Ministry of Health and Social Welfare

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka përmbyllur Vlerësimin e Jashtëm të Përbashkët (Joint External Evaluation – JEE), duke e renditur Shqipërinë ndër katër vendet në Europë që aplikojnë versionin më të ri të këtij instrumenti, JEE 2021.

Procesi u zhvillua me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe një ekipi ekspertësh ndërkombëtarë, të cilët vlerësuan 19 fusha kyçe të kapaciteteve kombëtare për sigurinë shëndetësore. Vlerësimi përfshiu survejancën, laboratorët, biosigurinë, menaxhimin e emergjencave, komunikimin e riskut, sigurinë ushqimore dhe komponentë të tjerë thelbësorë për gatishmërinë ndaj rreziqeve shëndetësore.

Gjatë vizitave në terren dhe takimeve me ekipet multisektoriale, u analizuan pikat e forta, sfidat dhe nevojat për ndërhyrje të mëtejshme, duke ofruar një pasqyrë të plotë të kapaciteteve aktuale të vendit.

Gjetjet e JEE do të shërbejnë si bazë për hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Sigurinë Shëndetësore, i cili do të udhëheqë hapat e ardhshëm për forcimin e mëtejshëm të sistemit dhe rritjen e përgatitjes së Shqipërisë ndaj çdo emergjence shëndetësore.