Bashkë kundër kancerit të gjirit
Tiranë, 27/20/2013 – Në përmbyllje të aktiviteteve të organizuara gjatë gjithë Tetorit, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë sot paradite (27/10/2013) në “Marshimin e Gashtë për Ndërgjegjësimin për Kancerin e Gjirit” (Walk the Sixth Breast Cancer Walk), të organizuar nga shoqata The Young Women’s ChristianAssociation (YWCA), me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, dhe institucioneve të tjera publike e private, përfshirë Spitalin Hygeia në Tiranë, kompaninë Top Media, Institutin e Shëndetit Publik, Hoffman-La Roche, AMC Mobile, revistën Harmony, Dhomën Amerikane të Tregëtisë, bankën Crédit Agricole Albania, Akos, Bashkinë e Tiranës dhe Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, nëpërmjet një granti të PAS.
Për herë të parë në pesë vitet e organizimit të këtij aktiviteti, merr pjesë edhe një ministër shëndetësie. Në marshimin e nisur nga Sheshi “Nënë Tereza”, i cili vazhdoi më tej përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt Galerisë Kombëtare të Arteve, morën pjesë edhe z. Aleksandër Arvizu, Ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, znj. Zineb Touimi-Benjelloun, Përfaqësuese e Përhershme e UNFPA-së në Shqipëri, znj. Mimi Kodheli, Ministre e Mbrojtjes, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve shëndetësore dhe organizatave vendore e ndërkombëtare.
Gjithashtu, Ministri Beqaj, vizitoi edhe çadrën e ngritur nga organizata “Brainstorming” e studentëve të Universitetit Mjekësor të Tiranës, në Parkun Rinia, ku një grup mjekësh dhe një grup studentësh, shpërndanë informacion për kancerin e gjirit, si dhe kryen vizita duke dhënë instruksione për mënyrën se si mund të kryhet autopalpacioni, një mekanizëm i vetëkontrollit.
Në vijim, fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë,z. Ilir Beqaj, për mediat e pranishme.
—###—
Mirëdita!
Faleminderit organizatorëve, por padyshim, faleminderit dhe juve që i jeni bashkuar këtij aktiviteti të mrekullueshëm, në këtë ditë të mrekullueshme, që fatmirësisht, Tirana vazhdon të na i falë.
Kur filluam aktivitetin në sheshin “Nënë Tereza”, besoj të gjithë e vutë re që, ndërkohë që ne po bënim pjesën e parë të aktivitetit, kaluan katër, le t’i quaj karvanë, dasmash. E pra, unë besoj se, këtë sfidë të vështirë, që shoqëria jonë ka, po që në rradhë të parë e kanë vajzat, gratë, nënat, bashkëshortet tona, mund ta përballojmë në radhë të parë me dashuri.
Nëse sot flasim për rëndësinë që ka lufta ndaj kancerit të gjirit, do të thotë se, flasim thjesht për gjirin e vajzës, të nënës, gruas, por flasim pikërisht për jetën, për qumështin që fëmijët e kanë të domosdoshëm e që e marrin që në fillimin e jetës.
Sot, sëmundjet tumorale, janë një nga shkaktarët kryesore, qoftë të shkurtimit të ditëve të jetës të shëndetëshme, por qoftë edhe të shkurtimit të jetës, i fataliteteve që ndodhin. Për fat të keq, ne në Shqipëri, kemi një numër shumë të lartë fatalitetesh që ndodhin nga sëmundjet tumorale, përfshi edhe kancerin e gjirit, pra më shumë se ¾ e rasteve përfundojnë në fatalitet, ndërkohë që, jo vetëm vende të zhvilluara, por edhe vende të ngjashme me profilin ekonomik, social e demografik të Shqipërisë, po ja dalin të ulin ndjeshëm këtë përqindje të lartë fatalitetesh.
Në fakt, ne si Qeveri, jemi të angazhuar që të fokusohemi më tepër te parandalimi dhe te diagnostikimi i hershëm. Besoj se me këto dy elementë, do të jemi në gjendje që, brenda disa vitesh, të mund të arrijmë atë objektiv që ne kemi: jetë të shëndetshme sa më të gjatë dhe fatalitete me numër sa më të vogël, përpara moshës mesatare të jetëgjatësisë së shqiptarëve.
Po ashtu në programin e Qeverisë, kemi përcaktuar një fokus më të madh në dy grup sëmundjesh kryesore: në sëmundjet tumorale dhe ato kardiovaskulare, sepse rezulton që këto dy grup sëmundjesh janë ato që shkaktojnë dëmin më të madh në jetën e qytetarëve, por padyshim edhe që transmetojnë drama në familjet shqiptare dhe kanë kosto jo të vogla sociale dhe ekonomike për të gjithë vendin.
Ne kemi filluar, në fakt, me zbatimin e programit që në muajin tetor. Qe një koinçidencë fatlume që puna jonë në javët e para të zbatimit të programit, përkoi edhe me muajin tetor, muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, dhe padyshim kemi filluar me zerimin e tarifave për të sëmurët me sëmundje tumorale dhe mua më vjen mirë që, puna juaj e përbashkët si aktorë për të rritur sensibilizimin, por edhe masat tona, kanë sjellë një rritje të shkallës së ndërgjegjësimit, dhe jam shumë i kënaqur me aq sa më kanë raportuar, që në dy javët e fundit, ka një rritje me 3-4 herë të vizitave në kabinetet e mamografisë që janë në Shqipëri, që më duhet ta pranoj, janë ende në numër të reduktuar, qoftë si kabinete, qoftë si profesionistë që mund të shërbejnë në këto kabinete.
Por besoj se ju jap edhe një lajm tjetër të mirë, i cili është vendimi që është marrë pardje në Këshillin e Ministrave, sipas së cilit, kemi filluar procedurat e financimit të akserelatorit linear, i cili, besoj se do të kompletojë trajtimin e këtyre sëmundjeve, duke bashkuar përpjekjet e kemioterapistëve, kirurgëve, tani edhe të radioterapistëve, për t’i dhënë një trajtim shumë më të plotë, por edhe profesional dhe shkencor sëmundjeve tumorale.
Megjithatë, dua ta përsëris, është e domosdoshme parandalimi dhe diagnostikim i hershëm. Këtë po ua them, edhe si djalë i një nëne, e cila para 24 vjetësh, pikërisht falë një diagnostikimi të hershëm dhe mjekëve të mrekullueshëm që në atë kohë kanë qenë në spitalin Onkologjik, ja doli ta përballojë dhe të vazhdojë një jetë normale.
Faleminderit,
Përgëzime Kristinës,
Përgëzime të gjithëve ju që i bashkoheni nismës së sensibilizimit!
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.