.

vije ndarëse

Postuar më: 08/11/2021

Buxhet historik për shëndetësinë, Manastirliu: Garantojmë vaksinimin e plotë anticovid dhe zgjerojmë investimet, 3 miliard lek investime në shëndetësi

Tiranë, 8 Nëntor – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në seancën dëgjimore në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, e ka cilësuar buxhetin e vitit 2022 si historik për shëndetësinë. Në fjalën e saj Manastirliu tha se buxheti për vitin 2022 ka një rritje prej 12,6 % vetëm për shëndetësinë.
“Buxheti i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2022 parashikohet të jetë 91 miliard e 365 milion lekë. Buxheti 2022 për shëndetësinë është 7 miliard lekë më shumë ose, 12.6 % nga plani fillestar i buxheti i vitit 2021. Buxheti 2022 është buxheti i qytetarëve, i cili ka në fokus shërbimin shëndetësor universal dhe rritjen e mburojës sociale për shtresat në nevojë“, theksoi Manastirliu.
Në fjalë e saj Manastirliu bëri me dije se do të financohet plotësisht programi kombëtar i vaksinimit.
“Do të financojmë zbatimin e programit kombëtar të vaksinimit anticovid me financimin 2.7 miliard lekë të dedikuar për vaksinat anticovid. Do të mbështesim planin e përgjigjies ndaj pandemisë duke siguruar mbështetjen e nevojshme në lidhje me strategjinë e testimit, gjurmimit, survejancës epidemiologjike, kujdesit shëndetësor në sistemin parësor dhe spitalor, barnat dhe materialet mjekësore për të gjitha strukturat spitalore”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në seancën dëgjimore në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, gjatë vitit 2022 parashikohet rritje e investimeve në sektorin e Shëndetësisë, ku do të financohen 3 miliard lekë.
Manastirliu deklaroi se me Buxhetin e 2022 do të financohet për herë të parë paketa e kujdesit të syve për fëmijët 4-14 vjeç.
“Financojmë për herë të parë paketën e kujdesit të syve për fëmijët 4-14 vjeç si një program kujdesi universal falas për mbi 300 mijë fëmijë që do të sigurojnë konsultat e syve falas sipas protokolleve mjekësore”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, bëri me dije se me Buxhetin e 2022 do të vijojë mbështetja e personelit mjekësor me rritjen e pagave në 6% brenda këtij viti.
“Do të vijojmë me rritjen e pagave për profesionistët e Shëndetit për mjeket dhe infermierët me 6% rritje të pagave që do të mbështesë 18 mijë mjekë dhe infermierë. Në këtë mandat do të ketë 40% rritje pagash që tregon vëmendjen e qeverisë ndaj mjekëve dhe infermierëve. Në këto vite të qeverisjes tonë, kemi realizuar rritjen e pagava në 63% për mjekët dhe infermierët. Për mos harruar që për të gjithë mjekët dhe ifermierët që kanë qënë në fronin e parë në luftën ndaj covid19 kanë përfituar bonusin prej 1 mijë euro”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu deklaroi se me Buxhetin e 2022 do të mundësohet edhe rritja e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë.
“Me buxhetin 2022 financojmë rritje me 10% të masës së ndihmës ekonomike për të gjithë familjet përfituese të skemës; dyfishimin e ndihmës ekonomike për familjet me më shumë se 3 fëmijë nën moshën 18 vjeç dhe trefishimin e ndihmës ekonomike për fëmijët me statusin e jetimit si dhe për gratë e trafikuara dhe të dhunuara”, tha Manastirliu.
Buxheti i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2022 parashikohet të jetë 91 miliard e 365 milion lekë, i cili përbën 4,89% i PPB bruto ose 6.9 përqind krahasuar me buxhetin fillestar 2021. Buxheti 2022 do të financojë për Shëndetësinë 63 miliard e 515 milion lekë që përbën 3,4% të PBB, ndërkohë për Mbrojtjen Sociale do të financohen 27 miliard 850 milion që përbenë 1.49% të PBB ose 4.89% të buxhetit të shtetit. Sa i takon investimeve, buxheti i vitit 2022 parashikon fillimin e investimit madhor në Spitalin Infektiv, rikonstruksionin e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, rikonstruksionin e 50 qendrave shëndetësore, si dhe vijimin e një seri investimesh:
Vazhdimin e projektit për modernizimin radikal të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza:
Modernizimi i QSUT – Përfundon faza e parë, e ndërtimit dhe pajisjes me aparatura mjekësore të teknologjisë së avancuar të Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme.
Vijimi i punimeve për rikonstruksionin e Spitalit të Pediatrisë faza e dytë. Vijimi i punimeve për modernizimin e Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Gelardinë”. Përfundimi i punimeve të fazës II-të të rikonstruksionit të spitalit rajonal Kukës. Përfundimi i punimeve për rikonstruksionin e Qendrës Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijët.
Përfundimin e rikonstruksionit të Pediatrisë së Spitalit Rajonal Elbasan.