Ministry of Health and Social Welfare

 

Sërish bashkë kundër kancerit të gjirit

Tiranë, 31/10/2014 – Për të gjashtin vit rradhazi, dhjetëra qytetarë, aktivistë të shoqërise civile, deputetë të mazhorancës e opozitës, drejtues të sistemit të kujdesit shëndetësor, përfaqësues e drejtues të Bashkisë së Tiranës, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik e organizatave ndërkombëtare në vend kanë marshuar sot (31/10/2014) në Bulevardin “Dëshmoret e Kombit” kundër kancerit të gjirit, një sëmundje, e cila çdo vit në vendin tonë prek me dhjetëra femra.

Marshimi i cili nisi nga Sheshi “Nënë Tereza” për t’u mbyllur në Parkun Rinia, është dhe aktiviteti përmbyllës i një muaji intensiv përpjekjesh e nismash për të rritur shkallën e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, dhepër të arritur këtë, theksi është vënë tek diagnostikimi i hershëm e parandalimi që mund të arrihet vetëm nëse tregojmë kujdes për ndjekjen e kontrolleve periodike tek mjeku që në stadet më të hershme.

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, tha se këtë muaj (Tetori – muaji i ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit) është dyfishuar numri i grave që kanë kryer ekzaminimin e mamografisë, ndërkohë që në listë pritjeje janë ende edhe 3 mijë pacientë. “Për fat të keq, në Shqipëri, kancerin e gjirit, por përgjithësisht sëmundjet tumorale ne i zbulojmë në stad shumë të vonët,” tha kreu i shëndetësisë, duke shtuar, se me mbarimin e këtij muaji, “janë 2 992 gra në listë pritjeje, të cilat unë dua t’i garantoj, sepse me një urdhër të nxjerrë dy ditë më parë, kjo listë do të marrë shërbim muajin e ardhshëm”.

Gjithashtu, Drejtoresha e Shoqatës Kristiane të Grave Shqiptare (YWCA of Albania), Donika Godaj, – njëkohësisht edhe organizatorët dhe promotorët e këtij aktivititeti, – tha se parandalimi i kësaj sëmundjeje është pikë kyçe për ta luftuar atë. “Shoqata jonë e ka çuar të gjithë informacionin tek 2 mijë gra, të fshatit, të qytetit, gra rome, gra të burgosura e të tjera kategori me problem,” tha ajo, duke theksuar se “numri 2 000, mund t’ju duket një shifër e ulët, në raport me mijëra gra, që do të kishin pasur nevojë ta merrnin këtë shërbim”.

Edlira Peposhi është një nga gratë që e ka fituar betejën me kancerin e gjirit, edhe pse për të ka qenë një luftë e vështira dhe e dhimbshme. “Le të përballen me ato vështirësi të kimioterapive dhe të proceseve të shërimit, sepse ja, jeta vazhdon përsëri. Do të doja njëkohësisht dhe dola të flas, për ato gra dhe vajza, të cilat e mënjanojnë dhe e neglizhojnë vizitën e mamografisë. Shkoni, vizitohuni, identikojeni sa më shpejt kancerin, sepse sa më shpejt ta identifikoni aq më shpejt do të shëroheni”, tha znj. Peposhi.

Edhe Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu tha se edhe pse shqiptaret janë ndërgjegjësuar ndjeshëm, ende numri i grave që e humbasin këtë luftë është i madh. “6 vite më parë Ambasada Amerikane nisi këtë nismë, së bashku me YWCA of Albania, dhe nisma ishte ky lloj marshimi që ne bëmë edhe sot. Eshtë e rëndësishme, kur flasim për këtë problematikë, që të kuptojnë se sa i rëndësishëm është zbulimi i hershëm, sidomos për të gjitha sëmundjet tumorale. Nënkupton që mundësia për t’u trajtuar, për t’u kuruar dhe për të mbijetuar është e lartë, por fatkeqësisht në Shqipëri është ende e ulët shkalla e zbulimit të kësaj sëmundjeje”, tha Arvizu. Gjithashtu, kryediplomati amerikan vlerësoi punën e Qeverisë dhe ministrisë së shëndetësisë edhe për zbatimin e ndryshimeve të reja në ligjin antiduhan, si pjesë e projekteve dhe nismave që ka ndërmarrë për përmirësimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në vend.

Takimin e përshëndetën gjithashtu edhe znj. Zineb Touimi-Benjelloun, Përfaqësuesja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, si dhe znj. Nevila Xhindi, Nënkryetare e Bashkisë së Tiranës, të cilat bënë thirrje për  më shumë kujdes dhe vëmendje për të diagnostikime sa më të hershme.

Kanceri i gjirit shkakton vdekjen e më shumë se 500.000 grave në mbarë botën (521,000), ndërkohë që kanceri i gjirit është shkaku më i madh i vdekjeve të shkaktuara nga sëmundjet tumorale (Burimi: http://goo.gl/QDp5ic).  Të dhënat e studimi të fundit të OBSH-së për depistimin nëpërmjet mamografisë së kancerit të gjirit (WHO Position Paper on Mammography Screening), – i cili merr shqyrton bilancin e përfitimeve dhe dëmeve në ofrimin e ekzaminimit nëpërmjet mamografisë për gratë pas moshës 40-vjeçare në një shumëllojshmëri mjedisesh – tregojnë se në mjedise me burime të kufizuara mirëqënieje, shumica e grave me kancer të gjirit diagnostikohen në një fazë të avancuar të sëmundjes; dhe normat e prognozës pesë-vjeçare së mbijetesës së tyre janë të ulëta, të shkallës 10-40%.

Ndërkohë që, në mjedise të tjera ku diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi bazë janë të disponueshme dhe të arritshme për gratë, shkalla e mbijetesës pesë-vjeçare për kancerin e gjirit të lokalizuar në fillim e tejkalon masën 80%.  Kanceri i gjirit mund të zbulohet herët përmes dy strategjive:  (a) diagnostikimit të hershëm; dhe, (b) depistimit (screening).

Diagnoza e hershme bazohet kryesisht në përmirësimin e ndërgjegjësimit publik dhe profesional të shenjave dhe simptomave që lidhen me kancerin; kjo përfshin njohjen e shenjave paralajmëruese të mundshme të kancerit dhe marrjen e masave të shpejta. Depistimi (screening) përfshin përdorimin sistematik të ekzaminimit, siç është mamografia, përmes një popullate asimptomatike për të zbuluar dhe trajtuar kancerin ose gjendjet para-kanceroze.

—###—{:}