Ministry of Health and Social Welfare

 

Vihet në punë Shërbimi i Kirurgjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Kavajës,
Ministri Beqaj: “Rikthejmë besimin e qytetarëve tek shërbimet publike”

Tiranë, 24/06/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, vizitoi sot Spitalin e Përgjithshëm të Kavajës, me rastin e vënies në punë të Shërbimit të Kirurgjisë në këtë institucion të kujdesit shëndetësor terciar, ku morrën pjesë edhe z. Parid Cara, deputet i Partisë Socialiste në Kavajë, dhe z. Ylli Ziçishti, deputet i Partisë Socialiste në Korçë, si dhe drejtues, mjekë e punonjës të shëndetit të këtij qyteti.

Ky shërbim nuk ishte vënë në punë për shkak të mungesave në mjete ndihmëse dhe kushteve të mirëmbajtjes qysh prej përfundimit të këtij spitali në shtator 2010, pavarësisht se për ndërtimin dhe pajisjen me aparatura dhe teknologji të të cilit u investuan nga Banka Islamike e Zhvillimit, Fondi i OPEC-ut dhe qeveria shqiptare mbi 1 miliard lekë.

Duke falënderuar ekipin e përkushtuar të mjekëve të qytetit të Kavajës dhe ekipit të ministrisë që mundësuan vënien në punë prej pothuajse katër vjetësh mungese të këtij shërbimi, në fjalën e tij për mediat e pranishme në këtë takim, Ministri Beqaj tha midis të tjerash se “po bëjmë përpjekjet maksimale që të rikthejmë personelin mjeksor, pra kirurgët, reanimatorët, dhe t’i garantojmë edhe këtij spitali ashtu siç po bëjmë me të gjithë spitalet e Shqipërisë, furnizmin normal me barna, materiale mjeksore e pajisje që duhen në sallën e kirurgjisë.”

Sidomos në shëndetësi, vazhdoi më tej ai, kemi një përgjegjësi shumë më të madhe: Të përmirësojmë radikalisht kujdesin shëndetësor, për të siguruar akses të plotë për çdo shqiptar rezident, të financuar nga taksat, por, edhe të rikthejmë besimin e qytetarëve shqiptarë tek shërbimet publike.

Në vijim të punës së ekipit të ministrisë së shëndetësisë për fuqizimin e kapaciteteve diagnostikuese dhe përmirësimint e kujdesit shëndetësor që ofrohet në institucionet publike të shëndetit në vend, z. Beqaj shtoi se ka besim të plotë se “rikthimin e normalitetit në Kirurgjinë e Kavajës do ta shtrijmë edhe në spitalet e tjera”.

Gjithashtu, pjesëmarrësit në këtë ceremoni i përshëndeti edhe Deputeti Cara, i cili theksoi se “pa mbështetjen e Ministrisë nuk do të bëhej e mundur hapja e shërbimit të Kirurgjisë në këtë spital.” Ai falënderoi eipin e mjekëve kirurgë, të cilët “na mbështetën me kryerjen e 50 ndërhyrjeve kirurgjikale gjë që ishte ndalur për 10 muaj me rradhë në këtë spital”, duke shtuar se shpresonte “që në të ardhmen ministria të shtojë stafin e kirurgëve”.

—###—{:}