Ministry of Health and Social Welfare

Gatishmëri e plotë e ekipeve të urgjencës dhe shërbimeve mjekësore
për Vizitën Apostolike të Papa Françeskut në Tiranë

Tiranë, 20/09/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i shoqëruar nga Zëvendësministri z. Klodian Rjepaj, vizituan sot (20/09/2014) njësitë e shërbimit të urgjencave mjekësore të vendosura në zonën përreth sheshit “Nënë Tereza”, bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe pika të tjera në kryeqytet në kuadër të Vizitës Apostolike të Atit të Shenjtë Papë Françeskut në Tiranë më 21/9/2014.

Duke folur për mediat e pranishme, Ministri Beqaj tha midis të tjerash, se për ministrinë e shëndetësisë, kjo është në fakt një punë e filluar prej dy muajsh, fill pas kontakteve që u vendosën ndërmjet grupit të punës së këtij institucioni që në fillim të muajit korrik me ekipin shëndetësor të Papatit, për të garantuar fillimisht gjithë nevojën për shërbim shëndetësor të mundshëm ndaj Atit të Shenjtë dhe gjithë delegacionit.

“Përcaktuam standartet, protokollet, specifikisht grupet përkatëse të gjakut, që të merrnim masat në kohë, që qendra jonë e gjakut të kishte rezervat e duhura të gjakut, që sot janë të garantuara,” – tha më tej z Beqaj. “Ndërkohë, prej 3 (tre) javësh,” – vazhdoi ai, “kemi planin e plotë me shërbimet spitalore, përfshirë: Spitalin e Traumës, Urgjencën Polivalente në QSUT, Urgjencën e Kardiokirurgjisë dhe atë të Spitalit Infektiv”.

“Por, që sigurisht kemi marrë dhe të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mbarëvajtjen edhe për të gjithë aktivitetin. Brenda Qendrës së Medias të ngritur në mjediset e Pallatit të Kongreseve është një qendër shëndetësore, këtu është një tjetër qendër shëndetësore që është më pranë edhe 300 invalidëve që do të jenë në shesh,” – tha ai.

Gjithashtu, do të ketë përgjatë gjithë bulevardit, tha për mediat Ministri Beqaj, duke shtuar se pritet që të jetë një numër jo i vogël njerëzish që do të vijnë, disa çadra për të dhënë fillimisht ujë të pijshëm; tek “Vëllezërit Frashëri” është një tjetër çadër për nevoja emergjence; janë 12 (dymbëdhjetë) autoambulanca që do të jenë në gadishmëri, një pjesë për delegacionin nga Papati, një pjesë për autoritetet tona dhe pjesa tjetër, në mënyrë më masive, për nevoja që mund të ketë eventualisht aktiviteti.

“Këto janë bërë publike dje nga Komiteti Shtetëror se ku janë të vendosura këto. Gjithashtu kemi edhe grupe vullnetarësh që do të jenë të pranishëm për të ndihmuar në rast nevoje, për të shpërndarë edhe ujë, në të gjithë pjesën e aktivitetit” – tha ai.

Faleminderit!

—###—

Foto të mëtejshme, mund të gjeni tek:

Facebook: https://www.facebook.com/media/set/?set=a.614388648672216.1073741871.453892661388483&type=1

Twitter: @BeqajIlir{:}