Font Resize
Contrast
.

vije ndarëse

Postuar më: 05/09/2014

Shqipëria Jo Duhanit

Lançohet nisma e shoqërisë civile “Shqipëria Jo Duhanit!”

Ministri Beqaj: “Ftojmë të gjithë shqiptarët t’i bashkohen nismës duke i thënë Ndal! duhanpirjes”
Tiranë, 05/09/2014 – “Shqipëria Jo duhanit” është nisma e shoqërisë civile e lançuar sot (e Premte, 05/09/2014) nga disa organizata dhe aktorë të shoqërisë civile, mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë, me synim informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut për t’i thënë ndal duhanpirjes. Në takimin hapës, përfaqësuesit e shoqërisë civile shpallën krijimin e aleancës kundër duhanit, duke u shprehur se janë rreshtuar në një llogore me nismën e Qeverisë për t’i thënë stop duhanpirjes.

Në takim mori pjesë Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i cili e përshëndeti nismën, duke theksuar se kjo është një sfidë e Qeverisë dhe e tij personale, jo vetëm për domosdoshmërinë e një shëndërrimi rrënjësor dhe përmirësimit të shëndetit publik, por edhe për faktin, se është tentuar dhe herë të tjera dhe nu nuk ka qenë e suksesshme, çka e bën atë një sfidë të dyfishtë. “Ka dhe një element që e bën të trefishtë sfidën, sikurse është ligjzbatimi në Shqipëri”, tha më tej z. Beqaj.

Ministri i Shëndetësisë u shpreh se është një përpjekje që duhet ta bëjmë bashkërisht, duke përcjellë mesazhin edhe te rinia se, duhanpirja është realisht e dëmshme për shëndetin. “Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Botë, tumoret që vijnë nga duhanpirja janë një shkallë më lart. Ne, për fat të keq në Shqipëri, e kemi të vonshme shkallën e zbulimit. Besoj se dhe kjo, së bashku me përpjekjet e tjera që po bëjmë për përmirësimin e kujdesit shëndetësor, do të jetë një vlerë e shtuar”, tha z. Beqaj. Në fund të fjalës së tij, ministri i Shëndetësisë ftoi sportistët, artistët, të rinjtë, etj, për t’ju bashkuar nismës dhe për ta shtrirë atë në të gjithë Shqipërinë.

Ndërkohë, z. Zamir Dedej nga Instituti për Ruajtjen e Natyrës, bëri thirrje që të gjithë shqiptarët t’i bashkohen kësaj nismeje, për t’i thënë JO! një plage të shoqërisë, siç është ajo e duhanpirjes. Ndërsa përfaqësuesit e Lidhjes së Gazetarëve të Shëndetit e vunë theksin te rëndësia që ka media për të përcjellë nëpërmjet historive reale, dëmet e pamata që shkaktohen ndaj shëndetit nga duhanpirja, për ata që e konsumojnë, por edhe për duhanpirësit pasivë, që në fund të ditës ndihen po aq të kërcënuar nga duhani edhe pse mundohen t’i qëndrojnë larg atij.

Në takim u shpall numri i gjelbër 0800 40 40, ku çdokush mund të denoncojë raste të pirjes së duhanit në mjedise publike, në shkelje të kërkesave të ligjit, si dhe një faqje e posaçme online, dedikuar denoncimeve të këtyre rasteve, por edhe këshillave për të lënë duhanin. Për më tepër informacion për këtë faqe, mund të gjeni duke klikuar link-un e mëposhtëm: http://shqiperiajoduhanit.al/.

Gjithashtu, faqja online e nismës “Shqipëria Jo Duhanit!” ofron mundësinë, që me anën e një aplikacioni online në pajisje PC, Laptop, apo edhe Tablet ose Smartphone, me anë të një videoje, fotografie ose thjesht, teksti, të mund të denonconi rastet e duhanpirjes në mjedise publike, qofshin këto institucione shtetërore, biznese private, bare e restorante apo edhe ndërmarrje të ndryshme ku punonjësit shkelin ligjin e duhanit.

Aplikacionin online për denoncimin e kundravajtësve mund ta gjeni këtu: http://shqiperiajoduhanit.al/denonco.php.

Gjithashtu, bashkëlidhur po ju përcjell edhe një format të logo-s zyrtare të fushatës, së bashku me #hashtag dhe numrin e gjelbër 0800 40 40, për denoncimin e rasteve të kundravajtjeve.

Së fundi, në vijim lidhjet dhe aplikimet online të fushatës:

Online: www.shqiperiajoduhanit.al

Facebook: https://www.facebook.com/pages/Shqipëria-Jo-Duhanit/

Twitter: @joduhanit

YouTube: Shqipëria Jo Duhanit

App Mobile ‘shqiperiajoduhanit.al‘ për denoncimin me tekst, foto dhe/ose video të rasteve të kundravajtjeve të ligjit.

—###—

Të dhëna për Duhanpirjen

Duhani është identifikuar tashmë si një prej dëmtuesve kryesorë të shëndetit të njeriut dhe një nga sfidat më të mëdha të shëndetit publik, me të cilat Shqipëria po përballet sot. Duhanpirja renditet si faktor i madh riskant për sëmundjet malinje, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundje të aparatit te frymëmarrjes dhe probleme të tjera shëndetësore. Kështu, sipas të dhënave të OBSH-së, në mbarë botën, duhani shkakton 5.4 milion vdekje në vit, një shifër kjo që pritet të rritet në 10 milion në vitin 2030, nëse vazhdon kjo shkallë e përdorimit. Mbi 70% e vdekjeve ndodhin në vendet e varfra dhe në zhvillim. Në Shqipëri më shumë se 3.300 njerëz vdesin çdo vit nga pasojat që shkakton pirja e duhanit dhe në 2030 ky numër do të rritet në rreth 7.500 njerëz.

Duhani është shkaku kryesor i shumë vdekjeve, i cili mund të shmanget. Është i vetmi produkt që konsumohet legalisht që vret një të tretën deri në një të dytën e atyre që e përdorin. Për më tepër, industria e duhanit përpiqet me mjete e teknika përherë e më të sofistikuara të komunikimit dhe marketingut për të joshur e tërhequr sa më shumë konsumatorë të rinj dhe përdorues sa më të gjatë të produkteve të duhanit.

Këto grupmosha të reja, janë një objektiv i synuar i parapëlqyer i kësaj industrie, pasi është provuar shkencërisht se Nikotina është një substancë që krijon tërheqje të lartë dhe fëmijët e adoleshentet që eksperimentojnë me duhanin mund të krijojnë varësi shumë herët prej tij.

Studimet në vendin tonë (sipas GYTS) me grupmoshën 13-15 vjeç, tregojnë se 11.5% e nxënësve janë përdorues të duhanit, 17.6 djem dhe 6.3 vajzat. Për sa i përket ekspozimit ndaj duhanpirjes së dorës së dytë,  65% janë të ekspozuar, ku të tjerët pijnë duhan në praninë e tyre dhe 83%  e tyre nuk janë penguar që të blejnë produkte duhani në dyqan.

—###—

Për informacion dhe foto të mëtejshme, mund të gjeni tek:

https://www.facebook.com/media/set/?set=a.605058269605254.1073741870.453892661388483&type=1