Ministry of Health and Social Welfare

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, priti në takimin e parë në Shqipëri drejtuesin e ri të Zyrës së OBSH-së, dr. Fabio Scano.

Gjatë takimit, dr. Scano i dorëzoi Ministres certifikatën e ETAGE, të mbledhur nga OBSH/Europa, që konfirmon se Shqipëria ka arritur objektivat europiane për kontrollin e hepatitit B përmes imunizimit.

Në fokus të diskutimeve ishin përmirësimi dhe mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, forcimi i sistemit shëndetësor, kujdesi shëndetësor parësor, parandalimi i sëmundjeve, shëndeti mendor, reforma spitalore dhe personeli shëndetësor.

Veçanërisht, palët u ndalën në dy çështje me rëndësi strategjike:
Nisjen e një projekti të përbashkët të OBSH-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për shëndetin publik në Ballkanin Perëndimor. Kjo nismë, e diskutuar në nivelin më të lartë të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe OBSH-së për Europën, synon forcimin e rolit subrajonal të Shqipërisë në shëndetin publik.

Bashkëpunimin me OBSH-në në kuadër të integrimit europian të Shqipërisë në fushën e shëndetësisë, veçanërisht përmes mbështetjes teknike për përafrimin e politikave shëndetësore, legjislacionit dhe kuadrit rregullator me legjislacionin dhe standardet e Bashkimit Europian.

Ministrja Spahiu i uroi dr. Scano suksese në detyrën e re, duke shprehur angazhimin për vijimin dhe forcimin e bashkëpunimit me OBSH-në në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të sistemit shëndetësor shqiptar.