Ministri e Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë sot (6/11/2013) në Takimin Kombëtar “Lobim i Palëve të Interesit për të Mbështetur Parandalimin e Kancerit të Qafës së Mitrës”, në kuadër të nismës së ndëmarrë nga një grup grash dhe vajzash me mbështetjen e Qendrës së Evropës Juglindore për Survejancën dhe Parandalimin e Sëmundjeve Infektive (SECID), Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) dhe Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.
Pjesëmarrësit në këtë takim, me temë “Krah për Krah Kundër Kancerit të Qafës së Mitrës”, i cili, synon të bashkojë palët e interesit në të gjitha nivelet e përfaqësimit dhe vendimarrjes në luftën kundër kancerit të qafës së mitrës, nënshkruan unanimisht edhe “Dekaratën e Mençurisë”. Kjo deklaratë bën thirrje për ndërhyrje të përbashkëta, të menjëhershme dhe energjike të palëve të interesit për zvogëlimin në mënyrë drastike brenda 5 vjetëve të numrit të vdekjeve nga kanceri i qafës së mitrës, si dhe t’u japë gjeneratave të ardhshme të vajzave dhe grave një mundësi të barabartë për të jetuar shëndetshëm e punuar pa sëmundjen e kancerit të kancerit të qafës së mitrës.
Në vijim, fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Takimin Kombëtar,“Lobim i Palëve të Interesit për të Mbështetur Parandalimin e Kancerit të Qafës së Mitrës”.
—###—
E nderuar znj. Nishani,
Të nderuara deputete,
Të nderuar deputetë,
Të respektuar profesionistë të shëndetësisë,
Të nderuar pjesëmarrës në këtë takim të aleancës kundër kancerit të qafës së mitrës,
Jo më larg se rreth dy javë më parë, në takimin e përbashkët që organizuam me Kryeministrin Edi Rama për ditën botërore të depistimit të kancerit të gjirit (21 Tetor), kur diskutova për rëndësinë jetike që duhet të kenë përpjekje të tilla ndërgjegjësuese kundër të keqes, theksova se më tepër se sa një histori e dhimbjes dhe vuajtjes, kjo do të duhej të ishte një histori e dashurisë dhe pasionit për jetën.
Dhe, me të vërtetë, pata rastin të ndaj me ju, ndërmjet të tjerash, edhe përvojën time jetësore, ku diagnostikimi i hershëm kishte triumfuar mbi të keqen dhe frikën; ku dashuria dhe pasioni për jetën, kishte triumfuar mbi dhimbjen dhe vuajtjen.
Në këtë këndvështrim, më vjen mirë që ky takim, – i cili, synon të bashkojë palët e interesit në të gjitha nivelet e përfaqësimit dhe vendimarrjes në luftën kundër kancerit të qafës së mitrës, – është një hap i mëtejshëm për ta shndërruar me të vërtetë këtë betejë në një histori të dashurisë dhe pasionit për jetën.
Prandaj, përfitoj nga rasti ta përshëndes, dhe të shpreh mbështetjen e fuqishme timen personale dhe atë të institucionit që unë drejtoj, për nismën e grupit organizator të këtij takimi për ndërtimin e koalicionit kombëtar, dhe angazhimit, që të gjithë së bashku, brenda 5 vjetëve, të zvogëlojmë në mënyrë drastike numrin e vdekjeve nga kanceri i qafës së mitrës, si dhe t’u japim gjeneratave të ardhshme të vajzave dhe grave një mundësi të barabartë për të jetuar shëndetshëm e punuar pa sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës.
Studimet tregojnë se, nga kanceret më të zakonshëm në Shqiperi, 6-7 prej tyre mund të parandalohen, midis tyre edhe kanceri i qafës së mitrës, në varësi, ndërmjet të tjerave, edhe të veçorive të sjelljes seksuale, stilit të jetesës dhe vaksinimit. Gjithashtu, kanceri i qafës së mitrës bën pjesë në 4 (kanceri i gjirit, i mitrës, i lëkurës dhe i laringut/orofaringut) nga 8 kanceret më të përhapur në Shqipëri, të cilët mund të zbulohen herët me metoda që varen nga stadi dhe niveli i burimeve në dispozicion.
Duke pasur parasysh situatën aktuale në vend, ku burimet në dispozicion janë të pakta, infrasktruktura është e kufizuar dhe shumica e kancereve janë të një stadi të përparuar (III/IV), “ulja e stadit” duke rritur ndërgjegjësimin publik dhe trajnimi i personelit mjekësor mund të sillte një impakt të madh mbi sëmundjen dhe, prandaj, duhet vënë theksi në edukimin shëndetësor dhe rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit të popullatës dhe personelit mjekësor.
Në përparësitë e zbulimit të hershëm të kancerit të mitrës, referimi i hershëm, diagnostikimi dhe trajtimi i menjëhershëm, janë më të rëndësishëm sesa çdo lloj terapie e zbatuar në një stad të mëvonshëm të sëmundjes.
Në këtë këndvështrim, do të doja gjithashtu të theksoja vullnetin e palëkundur dhe angazhimet e rikonfirmuara rishtazi të Qeverisë për luftën kundër sëmundjeve tumorale, të cilat, përveç atyre kardiovaskulare, kanë rritur dukshëm përhapjen dhe janë kthyer në ndikues të ndjeshëm në shkurtimin e jetëgjatësisë dhe jetës së shëndetshme.
E tillë ishte edhe nisma për zerimin e tarifave për ekzaminimet për të sëmurët me sëmundje tumorale dhe grave shtatzëna që ndërmorrëm qysh në 1 Tetor.
Gjithashtu, jemi angazhuar në programin tonë qeverisës, duke vënë theksin tek synimi ynë primar, për zgjatjen e viteve të shëndetshme të jetës së popullatës shqiptare dhe parandalimin e fataliteteve të parakohshme duke rivendosur, ruajtur dhe përmirësuar shëndetin.
Përsa i përket depistimit, ashtu siç kam patur rastin ta theksoj më se një herë, jemi zotuar që brenda vitit 2014 të fillojmë zbatimin e një programi kombëtar për kontrollin bazë periodik falas të shëndetit për popullsinë në intervalin moshor 40-60 vjeç.
Edhe trajtimi i sёmundjeve tumorale është dhe mbetet një sfidë. E për këtë, jemi duke ndërmarrë hapat tona, sidomos, në këndvështrimin e normalizimit të furnizimit të spitaleve (QSUT-së) me barna citostatikё, e cila është edhe një nga masat afatshkurtëra. Masat afatmesme kanë të bëjnë me pёrcaktimin e protokolleve kosto-efektive të trajtimit, autonomisë spitalore dhe qeverjes klinike të fuqizuar. Masë afatgjatë, është krijimi i disa qendrave të trajtimit të kancerit.
Gjej rastin, gjithashtu, të falënderoj partnerët ndërkombëtarë, si UNFPA-ja, IAEA-ja, e të tjerë, të cilët kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të ndihmojnë Ministrinë e Shëndetësisë dhe ISHP-në për mbështetjen e programit të zbulimit të hershëm, si dhe integrimin e depistimit dhe diagnozës së hershme të kancerit të qafës së mitrës në kujdesin parësor.
Duke ju përgëzuar për nismën tuaj fisnike,
Ju faleminderit!
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.