përket mënyrës se si mund të funksionojë një sistem, sepse gjithmonë e mendojnë tek qytetarët. Ka një përgjigje për këtë rast Ministria e Shëndetësisë?

Ministri Beqaj:

Unë besoj se ajo çfarë ju thatë, nuk janë të sakta, në atë çfarë tregon realiteti, partneriteti publik-privat është një formë efektive, e përdorur jo vetëm në Shqipëri, për të zgjeruar shërbimin.

Edhe vetë ligji jonë i këtij partneriteti, tregon që qeveria mund të ftojë investitorë privatë, që t’i mundësojë të kryejnë shërbime që ajo duhet t’i kryejë, apo të krijojë parakushtet për këto shërbime. Dhe rasti më tipik, është rasti i Spitalit të Shkodrës. Ne, kemi nevojë të domosdoshme ta përmirësojmë në mënyrë rrënjësore shërbimin e dializës në këtë spital: pajisjet janë të vjetra, s’kemi sot mundësi financiare për t’i ndryshuar, na duhet t’i zgjerojmë kapacitet, sepse të sëmurët po shtohen dhe brenda këtij spitali, do të kemi një shërbim të ri dialize brenda disa javësh, duke paguar buxheti i shtetit apo qytetarët, po aq sa paguajnë sot – 80 euro për një seancë.

Po e përsëris, rasti i Spitalit të Shkodrës, është shembulli më tipik ku tregohet se sa të nevojshme dhe efektive janë koncesionet.

Faleminderit!

—###—{:}