Ministry of Health and Social Welfare

Sezoni turistik, Beqaj: Njësia e helikopterëve në gatishmëri të rasteve të rënda

Tiranë, 04/08/2016 – Pas vizitave të punës që Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj ka kryer në disa nga qendrat shëndetësore bregdetare në vend, gjatë ditës së djeshme, ai ka kryer një tjetër takim pune në Njësinë e Transportit Mjekësor me Helikopterë në kryeqytet. Kreu i shëndetësisë ka garantuar të gjithë qytetarët dhe turistët se sistemi shëndetësor në vend është në gatishmëri për të përballuar të gjitha rastet e pacientëve përgjatë sezonit turistik, duke nisur që nga vizitat e thjeshta mjekësore, e deri tek transporti apo trajtimi i pacientëve në gjendje kritike për jetën.

Ministri Beqaj ka pohuar se gjatë dy muajve të fundit numri i misioneve të fluturimit nga Njësia e Transportit Mjekësor me Helikopterë është rritur ndjeshëm, ku vetëm javën e fundit të korrikut, janë realizuar mbi 13 misione, duke u ardhur në ndihmë  pacientëve në gjendje të rëndë dhe personave të cilët janë përballur me aksidente të rënda automobilistike. “Praktikisht, në periudhën e verës kemi pasur më shumë nevojë për fluturime dhe vetëm javën e fundit të korrikut kemi 13 misione me rreth 22 orë fluturimi, gjë që tregon se ne i jemi përgjigjur të gjitha nevojave për të sjellë në kohë optimale raste të rënda të traumës në Spitalin e Traumës, apo edhe të sëmurë të tjerë për urgjenca kardiake apo cerebrale vaskulare,” ka pohuar Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.

Ndërsa, nuk ka harruar të falënderojë gjithë ekipet mjekësore që janë në gatishmëri të plotë në këtë periudhë të sezonit turistik, kreu i shëndetësisë nënvizoi se të gjitha institucionet shëndetësore janë në gatishmëri të plotë për përballimin e rasteve që kanë nevojë për shërbim mjekësor. “Është pjesë e përpjekjeve që bëjmë për të siguruar mbarëvajtjen e sezonit turistik veror me prezencë në të gjithë bregdetin, por edhe me gatishmëri në çdo moment për transport të specializuar drejt Tiranës me autoambulanca, por edhe më rrugë ajrore, siç është rasti i misioneve që kryhen Njësia e Helikopterëve Mjekësore, madje në disa raste, në fluturim kemi pasur edhe personel mjekësor për të garantuar që pacientët të vijnë në Spitalet e Tiranës ende gjallë,” theksoi Beqaj.

Sipas shefit të Njësisë së Helikopterëve, disa prej fluturimeve kanë pasur për qëllim edhe transportimin e mjekëve të Spitalit të Traumës të cilët kanë dhënë asistencën e specializuar në spitalet e jugut për shkak se numri i pacientëve që kanë pasur nevojë ka qenë i lartë. “Njësia e Helikopterëve ka qenë në gatishmëri të plotë me dy helikopterë, ndërkohë që e njëjta shkallë sigurie do të vazhdojë të jetë edhe për periudhën në vazhdim. Gjatë shërbimit të kryer nga ana jonë nuk ka qenë vetëm transportimi i të sëmurëve drejt Tiranës, por edhe transportimi i mjekëve nga Spitali i Traumës drejt spitaleve të jugut, në Gjirokastër dhe Sarandë, për të bërë të mundur ndihmën që u jepet të plagosurve në rastet kur fluksi i tyre është i lartë,” ka pohuar Albert Xhafaj, Shef i Njësisë së Transportit Mjekësor me Helikopter.

Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Dr. Skënder Brataj, ka theksuar se, tashmë, i gjithë personeli i kësaj njësie, por edhe mjekët, janë dukë u trajnuar në mënyrë që ndihma e parë t’i jepet pacientit edhe gjatë rrugëtimit. Sipas tij, në disa raste është dashur që të transportohen edhe dy pacientë me një fluturim, në mënyrë që shërbimi shëndetësor i specializuar të përfitohet në një kohë sa më të shpejtë. “Nga përvoja e rasteve në Krujë e deri më sot, kemi aplikuar përdorimin e helikopterëve duke pasur një kapacitet shumë më të madh, duke marrë edhe dy pacientë përnjëherësh në një helikopter për të shkurtuar kohën e ardhjes në Tiranë në mënyrë që shërbimi shëndetësor tu jepej sa më parë” ka pohuar Brataj.

Sipas të dhënave nga Njësia e Transportit Mjekësor me Helikopter gjatë këtij 6 mujori kemi kryer rreth 200 misione, 710 fluturime  e përkthyer në 190 orë fluturimi.

—###—

Fjala e plotë e Ministrit Beqaj:

Sot, po bëjmë këtë takim pune me Njësinë e Helikopterëve Mjekësorë, dhe sigurisht, në radhë të parë dua ti falënderoj për përkushtimin me të cilin punojnë çdo ditë, duke përcjellë me shpejtësi në Tiranë raste pacientësh në gjendje të rëndë, qoftë në raste të sëmundjeve që duhet të trajtohen në kryeqytet, por edhe raste si pasojë e traumave të aksidenteve automobilistike.

Dua të falënderoj edhe Ministrinë e Mbrojtjes për mbështetjen që i jep mbarëvajtjes dhe funksionimit normal të Njësisë së Helikopterëve.

Praktikisht, në periudhën e verës kemi pasur më shumë nevojë për fluturime, dhe vetëm javën e fundit të korrikut, kemi 13 misione me rreth 22 orë fluturimi, gjë që tregon se ne i jemi përgjigur të gjitha nevojave për të sjellë me kohë optimale raste të rënda të traumës në Spitalin e Traumës, apo edhe të sëmurë të tjerë për urgjenca kardiake apo cerebrale vaskulare.

Është pjesë e përpjekjeve që bëjmë për të siguruar mbarëvajtjen e sezonit turistik veror me prezencë në të gjithë bregdetin, por edhe me gatishmëri në çdo moment për transport të specializuar drejt Tiranës me autoambulanca, por edhe më rrugë ajrore, siç është rasti i misioneve që kryhen Njësia e Helikopterëve Mjekësore, madje në disa raste në fluturim kemi pasur edhe personel mjekësor për të garantuar që pacientët të vijnë në Spitalet e Tiranës ende gjallë.

Dr. Skënder Brataj, Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore

Pozitiv është edhe fakti që në këtë periudhë të vitit orët e fluturimit janë shumë të gjata, sepse dita është mbi 12 orë dhe jemi të detyruar të qëndrojmë më gjatë në shërbim. Fakti është edhe përmirësimi me efikasitet i këtij shërbimi, gjë që do të thotë se nga përvoja e rasteve në Krujë e deri më sot kemi aplikuar përdorimin e helikopterëve duke pasur një kapacitet shumë më të madh, duke marrë edhe dy pacientë përnjëherësh në një helikopter për të shkurtuar kohën e ardhjes në Tiranë në mënyrë që shërbimi shëndetësor tu jepej sa më parë.

Po ashtu po punohet për cilësinë e këtij shërbimi duke përgatitur personelin mjekësor së bashku me pilotët, për dhënien e ndihmës së shpejtë, për transportin e shpejtë por sidomos për të paketuar pacientë dhe të trajtuar që në vendngjarje. Kështu kur pacientët vijnë drejt spitaleve të Tiranës janë në parametra jetësorë në normë.

Albert Xhafaj, Shef i Njësisë së Transportit Mjekësor me Helikopter

Gjatë këtij 6-mujori kemi kryer rreth 200 misione, 710 fluturime, ose e thënë ndryshe, 190 orë fluturimi. Numri më i madh i fluturimeve ka qenë gjatë muajit qershor dhe korrik, kryesisht për shkak të aksidenteve të ndodhura në të gjithë vendin. Njësia e Helikopterëve ka qenë në gatishmëri të plotë me dy helikopterë, ndërkohë që e njëjta shkallë sigurie do të vazhdojë të jetë edhe për periudhën në vazhdim.

Nga ana tjetër gjatë shërbimit të kryer nga ana jonë nuk ka qenë vetëm transportimi i të sëmurëve drejt Tiranës, por edhe transportimi i mjekëve nga Spitali i Traumës drejt spitaleve të jugut, në Gjirokastër dhe Sarandë, për të bërë të mundur ndihëm që u jepet të plagosurve në rastet kur fluksi i tyre është i lartë.

—###—

 

 {:}