Ministry of Health and Social Welfare

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, mori pjesë në Konferencën Mbarëkombëtare të Farmaceutikës, një platformë e rëndësishme diskutim që mblodhi profesionistë nga Shqipëria, Kosova dhe trevat shqipfolëse.

Ministrja Sala evidentoi reformat e ndërmarra për modernizimin e sistemit farmaceutik, duke synuar ndërtimin e një modeli më transparent, më efikas dhe më të dixhitalizuar. Këto ndryshime synojnë rritjen e besimit të publikut, përmirësimin e shërbimit dhe garantimin e një tregu më të qëndrueshëm.

Një ndër prioritetet kryesore mbetet përmirësimi i aksesit në barna inovative, përmes përshpejtimit të procedurave dhe afrimit me praktikat më të mira evropiane. Ministrja theksoi gjithashtu nevojën për politika të balancuara që garantojnë njëkohësisht aksesin, përballueshmërinë e çmimeve dhe qëndrueshmërinë e tregut farmaceutik.

Ajo nënvizoi rëndësinë e dialogut të hapur dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me industrinë farmaceutike, profesionistët e shëndetësisë dhe aktorët e tjerë të sistemit, si një element kyç për hartimin e politikave efektive dhe afatgjata.

Në planin ndërkombëtar, Ministrja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe global për përballimin e sfidave të përbashkëta, si mungesat e barnave dhe problematikat në zinxhirët e furnizimit, veçanërisht për tregje të vogla si Shqipëria.

Duke u ndalur te zhvillimet e fundit konkrete, ajo bëri me dije miratimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave për çmimet e barnave, i cili synon të reflektojë më mirë realitetin e tregut dhe sfidat e industrisë, duke krijuar një sistem më të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm për të gjithë aktorët.

Ministrja ritheksoi se pacienti mbetet në qendër të çdo reforme dhe vendimmarrjeje, me synimin për të garantuar barazi në akses dhe përmbushjen e nevojave terapeutike të çdo qytetari.

Në këtë kuadër, ajo vlerësoi rolin në rritje të farmacistit, jo vetëm si shpërndarës i barnave, por si profesionist kyç në kujdesin ndaj pacientit dhe në përdorimin e sigurt dhe racional të tyre.

Konferenca Mbarëkombëtare e Farmaceutikës këtë vit përkoi me 20-vjetorin e Urdhrit të Farmaceutikës, duke sjellë në vëmendje rolin dhe kontributin e farmacistëve ndër vite, si dhe nevojën për zhvillim të mëtejshëm të sektorit.