Bashkë kundër kancerit të gjirit!
Fjala e Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Konferencën e organizuar sot në Tiranë: “Të Bashkuar Kundër Kancerit të Gjirit.
—###—
I nderuar Kryeministër Edi Rama,
I nderuar shkëlqesia juaj Ambasador Gaiani,
E nderuar zonja Zineb Touimi-Benjelloun, Përfaqësuese e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri,
Të nderuara zonja deputete, se sot në fakt zotërinj deputetë nuk paskemi, profesionistë të shëndetësisë, miq dhe të ftuar, të respektuar miq që keni ardhur nga Instituti i Onkologjisë në Milano,
Në fakt unë duhet të falenderoj organizatorët e këtij takimi, sepse edhe ky takim është një vlerë e shtuar në gjithë kolanën e aktiviteteve intensive, informuese që kemi zhvilluar këtë muaj, që është botërisht Muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit. Besoj se nga konferenca e para një viti, sot, në radhë të parë, unë më shumë se kushdo tjetër, ka për detyrë të tregojë se çfarë kemi bërë nga ajo konferencë në këtë tjetrën, sepse përkon praktikisht edhe me 13 muajt e parë të detyrës dhe drejtimit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Unë besoj se dy gjërat kryesore që ishin dhe janë të përcaktuara në Programin e Qeverisë, Mbulimin Universal, si një e drejtë që duhet t’ua japim të gjithë shqiptarëve rezidentë dhe fokusi kryesor te dy grup-sëmundjet kardiovaskulare dhe tumorale, që janë sot praktikisht shkaktarët kryesorë të sëmundshmërisë më të lartë në Shqipëri, të (shkallës më të lartë) më shumë invaliditet, të shkurtimit të viteve të jetës së shëndetshme dhe të rritjes së ndjeshme të numrit të fataliteteve të parakohshme, kanë marrë kujdesin e tyre.
Besoj se në këto 13 muaj, kemi treguar me gjëra që janë bërë të prekshme, që e kemi mbuluar këtë spektër 180 gradë, duke filluar nga promocioni shëndetësor, për të vazhduar te parandalimi, diagnostikimi i hershëm, tek rritja e kapaciteteve kuruese dhe pastaj, – sepse ende këto sëmundje përfundojnë me fatalitete, – edhe te kujdesi paliativ.
Praktikisht, në këtë muaj, edhe zoti (Carlo) Bolino (Drejtues i grupit Free and Fair Media) e shpjegoi, numri i grave që kanë ardhur për të kërkuar një ekzaminim mamografie, bile jo këtë muaj, por deri në datën 20, është sa 9 (nëntë) muajt e parë, që do të thotë kemi nevojë për më shumë informacion, më shumë promocion, por kemi nevojë edhe për të thyer disa barriea që ekzistojnë në vend. Ne kemi ende barriera që pengojnë aksesin në shëndetësi: ekonomike, gjeografike dhe padyshim kulturore.
Ne jemi angazhuar për Mbulimin Universal dhe në programin qeverisës, por besojmë se Mbulimi Universal në qoftë se nuk bashkëshoqërohet edhe me aksesin universal, mbetet më shumë një objektiv, një vizion, por jo diçka e prekshme.
Për këtë arsye, që në fillim të vitit, vendosëm që të blejmë fillimisht këtë vit, dy mamografë të lëvizshëm, për t’i dhënë mundësinë edhe grave që jetojnë në zonat rurale ta kenë afër vendbanimit këtë gjë.
Sepse, nëse në këtë muaj (tetor), ne kemi hequr tarifën e ekzaminimit të mamografisë, madje kemi hequr dhe nevojën që të vish nga sistemi i referimit, prapë edhe nëse kjo mundësi u jepet grave, prapë nëse janë larg vendbanimit të tyre, është një gjë që e kanë të vështirë për ta arritur.
Dhe në fakt, sot që në flasim, rezulton që numri i grave që kanë që kanë regjistruar emrin për këtë ekzaminim këtë muaj, është jashtëzakonisht i madh dhe dua t’i siguroj ato, që edhe pse kemi thënë se vetëm në muajin tetor do të jetë ky ekzaminim pa pagesë, lista e pritjes që do të mbyllet në mbrëmjen e 31 Tetorit, do të vazhdojë ta marrë këtë ekzaminim falas edhe pas kësaj date, derisa të ezaurohet e gjitha.
Ndërkohë, pikërisht për të trajtuar sëmundjet tumorale, këtë vit i’a dolëm: në radhë të parë, të dyfishojmë buxhetin për barnat citostatikë, por të furnizojmë spitalin me më shumë se kaq barna për këtë sëmundje, e cila është sot, po e përsëris, shkaktar kryesor i vdekjeve në moshë të parakohshme.
Gjithashtu, unë jam i kënaqur që me drejtuesit e QSUT-së i’a kemi dalë që radioterapia me aparatin e kobaltit të funksionojë normalisht, me angazhimet e qeverisë vitin e ardhshëm do të vihet një akselerator linear në punë në Qendrën Spitalore Universitare.
Por, megjithatë, ajo çfarë bëjmë sot në shërbimin e onkologjisë në QSUT, duhet patjetër të fillojë të bëhet edhe në qytetet e tjera, sepse nuk e përballojmë dot volumin e punës.
Dhe për këtë arsye, me ndryshimet që iu bënë buxhetit në shtator, u dhanë fondet e nevojshme që, duke filluar nga pranvera e vitit të ardhshëm, shërbimi i kimioterapisë të mund të ofrohet edhe në pesë spitale të tjera në Shqipëri, do të ofrohet në spitalin e mushkërive, në ish-Sanatorium dhe pastaj do ta çojmë në Korçë, në Vlorë, në Elbasan dhe në Shkodër. Ndërsa një lajm ishte për Durrësin, ku para dy ditësh e përuruam kabinetin e ri të kimioterapisë.
Për të garantuar një furnizim sa më të mirë të spitaleve me barna, madje disa barna citostatikë, i përfshimë për herë të parë në listën e rimbursimit, në mënyrë që të mos krijohen boshllëqe ndonjëherë nga procedurat e prokurimit, që krijojnë jo vijimësi në furnizimin e spitaleve me barna.
Është shumë i rëndësishëm informacioni, e thamë edhe njëherë, sigurisht rritja e kapaciteteve tona diagnostikuese dhe kuruese, por është shumë e domosdoshme dhe rritja dhe furnizimi i burimeve njerëzore.
Për fat të mirë, këtë vit në qershor mbaruan specializimin mjekët onkologë, tetë prej të cilëve kanë filluar punë në QSUT dhe spitale të tjera, mënyrë që çdo trajtim i një tumori të bëhet sot nga një ekip mjekësh multidisiplinarë. Gjithmonë do të kërkojmë që shërbimi universitar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ta udhëheqë edhe në vitin e ardhshëm, edhe për një farë periudhe, në këto gjashtë qendra të reja, Durrësi këtë vit, dhe pesë qendra të reja që do të hapim vitin e ardhshëm.
Besoj se, është e domosdoshme që të shtojmë informacionin, të rrisim kujdesin dhe ta kthejmë këtë sfidë, jo vetëm në muajin Tetor, në një sfidë të përhershme. Jam i bindur se edhe me eksperiencën pozitive të viteve të fundit në Shqipëri, unë besoj se lufta, sidomos ndaj kancerit të gjirit, mund dhe duhet të kthehet në një histori suksesi.
Edhe njëherë falemnderit organizatorëve, punë të mbarë në këtë konferencë!
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.