.

vije ndarëse

Postuar më: 18/02/2022

Si aplikohet për statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”

“PËR

MIRATIMIN E FORMATIT TË  KËRKESËS, LLOJET E DOKUMENTEVE QË PARAQITEN PËR MARRJEN E STATUSIT “FËMIJË NË PËRKUJDESJE TË REPUBLIKËS”, SI DHE KUSHTET TEKNIKE TË PLOTËSIMIT TË TYRE”

Në mbështetje të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr. 129/2021, “Për statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 76, datë 2.02.2022, “Për përbërjen dhe mënyrën e organiizmit e të funksionimit të komisionit Qendror të Statusit “Fëmijët në përkujdesje të Republikës dhe sekretariatit të tij”

UDHËZOJ:

  1. Qëllimi i këtij udhëzimi është përcaktimi i formatit të kërkesës, llojet e dokumenteve që paraqiten për marrjen e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, si dhe kushtet teknike të plotësimit të tyre.

  1. Subjekte të këtij udhëzimi janë personat e mëposhtëm:

  1. fëmijët të cilëve u jepet statusi “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”,
  2. familjarët e tyre,
  3. organet e pushtetit qendror e të njësive të vetëqeverisjes vendore;
  4. çdo organizatë joqeveritare, me qëllim jofitimprurës që ka për synim mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve.

  1. Përfitues të statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” janë kategoritë e mëposhtme të personave që nuk kanë mbushur ende moshën 18 vjeç:

  1. fëmijët ose personat nën kujdestari të një personi të shpallur apo të njohur me statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”;

  1. fëmijët ose personat nën kujdestari të shtetasve shqiptarë, të cilët kanë humbur jetën, qoftë edhe për shkak të plagëve të marra, në përpjekje për të ndihmuar popullsinë, për mbrojtjen e pronës publike ose për shpëtimin e mbrojtjen e jetës së individit, si rezultat i një akti vetëmohimi apo patriotizmi;

  1. fëmijët ose personat nën kujdestari të shtetasve shqiptarë që kanë humbur jetën, qoftë edhe për shkak të plagëve apo të sëmundjeve të marra si pasojë e kryerjes me përgjegjshmëri të funksionit apo detyrës publike në kushte ose situata që lidhen me ngjarje të jashtëzakonshme apo të fatkeqësive natyrore, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.

  1. fëmijët që nuk ka mbushur moshën 18 vjeç, prindi apo kujdestari ligjor i të cilit i përket kategorisë mjek apo infermier, që ka humbur jetën qoftë edhe përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, si rezultat i infeksionit SARS-COVID-19, të marrë gjatë apo për shkak të kryerjes së detyrës në institucionet e specializuara/spitalet COVID-19.

  1. Statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” nuk e përfiton ose në rast se e ka përfituar e humbet personi:

  1. i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për:

  1. krime kundër njerëzimit;
  2. krime kundër rendit kushtetues;
  • veprimtari me qëllime terroriste;
  1. vepra penale kundër pronës dhe interesave të shtetit;

  1. për të cilin vërtetohet gjyqësisht se vendimi për njohjen e statusit është bazuar në dokumente të falsifikuara.

  1. Kërkesa për shpalljen ose njohjen e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” mund të paraqitet nga personat e mëposhtëm:

  1. familjarë të fëmijës (prindër, vëllezër ose motra), kujdestari ose përfaqësuesi ligjor i fëmijës;
  2. përfaqësues të autorizuar të organeve të qeverisjes qendrore ose vendore;
  3. çdo organizatë joqeveritare me qëllim jofitimprurës, që ka për synim mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve.

  1. Dokumentat e nevojshme për dhënien e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” janë:

  1. Kërkesën për dhënien e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, të plotësuar sipas formatit bashkëlidhur në shtojcën 2.
  2. Certifikata personale të fëmijës për të cilin kërkohet dhënia e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, me fotografi të tre muajve të fundit ose fotokopje të kartës së identitetit;
  3. Fotokopje të kartës së identitetit të familjarit, kujdestarit ose përfaqësuesit ligjor të fëmijës;
  4. Çertifikatën familjare që vërteton lidhjen e fëmijës me prindin ose kujdestarin ligjor i cili ka ndërruar jetë, sipas një prej rasteve të parashikuara nga Ligji Nr. 129/20121, “Për statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”;
  5. Prokurë e posaçme, në rastet kur kërkesa paraqitet nga përfaqësuesi ligjor i fëmijës ose nga organizatat joqeveritare me qëllim jofitimprurës.
  6. Organizatat joqeveritare me qëllim jofitimprurës, kur paraqesin një kërkesë duhet të dorëzojnë dhe një kopje të Statutit dhe Vendimit të rregjistrimit në gjykatë.
  7. Vërtetim të pagës më të lartë që ka përfituar prindi ose kujdestari ligjor i fëmijës.
  8. Dëshmi, në formë të shkruar apo audio-vizuale, të dokumentuar nga individë, organe publike apo private, për vërtetimin e akteve të cilët kanë çuar në humbjen e jetës, qoftë edhe për shkak të plagëve të marra, në përpjekje për të ndihmuar popullsinë, për mbrojtjen e pronës publike ose për shpëtimin e mbrojtjen e jetës së individit, si rezultat i një akti vetëmohimi apo patriotizmi apo kur personi ka humbur jetën, qoftë edhe për shkak të plagëve apo të sëmundjeve të marra si pasojë e kryerjes me përgjegjshmëri të funksionit apo detyrës publike në kushte ose situata që lidhen me ngjarje të jashtëzakonshme apo të fatkeqësive natyrore;
  9. Vërtetim për periudhën e punësimit, lëshuar nga qendra e punës, pranë së cilës ka qenë i/kanë qenë të punësuar prindi/prindërit ose kujdestari ligjor i fëmijës për të cilin kërkohet dhënia e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.
  10. Vërtetim nga struktura përgjegjëse për (Spitali, vendi i punës) për humbjen e jetës në përpjekje për të ndihmuar popullsinë, për mbrojtjen e pronës publike ose për shpëtimin e mbrojtjen e jetës së individit, si rezultat i një akti vetëmohimi apo patriotizmi apo kur personi ka humbur jetën, qoftë edhe për shkak të plagëve apo të sëmundjeve të marra si pasojë e kryerjes me përgjegjshmëri të funksionit apo detyrës publike në kushte ose situata që lidhen me ngjarje të jashtëzakonshme apo të fatkeqësive natyrore.
  11. Letër mbështetëse nga qendra e punës ose struktura të tjera që përligjin dhënien e statusit të fëmijës në përkujdesje të republikës shoqëruar me argumentat dhe faktet përkatëse.
  12. Çdo dokumet tjetër që vërteton që prindi ose kujdestari ligjor ka humbur jetën në përpjekje për të ndihmuar popullsinë, për mbrojtjen e pronës publike ose për shpëtimin e mbrojtjen e jetës së individit, si rezultat i një akti vetëmohimi apo patriotizmi apo kur personi ka humbur jetën, qoftë edhe për shkak të plagëve apo të sëmundjeve të marra si pasojë e kryerjes me përgjegjshmëri të funksionit apo detyrës publike në kushte ose situata që lidhen me ngjarje të jashtëzakonshme apo të fatkeqësive natyrore.
  13. Për fëmijët ose personat nën kujdestari të një personi të shpallur apo të njohur me statusin “Dëshmor i Atdheut” kërkohet dokumenti zyrtar që vërteton marrjen e statusit “Dëshmor i Atdheut” si dhe dokumentacioni i përcaktuar në gërmat nga “a” në “g” të kësaj pike.

  1. Dokumentat e lëshuara nga institucionet duhet të jenë të vulosura me vulën e institucionit që e ka lëshuar, të kenë të shënuar numrin e protokollit dhe datën e lëshimit dhe të mos kenë asnjë korrigjim. Dokumentet e zotëruara nga organet publike sigurohen nga këta të fundit. Dokumentet mund të jenë të lëshuara nga portali e-albania ose të nënshkruara dhe vulosura sipas legjislacionit në fuqi.

  1. Dokumentacioni për përfitimin e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” dorëzohet pranë Zyrës së Protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

  1. Për çdo pyetje apo informacion vendoset në dispozicion të kërkuesve, email-i zyrtar: femijeterepublikes@shendetesia.gov.al.

  1. Pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ngrihet Sekretariatit Teknik i Komisionit Qendror të Statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, sipas parashikimeve në Vendimin Nr. 76, datë 02.02.2022.

  1. Detyrat e Sekretariatit janë:

  1. Mbledh të gjithë kërkesat e depozituara për përfitimin e statusit;
  2. Krijon dosje të posaccme për çdo aplikim;
  3. Verifikon paraprakisht nëse dokumentacioni i depozituar nga aplikuesi është i plotë sipas përcaktimeve në këtë udhëzim dhe nëse ka muyngesë ose parregullësi njofton aplikesin për plotësimin e tyre;
  4. Kryen veprime në funksion të mbledhjes dhe verifikimit të dokumentave provues në strukturat shëndetësore ose struktura të tjera për verifikimin e ngjarjeve që kanë shkaktuar humbjen e jetes së prindit ose kujdestarit ligjor të fëmijës;
  5. Harton draft agjendën dhe të gjithë dokumentacioninin e nevojshem për cdo mbledhje.
  6. Njofton anëtarët për daten e mbledhjes dhe i vendos në dispozicion dokumentacionin përkatës.

  1. Komisioni e ushtron funksionin e tij mbështetur në ligjin nr. 129/2021, “Për statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, ligjit nr. 8480, datë 27.5.1999, “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”, Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 76, datë 14.02.2022.

  1. Komisioni shqyrton dokumentacionin e vënë në dispozicion në praninë e me shumë se gjysmës së anëtarëve dhe merr vendim unanim me votat e të gjithë anëtarëve të pranishëm.

  1. Kundër vendimit të Komisionit Qendror të Statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, si dhe në rastet kur ky komision nuk shprehet brenda afatit të përcaktuar në ligjin Nr. 129/2021, subjektet e interesuara mund të paraqesin ankim pranë ministrit përgjegjës për çështjet sociale, i cili shprehet brenda 15 ditëve nga depozitimi i ankimit. Kundër urdhrit të ministrit ose kur ministri nuk shprehet brenda afatit të parashikuar në këtë pikë paraqitet ankim pranë gjykatës kompetente, në përputhje me rregullat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.

  1. Vendimi për dhënien e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, i përcillet Institutit të Sigurimeve Shoqërore për zbatim.

    KRYETAR

         Ogerta Manastirliu

 

 

 

Shkarko Urdhrin